Ka qenë një zakon i vjetër, madje shumë i vjetër, që banorët e krahinës së Shqerisë në Leskovik të mblidheshin e të kremtonin më 8 shtator, ditën e Lindjes së Hyjlindëses, në kishën e Shën Marisë së Leshkës, në katundin Kovaçisht. Pas një ndërprerje të gjatë që nga viti 1967, ky zakon u përsërit edhe këtë vit. Banorë të fshatrave përreth kishës, si Kovaçisht, Peshtan, Gjerakarë, Radimisht, Gostivisht etj., familjarisht, me gra e fëmijë erdhën e u mblodhën rreth kishës për të kremtuar këtë ditë të shenjtë. Duhet përmendur se në këtë kishë vijnë jo vetëm banorët e besimit orthodhoks, por edhe të atij mysliman nga fshatrat përreth. Kjo ditë ishte një e kremte për të gjithë, se edhe besimi që ata kanë tek Perëndia dhe Hyjlindësja e Tërëshenjtë është i madh e i palëkundur. Vetë Hyjlindësja në këtë kishë ka krijuar bindje absolute për forcën e saj çudibërëse dhe faljen e mëkateve të shumë të penduarve që janë lutur atje.
Ndaj kremtimi u kthye në një festë të madhe popullore, ku secili shprehte gëzimin e tij për këtë ditë të shenjtë.
Pak histori:
Data e themelimit të kësaj kishe nuk është përcaktuar. Por, duke iu referuar dy momenteve, ajo duhet të jetë ngritur para vitit 150. Së pari, sepse fshati Leshkë ka qenë banuar nga orthodhoksë e më pas është ndarë në dy lagje me besime të ndryshme. Falja e kremtimet në këtë kishë janë kryer si nga orthodhoksët, ashtu edhe nga myslimanët. Shkatërrimi i fshatit dhe largimi i të gjithë banorëve është bërë 350-400 vjet më parë, si rezultat i një konflikti midis tyre me sundimtarin otoman, të cilin ata e vranë për çështje nderi. Kjo tregon se kisha ka qenë e ngritur, të paktën para ardhjes së Skënderbeut.
Së dyti, në muret e saj ka patur deri në ditët tona tulla të gjëra e të holla, të cilat i përkasin kohërave të lashta dhe nuk gjenden në asnjë ndërtesë në gjithë krahinën. Edhe ikonat, të cilat fatkeqësisht u dogjën e u shkatërruan, mund të krahasohen me ato të kishave të vjetra të Beratit.
Tani kisha është rrënuar, por besimtarët atje kanë vendosur ikona e paraklise në gërmadhat e saja dhe luten sikur ajo të ishte e ngritur. Ata kanë besim se ajo kishë do të ngrihet përsëri.
Viron Cane