EmailFacebookKontakt

Falënderim…

Falënderim dhe Mirënjohje. Këto ndjenja mbërthejnë zemrat dhe mendimet tona në këtë 30-vjetor dhe përgjithmonë.

Me modestinë e tij të njohur, që buron nga bindja e thellë në vullnetin e Perëndisë, Kryepiskopi Anastas nxiti besimtarët pjesëmarrës në Liturgjinë Hyjnore, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, që duke kujtuar nga e nisëm në vitin 1992 dhe duke meditim për rrugën e ndjekur, të falënderojmë për gjithë dhuratat e pasura të realitetit të sotëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ishte një fjalë sa emocionuese aq edhe e thellë në mesazhe e Primatit të Kishës sonë, bariut të urtë dhe atit shpirtëror, me virtyte të rralla, me konsekuencën absolute të fjalës së predikuar dhe të mënyrës së veprimit e të jetuarit. Kjo, në një ditë të hareshme për Kishën, e cila u ringjall nga hiri i persekutimit ateist shumëvjeçar. Se, në fakt, në kisha të tjera do të ishte festa e personit, ndërkaq që për Kishën tonë ky përvjetor është festa e vetë Kishës, sepse aty rinisi ringritja dhe rikonfirmimi i saj…

Fjala e Kryepiskopit pasoi përshëndetjen e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joanit, në përfundim të bashkëmeshimit Sinodik të kryesuar nga Kryepiskopi dhe me pjesëmarrje të Mitropolitit të Korçës; të Gjirokastrës, Dhimitrit; të Fierit, Nikollës; të Elbasanit, Andonit, e të Amantias, Nathanailit, klerikëve të Kryepiskopatës dhe Mitropolive dhe bashkëlutës shumë besimtarë. Mitropoliti Joan e vuri në veçanti theksin se, ndërsa fokusohemi në godina dhe të tjera elemente materiale dhe konkrete, për shkak ndoshta të lehtësisë në konceptim si aspekte të veprimtarisë tridhjetëvjeçare nën drejtimin e gjithëurtë të Kryepiskopit Anastas, dimensioni më i rëndësishëm dhe esencial i pranisë së tij në krye të Kishës dhe veprimtarisë për ringjalljen e saj, është përcjellja e një mesazhi të kulluar Orthodhoks, shpallja e Ungjillit dhe predikimi i nevojës së ripërtëritjes shpirtërore përmes besimit dhe dashurisë në një terren aq të vështirë si vendi ynë. Kryepiskopi ngre infrastrukturë ndërtimore, zhvillon arte dhe kulturë, konkretizon dashurinë përmes nismash në arsim dhe solidaritet social, ofron ndihmë në mirëkuptimin dhe tolerancën… Të gjitha këto bëhen sepse janë mbështetje në qëllimin final të shpëtimit të njeriut!

Kryepiskopi na nxiti ne besimtarët, që të jemi vazhdimisht falënderues ndaj Perëndisë për dhuratën e ringritjes së Kishës sonë, por edhe për gjithë sa shoqërojnë këtë ringritje dhe rigjallërim të saj. Kujtimi i rrugës nëpër të cilën kaloi këta tre dhjetëvjeçarë Kisha dhe komuniteti ynë, është edhe falënderim për sa kontribuuan me lutjen apo dhuntitë e veçanta.

Me bujarinë që e karakterizon, Kryepiskopi Anastas kujtoi në falënderim të ndjerin, Patriarkun Ekumenik Dhimitër, që dëgjoi me dashuri lutjen e besimtarëve Orthodhoksë të Shqipërisë për të rikonfirmuar Kishën e tyre, pasi ajo ishte zhdukur totalisht nga persekutimi, por edhe Patriarkun Ekumenik Vartholome, për iniciativat kanonike, institucionale dhe të mençura në procesin e riorganizimit të Kishës sonë.

