Fatkeqësisht një periudhë e errët po nis të shfaqet në realitetin shqiptar. Në kohën që e gjithë bota mbështetet fuqishëm në sigurimin e pronës dhe në kohën që në projektkushtetutën e Bashkimit Evropian shprehet fuqishëm shprehja “Të respektohet Regjimi i Kishave”, një përpjekje grabitqare po zhvillohet në kurriz të kishës në qendër të Përmetit, kishë, e cila ka pasur një kalvar të gjatë padrejtësish.
Gjykata e Lartë me vendim të dt. 14.10.2003, i jep formën e prerë vendimeve të një gjyqi që për nga forma dhe shpejtësia se si u zhvillua, lë pas një hije të errët dyshimi. Duket që sot organet shtetërore kanë vendosur që të mos ta rehabilitojnë padrejtësinë që ka nisur në vitin 1960, duke rishtetëzuar kishën e Shën Marisë dhe duke e kthyer kështu veten në perëndiluftuesit më të egër që ka njohur historia bashkëkohore. Fatkeqësisht shteti ligjor i së drejtës po vonon të kryejë funksionet e tij kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe në garantimin e lirisë së besimit fetar. Nëse nuk fillohet me kthimin e njeriut tek Perëndia, progresi do të jetë ende larg.
Kisha “Lindja e Hyjlindëses” ose siç e quajnë përmetarët “Shën Maria e Pazarit”, filloi të rindërtohej me kontributin e besimtarëve orthodhoksë të Përmetit në vitin 1929. Kjo përbënte fazën e dytë të ndërtimit të kishës, pasi kisha e vogël ngrihej në qendër të qytetit që prej fillimit të shekullit XVII. Kjo kishë ishte planifikuar të ndërtohej me përmasa të mëdha për kohën dhe sigurimi i fondeve shënonte edhe fazat e tjera të ndërtimit. Kjo kishë, ashtu si të gjitha objektet e kultit, u konfiskua nga shteti ateist.
Drejtësia shqiptare, pas një maratone të gjatë procesesh gjyqësore, vendosi më në fund rikthimin e kishës në fjalë, pronarëve të saj të ligjshëm, orthodhoksëve të qytetit të Përmetit. Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave zbatoi vendimin e Gjykatës së Faktit, Përmet (1996), të Apelit, Tiranë (1997), pa përmendur këtu vendimet e Gjykatës së Lartë apo të Kolegjeve të Bashkuara vetëm më 15.06.2000, pasi më parë, në mënyrë të përsëritur, nuk kishin denjuar të zbatoheshin urdhrat administrative, që vinin nga insitutcionet eprore.
Të flasësh për harmoni midis fesë dhe kulturës dhe të pozicionohesh me sekuestrimin e pronave fetare nga ana e kulturës, do të thotë që po fsheh të tjera qëllime.
Paralelizmi i priftit të kishës me epitete banale nuk është shumë i drejtë dhe kjo nuk ka ardhur nga qëndrimi ynë antikulturor, sepse për shekuj ne kemi luajtur rolin e mbartësve të kulturës dhe të dijes, por, sepse ashtu si e sqaruam, kjo ndërtesë ishte kthyer në një kazino lojërash bixhozi që askush nuk mund t’i quajë kulturë.
Në qarqet kulturore thuhet se në Përmet ka dy kisha dhe nuk nevojitet një e tretë. Duket që ata nuk dinë shumë për Përmetin, sepse aty ekzistojnë tri kisha dhe jo dy dhe se me vënien e kupolave dhe të kryqeve që u rrëzuan nga regjimi komunist ne do të kemi katedralen e bukur në qendër të qytetit, që do të përbëjë fatkeqësisht për ta, kishën e katërt. Dhe kjo nuk do të thotë që në të ardhmen në Përmet nuk do të ngrihen të tjerë tempuj nga orthodhoksët shqiptarë.
Duket e kotë përpjekja e këtyre kulturorëve për t’u kamufluar pas shprehjes “Kishës sonë Orthodhokse”. Eshtë pikërisht autoqefalia e Kishës që vihet në rrezik nga njerëz si ata, sepse një kishë nuk mund të gëzojë kurrë pavarësi ekonomike dhe administrative nëse nuk posedon pronat e saj, nga të cilat do të vjelë të adhurat.
