EmailFacebookKontakt

Feja përballë politikës

Politika me mjetet e saj të shumta; luftën para së gjithash, strategjinë dhe taktikën, ekonominë dhe diplomacinë, propagandën dhe përpunimin e opinionit, qeveris botën dhe ka synim të arrijë një paqe sa më të qëndrueshme, të bazuar në ekuilibrin e forcave dhe të garantuar nga të fuqishmit e botë. Feja, përballë saj, në vështrimin e ri tokësor, kërkon dhe përpiqet për një paqe të përhershme dhe të drejtë, të bazuar në harmoninë midis njerëzve dhe tek liria e tyre e vërtetë. Arma e saj e vetme: mbështetja në vullnetin e Perëndisë.

Këto dy sfera të aktivitetit njerëzor kanë momente afrimi ose kundërvënieje, sipas rastit, me rezultate që mund të na japin indikacione për të gjykuar të kaluarën dhe për të sqaruar kriteret për të ardhmen. Le të pyesim së pari: Feja dhe politika, edhe pse me një heterogjenitet të thellë mes tyre, a mund të jenë, në një farë mase, komplementare?

Politika e pranon dhunën si mjet (dhe e dimë mirë në ç’ekstreme mizore arrin kjo), por duhet thënë se ajo, nën shtytjen e vazhduar për paqe dhe siguri, që bashkëjeton tek njeriu me atë për grabitje, herë-herë ka gjetur edhe forma demokratike për të qeverisur një shoqëri (e nënvizojmë herd-herë e jo si pasojë e një përparimi të domosdoshëm që bën njeriu për këtë dëshmojnë kthimet e përbindshme prapa, të pranishme në histori, edhe në këtë shekull), kurse në lëmin e jashtëm ka çuar në bisedime ndërshtetërore, dhe së fundi edhe ndërkombëtare, për të zgjidhur problemet pa luftë, sa herë që ndryshimi i raporteve të forcës e mundësonte. Veçse nuk ka ndodhur ende që palët të ulen në tryezën e bisedimeve nergut për të vendosur të drejtat e atyre që kanë dëmtuar ose injoruar në raportet e vjetra, dhe s’kanë gjetur miq në ato të rejat.

Sido që të jetë, këto tipare më të lakueshme të politikës, dmth zëvendësimi (qoftë për nevojë e jo për parim) i dhunës me traktativën, vlejnë për të mos e paragjykuar atë tërësisht si të “ndyrë”, dhe për të na çuar tek përfundimi që sfera e saj me atë të fesë nuk janë dy rrathë që s’priten fare.

Historikisht në zonën ku “puqen” dy rrathët kemi parë ndonjë mbret të fortë e njëherazi, me një sens drejtësie, që nuk mund ta shpjegosh veçse me devocionin e tyre të thellë, dhe nga krahu tjetër, krerët fetarë që ndërhynin rregullisht në politikë, fillimisht me qëllim korrigjimi (rasti më i mirë), për të mbetur aty përfundimisht, robër të lojës së konjukturave.

Përgjithësimi i kësaj përvoje tregon se pushtetarët që ia dolën mbanë të vendosin një regjim relativisht të drejtë brenda vendit, dhe një paqe mjaft të gjatë me fqinjët fituan nam, pavarësisht nga papërsosjet dhe gabimet, kurse klerikët që u përzien në punë shtetërore dhe luftarake, gëzojnë një njollë, pavarësisht nga meritat dhe qëllmet e mira, në paçin qenë të tilla.

Arsyet janë të qarta: Të parët, mbretërit, kanë bërë punën që u takonte, dhe me mjaft sukses, kurse të dytët, njerëzit e Perëndisë, duke pranuar t’u hyjnë dhunës së pushtetit dhe ujdive me të fortët, i janë nënshtruar edhe ndotjes prej tyre, gjë që i largonte nga fryma apostolike e dashurisë për të gjithë njerëzit pa dallim. Gabimi i tyre është i dyfishtë: Kanë gjykuar të afërtin; jo vetëm kaq, por e kanë bërë me dhunë.

