Pranvera e sivjetme erdhi veç me krizë dhe revolta, krisma dhe vdekje. Rryma e prapësisë kulmoi në mbrëmjen e 28 Marsit, kur Deti Adriatik gëlltiti një anije të vogël që largohej nga atdheu me 85 jetë njerëzore në bordin e saj.
Lajmi i kësaj gjëme u përhap menjëherë. Shqipëria e tërë lotoi për ato foshnja, gra e të rinj, viktima të një eksodi të paparë. Shqiptarët kudo në botë u tronditën me këtë tragjedi kombëtare. Me një nyje brenge që u mblidhej në fyt, ata panë në ekran ngashërimin e pangushulluar të prindit 22 vjeçar për familjen e tij të humbur, dëshpërimin e hutuar të pagojë të burrit të moshuar, që u gjet papritmas i panjeri në një breg të huaj, panë atë turmë të çoroditur në portin e Otrantos, të qullur e të dërmuar, që qante seicili nga një ose më shumë të afërt, të fundosur me barkën e cekët, me të cilën kaq çmendurisht i kishin hyrë detit, e ndjenë thellë helmin e patregueshëm, me të cilin ata gatiteshin të përballonin natën e parë në dhe të huaj, pa asnjë të afërm pranë, përveç fatkeqit, që ajo aventurë e papeshuar u kishte prurë përbri, e ndjenë pengun sfilitës që i mundonte për atë, se si u shpëtoi nga dora jeta e të miturve që kishin marrë me vete drejt një mirazhi të rremë.
Sa e fortë bëhet dashuria në këto raste, sa i vërtetë solidariteti njerëzor, edhe pse në distancë. Përfytyrimi i fëmijëve që u ngjiteshin nënave të tyre, duke kërkuar shpëtim atje poshtë në kabinat e ngushta shtrëngoi zemrat e të gjithëve.
Në çdo vatër shqiptare skenat e dëshpëruara, që kushdo mund t’i marrë me mend të ndodhura në atë burg metalik që po fundosej, trishtuan popullin anembanë, duke sjellë dhe një gjë të re në skenën e trazuar dhe kaq të ashpër të muajve të fundit: dhembshurinë. Ajo u përhap si një rrymë tërëbashkuese kudo dhe mbi këdo. Për një çast të gjithë e kuptuam, se siguria mbi të cilën ndërtojmë platforma gjithfarëlloj, pretendime të fryra, madje grindje dhe urrejtje, nuk është veçse një iluzion, që në të vërtetë ushqen e rrit ashpërsinë tonë. Ndërsa është pasiguria, ndërgjegjja e pranisë së vdekjes që na çon në një qëndrim më të butë ndaj njeri-tjetrit.
Sot është Java e Madhe. Kërkesa e të shpëtuarve për të marrë nga deti trupat e të dashurve të tyre, tingëllon me një kuptim të veçantë, të ndjerë thellë. Kanë kaluar disa javë nga ajo ditë e dhimbshme. Mallëngjimi i përgjithësuar, që përfshiu shoqërinë tonë është fashitur, siç është e natyrshme: Ndjenja e dhimbshurisë, disi e pazakonshme për njeriun e ritmit të sotëm, vazhdimisht të preokupuar për diçka, po zbrapset, duke ia lënë vendin një përkujdesje për vete dhe, vetëm ndonjë blitz i ri nga sektori i fatkeqësive e lëkund atë përsëri për pak çaste.
Punët janë kthyer në hullinë e tyre të zakonshme. Ajo valë e kripur si ujët e detit të stërmadh, që mban në gji të vdekurit dhe si lotët e të gjallëve që u rrekën të bashkojnë njerëzit në një drithmë dhembshurie, që t’i rezistojë kohës dhe distancës, po tërhiqet si një zbaticë e pashmangshme, ajo e terur nga zjarrmia e luftës së përditshme për jetesën.
Por, sot është Java e Madhe, dhe ne marrim rrugën drejt Epitafit. Kur përkulemi për të puthur Trupin e Shenjtë të Zotit, plagët e Tij, gjendra e lotëve në brendësinë tonë është më e punuar sivjet nga vitet e tjera. Kështu, ne jemi më të butë, më të gatshëm, më të aftë që ta ndiejmë therjen e sfungjisë në brinjë, gjembat në ballë, uthullën në buzë që munduan Birin e Marisë.
Sivjet do të ketë më shumë nëna shamizeza, që do të ndezin qirinj për të humburit e tyre në det e për të vrarët. Fëmijët që u ngjiteshin nënave për të shpëtuar, klithma e grave kur barka futi ujin e akullt djemtë e rinj, që u ndodhën papritmas të hedhur në mes të valëve, pa mundur t’u vinin në ndihmë të dashurve të tyre, të gjitha këto ne i kuptojmë sivjet, se bëjnë në jetën tonë aktuale dhe e ndiejmë gjithashtu se nuk mund të aspirojmë në një lumturi të veçantë, vetëm të ndërtuar mbi tekat e vetëm “fatit”, pa pyetur për të tjerët.
Domethënës është për këtë, shembulli i Profetit Jona, i cili, për t’i ikur përgjegjësisë ndërmerr udhëtimin në det, por furtuna e tmerrshme i kujton se Zoti është përmbi çdo fat njerëzor. Dhe kështu, ai kthehet tek bindja ndaj vullnetit të Perëndisë. Jemi të gjithë në një barkë, dhe vetëm dashuria, dhimbshuria për njeri-tjetrin na çon në portin e sigurt. Shqipërisë i duhet ky solidaritet sot. Sundimi i gjatë Atheist i bëri njerëzit të ndruhen ndaj njeri-tjetrit, shpesh të luftojnë me njeri-tjetrin, duke fajësuar gjithçka, përveç vetes, dhe janë më të ngopurit ata që ankohen më tepër. Kështu, ndodhi të tilla vijnë për t’u diktuar fajtorët e vërtetë, të cilët duke mos bërë vend fare për tjetrin, bëhen shkaktarë për mbytjen e tij. Dhe kjo psikozë e fitimit të shpejtë, e llotarisë, e lumturisë së veçuar shtrihet kudo, pushton edhe njerëzit e thjeshtë, ata që me punën e tyre kokëulur përbënin në të kaluarën themelin e sigurt të shoqërisë.
Nuk do të pushojë kjo valë e ashpër e përhapur së korruri jetë të pafajshme, në qoftë se nuk do të kthehemi tek Epitafi me barrën në zemër të çdo gjëje të shëmtuar që ndodh përreth nesh. Që ashtu të penduar e të lehtësuar, të ndiejmë gëzimin e vërtetë të Ngjalljes. Atdheut tonë të devijuar kaq gjatë i duhet një Javë e Madhe e vërtetë, për të arritur një ringjallje të vërtetë. Ringjallje të bazuar jo në ligje e institucione të thata, por në ndërgjegjen e duhur qytetare, që është solidaritet dhe dashuri për njeri-tjetrin.
Lekë Tasi