Në protestat tona ne kemi përdorur shprehjen “Stop terrorit ateist”. Megjithëse kjo shprehje bezdis veshët e palës antikishtare, ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi thënë të vërtetën pasi rishtetëzimi i kishës si në vitin 1967, nuk përbën gjë tjetër veçse një nga shprehjet më të egra të terrorit ateist, pjesë e terrorit universal, nga i cili mbrohet e gjithë bota.
Ata që duan konfiskimin e kishës përmendin harmoninë fetare. Si mund të flisni për harmoni kur ju bëni thirrje për ngritje turmash dhe përndjekje ndaj orthodhoksëve. Por kjo nuk më shqetëson, sepse unë e njoh shumë mirë opinionin përmetar, i cili na mbështeti fuqishëm edhe gjatë protestës sonë të fundit, ku disa besimtarë u ngujuan në kreshmë absolute dhe lutje intensive. Si mund të flasësh për një demokraci të vërtetë kur vjedhësit që na rrëmbyen kishën janë hedhur përsëri në sulm? Ju thoni se doni të ruani kulturën, por në fakt ju doni të ruani biznesin fitimprurës të shtëpisë-kazino të antikulturës. A mundet që bixhozi të formojë një brez me kulturë, qytetarë konseguentë dhe elitë të shoqërisë shqiptare? Unë ju garantoj se Ungjilli mund ta bëjë një gjë të tillë.
Për informacion do të doja t’ju thoja se rrënja “kult” e fjalës kulturë që do të thotë “adhurim”, të lidh më shumë me besimin sesa me bastisjen që ju doni të organizoni. Thirrja që ju bëni për luftë antiorthodhokse tregon ankthin tuaj dhe të atyre që ju përfaqësoni. Nga ana tjetër ne orthodhoksët ndihemi të qetë, sepse kemi Perëndinë në krahun tonë, me të cilin asnjë nga ju nuk mund të luftojë dhe se e drejta e pronave të të treja komuniteteve fetare në Shqipëri garantohet në dimensionin ndërkombëtar. Për këtë arsye, nuk ka gjykatë apo urdhër, që të na detyrojë të dalim nga kisha.
Ata që kërkojnë kishën e Shën Marisë së Pazarit në emër të kulturës së qytetit të Përmetit, duhet të dinë se kultura e vërtetë bazohet në respektimin e së drejtës, të së vërtetës historike dhe të lirisë së individit. Të emërtosh kulturë rishtetëzimin e kishave ashtu si në vitin 1967 do të thotë të arsyetosh vetëm si kulturorët e Përmetit. Për fat të keq ju po bëni të njëjtat përpjekje që bëri Enver Hoxha në vitin 1967, duke e pozicionuar presonin tuaj në krye të qarqeve antiorthodhokse në Përmet. Në të vërtetë përpjekjet tuaja dhe të atyre që ju përfaqësoni, nuk synojnë vetëm shkatërrimin e komunitetit orthodhoks, por edhe të kulturës demokratike në Shqipëri.
Të thuash se ndërtesa “është investuar e ndërtuar tërësisht nga shteti në vitin 1962”, do të thotë të mos dish të gënjesh. Pa dashur të përmend ekspozitën, e cila është njohur nga një proces gjyqësor, mjafton të them se edhe me një sy të lirë dallohen anekset e bëra nga shteti me mur me tullë të kuqe dhe me mur guri të keqpunuar, të cilat zënë një përqindje shumë të vogël në krahasim me muret më masive guri të lidhura mirë në kulmet e kishës, ashtu si vetëm mjeshtrit e asaj kohe dinin t’i bënin. Unë ftoj këdo që dëshiron të verifikojë ato që them, të vizitojë kishën tonë.