Mendimi se mund të arrihet paqja me angazhimin e Kishës së Krishtit në një kauzë politike ose në një aleancë (sado të drejta t’i quajnë këto banorët e kësaj bote) nuk bën tjetër veçse sharton në logjikën e saj të dashurisë, logjikën tokësore, e cila, gjithsesi, nuk i shpëton dot dhunës. Kështu, herët a vonë, edhe pemët e saj do të dalin tokësore, duke i hequr asaj mjaft nga hiri i themeluesit të saj që, para se të martirizohej, i tha dishepullit që deshi ta mbronte me armë: “Kujton ti se po t’i lutesha Atit tim, s’do të më dërgonte më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Po atëherë, si do të përmbusheshin shkrimet, që kështu duhet të ndodhë?” (Matth. 26,53).

Kisha nuk është vetëm e ndjekur nga të fortët e botës, por edhe e joshur nga fuqia e botës. Kur ajo u shkon pas skifterëve të kombit të vet, duke përzierë fenë me kombin ose dhe bëhet nxitëse e tyre nëpër demostrata e me propagandë, harron se Zoti pëlqen të butët dhe paqtuesit. Po ashtu dhe kur kërkon t’u imponohet të tjerëve me fuqi o taktika politike, harron se Zoti pëlqen të përulurit, dhe u shfaqet vetëm atyre.

Por çështja e dhunës nuk është e thjeshtë. Kisha numëron ndër shenjtorët e vet edhe luftëtarë, kurse në Dhiatën e Vjetër kemi plot raste betejash të Izraelit, që drejtohen dhe fitohen me strateg vetë Zotin! (të kujtojmë luftën për Hanaanin). Pra dhuna nuk është tërësisht e dënueshme në një botë të sunduar nga lakmia për të rrëmbyer. Me këtë nuk duhet përfunduar domosdo se është ligjësuar për njeriun, megjithëse s’mund t’i vesh faj një kishe kur u jep zemër të rrethuarve që kanë thikën në fyt, dhe madje ua bekon armët kur mbrojnë jetën dhe nderin e familjeve të tyre. Por rrëfimi i sinqertë tek Zoti siguron përgjigjen, se kur je në vetëmbrojtje dhe kur jo. Shpesh në histori janë ndërmarrë luftra të paprovokuara me qëllime të vetëquajtura të shenjta. Ata që i shpallnin, mund të kenë qenë mbështetur (sinqerisht ose për llogari) në disa precedente biblike, dhe për më tepër do t’i kenë përligjur tek thënia e Krishtit “kam ardhur që të vë jo paqen, por shpatën”.

Pa dyshim që leximi që u kanë bërë Shkrimeve të Shenjta ishte i gabuar, sepse i bërë jo në frymën e tyre të vërtetë. Të dyja Dhiatat dallohen (siç thekson një studiues i shquar), jo për kontradikta logjike, po për pasuri jetësore. Që të marrësh prej tyre indikacione të vlefshme duhet të dish të shquash tek ato pedagogjinë hyjnore, e cila ngërthen mendësinë e brezave të cilëve u është drejtuar për mijëvjeçarë, dhe gjithashtu, lirinë shpirtërore në rritje të atyre që do pranonin mesazhin. Logjika e ngushtë e formale zhvleftësohet para këtij teksti, që me dritën e tij të fortë të jep më shumë nga ç’mund të mbash. Në çdo rast, çelësi i lexuesit nuk është identifikimi i vetë me të drejtën, por përulësia.

Nuk ka kontradiktë thelbësore mes dy Dhiatave, përveç asaj aparente të fazave që kalon një farë për t’u bërë fryt. Vërtet tek e Vjetra gjejmë skena të dhunëshme, por aty jepet edhe fillesa e një vizioni human të shoqërisë: Mëshira për të huajin, për jetimin, gruan e ve etj., jepen për herë të parë në Bibël, si pjesë të një plani humanizues të njeriut, që Zoti e barton në formë normash për popullin e tij të zgjedhur. Tek popujt fqinjë të atyre kohëve, që praktikojnë politeizmin, këto gjëra as që figurojnë në librat e tyre – mjafton të kujtojmë zakonin e llahtarshëm në Babiloni të varrosjes së grave për së gjalli, tok me burrin e vdekur.

