Çaste shpirtërore në Qytetin e Studentëve
Dashuria dhe mëshira e Zotit është e pafund. Ajo shtrihet kudo, shfaqet në format më të ndryshme tek të gjithë, kudo ku e kërkojnë. Bekimi i Tij i mbulon të gjithë ata që e lavdërojnë.
Çdo të enjte, gjithnjë e më tepër, Qyteti i Studentëve fillon të përjetojë fuqishëm dashamirësinë dhe hirin e Zotit. Atëherë, kur sapo gdhihet e ritmi i jetës zgjat gishtërinjtë dhe i prek grupe të rinjsh nxitojnë pranë kinoklubit, në një prej mjediseve të tij. Prej 4 muajsh At Luka dhe të rinjtë besimtarë, ndërsa jashtë sjanë shpërndarë ende copëzat e fundit të natës, kremtojnë “rizgjimin” e jetës së këtij qyteti. Lutjet, falenderimet tek Perëndia, psalmet, e kënduara nga studenti Joan Lena mbushin hapësirën e sallës dhe depërtojnë thellë në shpirtrat e këtyre të rinjve.
Pas Liturgjisë Hyjnore, të tjera çaste të këndshme. Ndërsa priftëresha Fotini përgatit mëngjesin për të gjithë, do të marrin udhë bisedat midis të rinjve e më pas… rifillojnë përplasjet e hapave mbi asfalt, rifillon jeta shkollore. Por tani më ndryshe, sepse shpirtrat e tyre janë plot, sepse e ndiejnë se me vete kanë Krishtin; dashuria e Tij i ka mbushur zemrat e tyre, i ka ndriçuar Drita, rrezet e të cilit i japin jetë gjithë qytetit Studenti.
Naun Mile
Në prag të Kreshmës së Madhe
Agripni në Kishën e “Ungjillëzimit”
Mbrëmja e 23 shkurtit do t’i mblidhte të rinjtë orthodhoksë në një agripni në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Atje, mes tingujve të himneve që mbushnin hapësirën e çanin perden e qetësisë së natës, falenderimeve dhe lavdërimeve tek Perëndia, lutja e të rinjve, që mbushin mjediset e kishës, do të bashkohej me lutjen e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, që ishte i pranishëm në agripni.
Predikimi mbi gjetjen e II dhe të III të kryes së Shën Joan Pagëzorit, që përkonte me të kremten e ditës, e më pas marrja e Kungimit Hyjnor, do të mbyllnin shërbesën e zhvilluar, por tashmë, në orën 2 pas mesnate, të pranishmit largoheshin. Duke marrë me vete bekimet e Perëndisë për fillimin e një dite të re, të cilin Zoti e bëri.
“Shërbesa e faljes” në Kishën e “Shën Prokopit”
Pasditja e të dielës së 25 shkurtit do të zgjonte të tjera emocione tek të rinjtë e mbledhur në kishën e Shën Prokopit. Shërbesa e Mbrëmësores e kryer nga At Luka Veronis, këndimi i “Thirrtoreve” në të Dielën e Faljes, do të shërbente si rikujtim për hyrjen në periudhën e Kreshmës së Madhe. Me mendjen, zemrën, shpirtin në lutjen e Shën Efrem Sirianit “…Vlerësomë o Zot dhe mbret, t’i shikoj fajet e mia dhe të mos e gjykoj tim vëlla” të rinjtë do të krijonin vargun e gjatë, ku gjithësecili do të përkulej përpara çdonjërit, për të kërkuar faljen.
“Me gëzim në virtytet e Shpirtit le të ngulmojmë me dashuri dhe kështu të mund të vlerësohemi të denjë të shikojmë Vuajtjen e Krishtit, Perëndisë sonë dhe me një kënaqësi të madhe shpirtërore të ngremë lart Pashkën e tij të Shenjtë” (“Thirrtoret”).