Unë i njoh kulturorët e Përmetit dhe e di që edhe nga idealet, me të cilat janë brumosur, kanë alergji nga njerëzit me veladonë, të cilët do të donin t’i shikonin nëpër burgje apo të ekzekutuar nga regjimi ateist. Më erdhi keq kur këta njerëz akuzojnë segmentet kishtare se po peshojnë “përfitimet personale”. Nëse mund ta quash përfitim personal shenjtërimin e një kishe, hapjen e një kopshti për 40 fëmijë, ngritjen e një parku lojërash në qendër të qytetit, hapjen e një salle kompjuterash dhe organizimin e një sërë kursesh për moshat e reja, do të thoja se ata kanë të drejtë. Por ama do të desha t’iu kujtoja drejtuesve të “kulturës” përmetare se kishin ideuar të vetmin “aktivitet kulturor”, që konsistonte në organizimin e një kazinoje lojërash bixhozi, që për “kulturë” zbrazte xhepat e të rinjve përmetarë. Përmetarët nuk hezituan ta quanin kazinonë në qendër të Përmetit, “Shtëpia e antikulturës”.
Datat e gjyqeve që përmenden kundër nesh i marr vesh për herë të parë, pasi këto gjyqe janë zhvilluar në mënyrën më të fshehtë në kundërshtim me ligjin, i cili nuk lejon rigjykimin e një çështjeje, e cila ka kaluar nga e gjithë hierarkia e gjyqësorit shqiptar, vetëm në rastin e daljes së provave të reja. Prova fallso e paraqitur nga kulturorët është një dokument që vërteton ringritjen e godinës, gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, dokument që përmban vetëm vulën e një noteri, i cili vërteton njësinë me një origjinal, që nuk ekziston. Por edhe sikur të paraqitet një origjinal, ky nuk mund të jetë i besueshëm, pasi është i njohur botërisht fakti se shteti komunist fabrikonte dokumente të pavërteta që vërtetonin mitet e diktaturës. Kurrë një shkresë që datohet në epokën e gënjeshtrës nuk mund ta rrëzojë atë që shihet shumë pastër nga të gjithë. Çdo ekip ekspertësh kombëtarë apo ndërkombëtarë do të hidhte poshtë letrat e drejtuesve të kulturës, duke u mahnitur me artin e ndërtuesve të kishës, të fshehur nga suvaja komuniste. Në fakt ne së shpejti do ta denoncojmë ekspertizën e paligjshme, që duke gënjyer – dihet se në ndikimin e kujt – arriti të legalizonte konfiskimin e kishës.
Një tjetër argument qesharak i përdorur, argument të cilin e dëgjova në seancë, është se përdorimi i gurit të bardhë hedh poshtë faktin që ka qenë kishë sepse për kishat në zonën e Përmetit, sipas specialistëve kulturorë na u përdorkan vetëm gurë të zinj. Unë mund t’ju tregoj në çdo moment me dhjetëra kisha të vjetra dhe të reja të ndërtuara me gurë të bardhë. Njëkohësisht për informacion më të detajuar, unë mund t’ju tregoj fotografinë e kishës së vjetër të Shën Marisë së Pazarit, ku duken qartë muret e lartësuar me gur të bardhë. Faktet e kota të tyre mund t’i besojnë vetëm ata që nuk janë shumë të informuar për çështjen e Përmetit.
Për ne orthodhoksët ka shumë rëndësi fakti që ta kemi kishën në vendin tonë të shenjtë. Edhe sikur të na jepnin pesëfishin e vendit që kemi në pronësi, ne nuk do të pranonim të largoheshim, pasi trashëgiminë tonë shpirtërore ne e kemi të lidhur me vendin, ku për shekuj i janë drejtuar lutje Perëndisë. Nga ana tjetër, Drejtoria Kulturore, duke përdorur shumën që ne kemi derdhur për të paguar investimet e pakta të shtetit si edhe me një fond shtesë mund ta ndërtojë shtëpinë e kulturës diku gjetkë edhe më të bukur e moderne. Ne besojmë se shteti është aq i fuqishëm sa të mund t’i sigurojë fondet e duhura. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë e konfliktit që nuk do të cënonte asnjë nga palët dhe që do të vinte në vend një padrejtësi 40-vjeçare.