EmailFacebookKontakt

Festë rinore me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes

Dashuria, e Vërteta, e Bukura

Një përvjetor jubilar në jetën e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, u shndërrua në një festim nga mbarë Komuniteti Orthodhoks dhe sidomos nga rinia. Fjala është për 50-vjetorin e Hirotonisë në gradën Episkopale të Kryepiskopit, më 19 nëntor 1972, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Perëndilindëses në Athinë.

Qindra të rinj e të reja, nxënës dhe nxënëse të shkollave të ngritura nga ai apo nga grupet e katekizmit që funksionojnë në enoritë e ringritura orthodhokse, në mbarë vendin, shumicës së të cilëve as prindërit nuk iu kishin lindur atëherë, gëzoheshin natyrshëm. Merrnin pjesë në gëzimin e atit shpirtëror, bariut të urtë, që i mbulon me dashurinë dhe kujdesin e tij, me lutjen dhe kryesisht me gjestet bujare të konkretizimit të dashurisë.

Dhe çfarë e bënte aq entuziaste atmosferën në Kompleksin madhështor Orthodhoks, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit, në zemër të kryeytetit, të shtunën, më 19 nëntor 2022?

Ishte, nga njëra anë, shprehje e vullnetshme e mirënjohjes për planin e Perëndisë. 50 vjet më parë përgatitej në fakt një “lojë” e historisë. Nga ato surprizat e mrekullueshme që Perëndia bën për të shfaqur dashurinë e Tij për njerëzit që e besojnë. I hirotonisuri atëherë si Episkop i Andrusës ishte “planifikuar” nga Perëndia të vinte mes nesh dhe, falë dhuntive me të cilat pasurisht e kishte pajisur, me flakën e besimit në Zotin që u Kryqëzua dhe u Ngjall, që gjallëron në zemrën dhe shpirtin e tij, të ndërmerrte punën si Sizifi të ringritjes nga gërmadhat e persekutimit atesit të Kishës sonë. Ai do të bëhej një faktor i gjallë për ripërtëritjen shpirtërore dhe reformimin më të thellë të shoqërisë së saj përmes shembullit personal dhe iniciativave të njohura gjerësisht brenda dhe jashtë Kishës e vendit tonë.

Ishte kjo që në mënyrë jo të perceptueshme, ngrohte zemrat e aq shumë të rinjve në Katedrale dhe sallën e veprimtarive dhe çelte buzëqeshjen në fytyrat e tyre.

Kjo është një aspekt i konkretizimit të misterit të Kishës. Se ajo mundet mistikisht të krijojë komunitet, të lidhë njerëzit në mënyrë unikale. Dhe kjo, jo vetëm në hapësirë, por edhe në kohë. Kryepiskopi Anastas erdhi nga Athina në Tiranë nga dashuria për Krishtin. Dhe gjeti këtu po të njëjtën dashuri, që hapi rrugët dhe sheshoi pengesat, që të bëhet realitet pikërisht Kisha e Tij. Dhe kjo Kishë e ngjallur dhe e ringritur i bën njerëzit e një vendi dhe kryesisht brezin e ri, t’i gëzohen një ngjarjeje domethënëse në jetën e Kryebariut dhe Kryepiskopit tonë njëlloj siç ndodh në ditët tona.

Është kjo një arsye më shumë që Kryepiskopi ynë të ndihet më i plotë në një përvjetor aq shumëvjeçar, që pak njerëz e gëzojnë. Sepse u tregua i denjë i Kryepriftërisë dhe bëri aq, sa atëherë kur ndodhte zbritja e Shpirtit të Shenjtë në Kishën e Ungjillëzimit të Perëndilindëses në Athinë nuk mund të ishin në imagjinatën e tij dhe të askujt. Sepse Kisha jonë asokohe vuante në Hadhin e mosqenies, ku e kishin dënuar persekutorët e besimit. Ndërsa sot është një Kishë e gjallë dhe vitale. Është një Kishë e rilindur dhe e re. E re në entuziazëm dhe moshën e grigjës së saj. Dhe më e rëndësishmja, që pohohet gjerësisht në botën Orthodhokse, është një Kishë e vërtetë, reale…

Në atë festë me nota ngjallësore, ndonëse në nëntor, rinia e dëshmoi këtë. Dëshmoi se gjithçka që bëhet në Kishën tonë me frymëzimin e kujdesin atëror të Kryepiskopit, është realizim i Dashurisë, i së Vërtetës, i Bukurisë. DASHURIA ishte edhe një herë elementi kryesor në atë festë dhe në fjalët që Kryepiskopi u përcolli të rinjve dhe të pranishmëve. Dashuri shprehën edhe ata në mënyrën unikale si fëmijët dhe të rinjtë dinë ta manifestojnë. E VËRTETA ishte pasurisht e dëshmuar. Sepse gjithçka që Kryepiskopi tha kur vinte e niste misionin e pamundur në dukje për ringritjen e Kishës doli një e vërtetë e madhe. Doli e vërteta se Perëndia nuk do të na braktisë. Dhe ata e kuptojnë më së miri me kriterin e dëlirësisë rinore, se këtu thuhen dhe bëhen gjëra të vërteta.

Në një kohë kur në vendin tonë mbizotëron fryma e braktisjes së përpjekjes, demoralizimit e sidomos e largimit masiv, Kryepiskopi gjen edhe një herë mënyrën jo për një thirrje shterpë apo slogan propagandistik. Paraqet një rrugë të vërtetë për të mbështetur shpresën, për të bërë rezistencë cilësore, për të duruar sprovën. Se ka krijuar tanimë atë ambient dashurie e mirëkuptimi ku mund të flitet për të gjitha këto. Janë komunitetet e besimtarëve dhe klerikët e tyre në të gjitha mitropolitë, janë rrethet e katekizmit me mësuesit e tyre, shkollat pararojë që ka krijuar, ato shoqëri grash dhe besimtarësh që punojnë për zbutjen e pasojave të skamjes e varfërisë. Është një familje e madhe punëtorësh të dashurisë.

Dhe natyrisht, atë ditë ishte e pranishme E BUKURA. Sepse gjithçka zhvillohej në një Kishë katedrale që mishëron të bukurën dhe estetikën Orthodhokse e veçanërisht se mbledhja adhuruese dhe festa e hareshme pas saj ishte një ngjarje e bukur. U dëshmua se sa fort Kisha jonë, duke konkretizuar shqetësimin e vazhdueshëm të Kryepiskopit, kujdeset për të kultivuar të bukurën. Rinia Orthodhokse, me programin e saj artistik, tregoi se, edhe në një kohë kur thirrjet janë për ta çorientuar në të tjera drejtime, ajo di të kontribuojë në aspekte kulturore të traditës, të motivit të dashurisë, të respektit e tolerancës. Natyrisht, kjo është e bukura.

Kryepiskopi, me përvojën e gjatë jetësore dhe si një faktor reformator i paepur i shoqërisë, e përcaktoi dinamikën e saj. Edhe një herë tjetër theksoi se dashuria është më e shtrenjta e vlerave shpirtërore dhe, si e tillë, kushton. Kushton vuajtje, sakrifica, heshtje, por edhe guxim për të folur për të vërtetën e padrejtësinë.

Çaste të tilla në jetën e tij, në pesëdhjetë vitet e krypriftërisë dhe sidomos në këto tridhjetë vite të të qenit në krye të Kishës sonë Orthodhokse në Shqipëri mundet të gjejmë shumë. Të gjitha për Lavdinë e Perëndisë Triadik, që e dashuroi realisht!

Orfea Beci