Dita ndërkombëtare e të rinjve orthodhoksë
“Paraqitja së Zotit në tempull” është një prej të kremteve në Traditën e Shenjtë të kishës sonë, e cila i lind të rinjtë si imazh të pranisë së Perëndisë dhe Hirit të Tij përtëritës. Propozimi për Ditën Botërore të të Rinjve orthodhoksë u bë nga e 14-a Asamble e Përgjithshme e “Syndesmos” në qershor 1992, propozim i cili u miratua pas marrjes së bekimit të Tërëshenjtërisë së Tij, Patrikut Ekumenik Varthollomeu I dhe udhëheqësve të kishave orthodhokse lokale. Në këtë ditë të shenjtë edhe organizata e të rinjve orthodhoksë “Bij të Dritës”, si pjesë e “Syndesmos”, kremtoi me anëtarë të saj në mjediset e kishës së Shën Prokopit në Tiranë. Pas Shërbesës së Mbrëmësores, të rinjtë u mblodhën në një nga mjediset e kësaj kishe, ku zhvilluan një takim me pjesëmarrjen e At Theologut, At Lukës dhe motrës Filothei. Në takim ishte i ftuar edhe z. Jani Llapa, i cili solli kujtimet e tij, si një nga anëtarët e të parës organizatë “Syndesmos”, mbi veprimtaritë e organizatës që në fillimet dhe mënyrën e organizimit të saj.
Në qendrën rinore të Tiranës
Prej rreth 1 viti në kryeqytet funksionon një qendër rinore, me një program të përcaktuar për të rinjtë që mblidhen aty çdo të dielë pas Liturgjisë Hyjnore, si dhe në ditët e tjera të javës, ku përfshihet studimi i Shkrimit të Shenjtë, orët e mësimit të gjuhëve të huaja apo edhe kurset mbi ikonografinë etj. Me gjithë vështirësitë, nga të rinjtë po bëhen përpjekje që kjo qendër të marrë fizionominë e saj të vërtetë. Tashmë, ka hyrë në traditën e saj organizimi i drekave të përbashkëta, ku të rinjtë psalin e diskutojnë, duke kaluar disa orë të këndshme si vëllezër e motra më Krisht.
Nga puna e Këshillit Rinor
Menjëherë pas zgjedhjes së anëtarëve të tij, këshilli i ri rinor i organizatës “Bij të Dritës” filloi punën për përcaktimin e drejtimeve kryesore të veprimtarisë së tij, si dhe për detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të këtij këshilli në drejtim të katekizmit, lidhjes me të rinjtë e qyteteve të tjera, botimet, ikonografinë etj. Tani në qendër të takimeve të këshillit është diskutimi dhe miratimi i projektit të statutit të organizatës “Bij të Dritës”, projekt i bazuar në Statutin e “Syndesmos”, pjesë e të cilës është edhe organizata jonë.
Gjithashtu, vazhdojnë përgatitjet për takimet në qytetin “Studenti”, ku me të rinjtë do të trajtohen tema të caktuara shoqërore, takime të cilat do të vazhdojnë për 8 javë.
Takime mes të rinjve orthodhoksë
Kohët e fundit, një nga drejtimet e punës katekiste që kryhet prej të rinjve, ka qenë organizimi dhe zhvillimi i këtyre kurseve jo vetëm brenda Tiranës, por edhe në qytete të tjera, si Durrësi, Kavaja, Elbasani e së fundi, në Fikas e Joan Vladimir, po të Elbasanit.
Kanë filluar kontaktet me të rinjtë orthodhoksë të qyteteve të tjera, për koordinimin e punës në veprën e përbashkët hierapostolike. Kështu janë organizuar takime me të rinjtë e Durrësit e së fundi një takim tjetër u zhvillua dhe me të rinjtë në Libofshë të Fierit.
Qëllimi i këtyre takimeve nuk ka qenë thjesht njohja me bashkëbesimtarët në qytete të tjera, por kontaktimi dhe koordinimi i punës me ta. Edhe në të tjera qytete po ngrihen këshillat rinore, që do të drejtojnë veprimtarinë e të rinjve.
Faqja rinore u përgatit nga Kristina Hanxhari