EmailFacebookKontakt

Festë Pankristiane

Është viti i dytë që të krishterët shqiptarë pas një ndërprerje prej 24 vjetësh të imponuar nga regjimi i kuq diktatorial enverian, festojnë Krishtlindjet, këtë festë të madhe mbarë të krishterë. Është kremtimi i lindjes së Zotit Perëndisë sonë Iisui Krishtit, që u mishërua prej Virgjëreshës Mari, i cili erdhi në botë për faljen e mëkateve të njeriut, për t’i dhënë atij Dhiatën e Re, dhiatën e dritës e të jetës së amshuar. Kjo ditë shënoi kufirin midis dy epokave, mbarimin e erës së vjetër – para Krishtit – dhe fillimin e erës së re – pas Krishtit. Nga kjo ditë fillon dhe numërimi i viteve, sipas së cilës ky është viti 1992 pas Krishtit, dhe me të cilin orientohet e gjithë bota bashkëkohore.

Krishti, i vetëlinduri Bir i Perëndisë, që është një me Atin e me Shpirtin e Shenjtë, është Shpëtimtari i botës. Ajo foshnjë hyjnore që lindi gati dy mijë vjet më parë në qytetin hebraik të Vithleemit, erdhi në botë për të na hapur rrugën drejt përjetësisë, për të na njohur me Perëndinë e vërtetë e të vetme, së cilës duhet t’i falemi e t’i lutemi në çdo çast të jetës sonë, të jetojmë e të punojmë sipas mësimeve të saj. Prej dy mijë vjetësh foshnjes hyjnore i falen miljona e miljona njerëz kudo në botë, me besim e shpresëtari, se ajo është paqja dhe mirësia, dashuria dhe jeta. I falemi dhe ne orthodhoksët shqiptarë që të na forcojë në besim e shpresë, të na japë paqen, dashurinë, mirëkuptimin e harmoninë midis njëri-tjetrit e me komunitetet e tjera fetare, të na falë urtësinë dhe diturinë hyjnore, që të ecim në jetë me mësimet e Ungjillit të Shenjtë të Krishtit.

Lavdi Perëndisë, krijuesit dhe Zotit të gjithësisë. Amin.