Mund të thuhet me plot gojën se drejtësia hyn në histori, nërpërmjet ligjit që na u dha në Shkrimin e Shenjtë. Nuk duhet çuditur me formulimin e ashpër: “Thikë për thikë” e “sy për sy”, as urdhërin për shfarosjen e plotë të hananeasve. Në atë det padrejtësie që kishte vërshuar mbas mëkatit fillestar, dhe ishte trashur mbas Përmbytjes, nuk mund të vendosej veçse me rreptësi, për të ngulur bindjen që faji s’mbetet pa ndëshkuar. Por, në Marrëveshjen që bëri Perëndia me popullin e tij, si shprehje të drejtësisë së tij që duhet çuar në vend, kjo rreptësi bëhet themeli mbi të cilin do operohet çlirimi i njeriut. Popujt fqinjë në fetë e tyre pagane e ndjenin se duhet të flijonin, shenjë e qartë kjo e ndërgjegjes mëkatare, por vetëm Herbrenjve u kërkohet, në një farë momenti, jo më holokauste bagëtish, por pendesë, flijim të vetes; vetëm atyre u parathuhet ardhja e Mesisë dhe madje të dhëna të sakta për flijimin e tij, dhe le ta kuptonte kush të mundej.

Kjo hyrje e mahnitshme e dashurisë hyjnore në botë, konkrete, e kodifikuar, ndodh te ky popull i përgatitur qysh në krye për këtë mision; të luftojë mëkatin, shkaktarin e vdekjes. Prania e kombeve paganë afër tij është po aq e rëndësishme: ata janë pikë referimi tani e mbas për çka hebrenjtë nuk duhet të bëjnë!

Eshtë një “projekt” drejt jetës, dhe rruga jepet e qartë në Marrëveshjen: “Në qoftë se populli im thërret emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe i largohet rrugëve të këqia, unë do ta shëroj në vendin e tij” (2 Kron. 7,14). Në fillim Zoti i kishte thënë këtij populli “Ti s’do t’i lutesh tjetër Perëndie veç Meje!” dhe me këtë themeloi Monoteizmin. Porosia tjetër vjen: “Duaje të afërmin tënd” dhe më anën e saj nis Humanizmin e mirëfilltë. Por, si do t’i kuptojnë ata këto porosi dhe si do t’i pajtojnë ato me të mëparshmet e të mëvonshmet? Konkretisht, si do të harmonizojnë mësimin “Duaje të afërmin tënd” me urdhërin për të vrarë përbuzësit e Zotit (Numër.15,31), dhe po ashtu rekomandimin “Askush mos ta vrasë Kainin” me urdhërin e prerë për zhdukjen e plotë të hananeasve? Janë çështje që bashkojnë pashmangshëm fenë me politikën.

Përgjigjja mund të jepet vetëm po të kuptohen mirë detyrat ndaj Perëndisë (të cilat komportojnë edhe ashpërsi) dhe ato ndaj vetes e të afërmit-, që duan vetëm përulësi). Cdo përzierje e tyre, ose më keq, zëvendësimi i tyre, ka pasoja të rënda. Dhe në fakt, populli i zgjedhur (që është i tillë vetëm si ruajtës i porosive) pëson robëri të reja kur i shkel ato, pikërisht si në mbrojtje të tij epidemia e dërguar nga Zoti kishte ndëshkuar egjiptianët paganë.

Eshtë një ndërgjegjësim i ngadalshëm, i dhimbshëm, i mëkatit, dhuratë e mrekullueshme e Perëndisë, kusht i vetëm për një paqe që s’mund të realizohet ndryshe, veçse përmes pendesës së fajtorit dhe ndjesës së të lënduarit, brenda një bote që i zbulohet papërsosja e thellë e shkaktuar nga ky mëkat. Ky ndërgjegjësim kulminon tek akti jetëdhënës i kryqëzimit të Iisu Krishtit. Pa të, pa këtë ndërhyrje të tërëmëshirshme të Perëndisë, bota e lashtë do të mbetej, megjithë shkëlqimin e filozofisë së saj idealiste, një arenë lojërash mizore, ku përjetësisht i forti do të therrte të dobtin nën sytë meditativë të filozofëve. Prandaj, migrimin e atyre pak Judenjve bartës të Lajmit të mirë në Evropën pagane të para dy mijë vjetëve, mund ta krahasojmë, pa frikë teprimi, me një hyrje njomësie bimore në një mjedis të vdekur gjeologjik.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Lekë Tasi