Në këtë atmosferë, vjen lutja e posaçme me të cilën Kryepiskopi fton për kapërcimin e situatës vëllavrasëse në Ukrainë dhe për plotësimin e nevojës për mirëkuptim, paqe dhe unitet në Kishën dhe botën Orthodhokse…

“…që të ecni denjësisht për Zotin, për t’i pëlqyer Atij në të gjitha…” (Kol. 1:10)

Pas Liturgjisë Hyjnore, në Amfiteatrin e Qendrës Kulturore të Kishës zhvilloi punimet Asambleja Kleriko – Laike. Veç plotësimit të Statutit të Kishës sonë, thirrja e saj pati edhe karakter jubilar, dedikuar përvjetorit të 30-të të Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas. Në fakt nuk është vetëm festa e Kryepiskopit, por ashtu sikundër me theks të veçantë u tha në Asamble, është festa e Kishës sonë. Nga njëra anë, atje nis ringritja e saj nga themeli dhe në një bazë shumë më të konsoliduar se të mëparshmet e saj historike. Por, edhe sepse është gjithashtu e rëndësishme të nënvizohet, se atje zë fill puna kolosale për riungjillëzimin e popullit Orthodhoks dhe predikimi i besimit në Krisht nga Kisha jonë, si kontribut kuptimplotë për rilindjen e shoqërisë mbarë, në kushtet e lirisë së besimit dhe më në përgjithësi të zgjerimit të kufijve të lirisë në kontekstin e ambicies demokratizuese të epokës.

Kryepiskopi konsideroi se zhvillimi i saj pak “në shkelje” formale të Statutit, është pasojë e masave të përballimit të situatave të Pandemisë Covid-19, ndërkaq që në vetvete Asambleja përbën element thelbësor të jetës kishtare në Shqipëri. Institucionalizimi statutor i pjesëmarrjes së elementit laik, të grave e të rinjve, por edhe sanksionimi i dinjitetit të klerit jo episkopal, është faktor inovacioni të përgjegjshëm shpirtëror – ndërsa ngjan si rregullim administrativ – i guximshëm – i Kryepiskopit Anastas.

Në referatet e përzgjedhura të Mitropolitëve, priftërinjve dhe bashkëpunëtorëve laikë të Kishës, u analizuan me kompetencë, por edhe për argumentim historik të gjithë sa janë realizuar në këta tre dhjetëvjeçarë për Kishën tonë, por edhe për ripërtëritjen dhe përparimin e shoqërisë së mbarë vendit. U referuan tema për punën e kryer për përgatitjen e klerit, studimet e theologjisë Orthodhokse në vendin dhe gjuhën lokale, botimet dhe më në përgjithësi përhapjen përmes mjeteve të informacionit masiv dhe alternative të mesazhit të Ungjillit. Lidhur me këto, u soll gjithashtu përvoja e vyer e grumbulluar lidhur me katekizmin e organizuar përmes qendrave të organizuara shpirtërore në mbarë vendin dhe kampingjet rinore, si një prurje origjinale e frymëzuar, e mbështetur me të gjitha mjetet shpirtërore, literaturë theologjike etj.

Puna kolosale ndërtimore për të ngritur nga themelet kisha të reja apo ripërtërirë ato të trashëguara, për rehabilitimin e gjithë qendrave adhuruese në mbi katërqind enori të Kishës sonë, si infrastrukturë ndërtimore për jetën shpirtërore të besimtarëve, ishte gjithashtu një tjetër temë. Natyrisht, vijnë bashkë me to ndërtimet për nevojat e administrimit të jetës së Kishës, zhvillimit të veprimtarive arsimore, mbështetjes sociale etj. Si edhe lëvrimi i fushave të posaçme të artit e të kulturës kishtare: ikonografi, gdhendje në dru e mermer, arkitekturë bizantine, muzikë etj.

U referuan tema mbi punën dhe kontributin e Kishës sonë, nën kujdesin baritor, por edhe me merakun e mësuesit universitar të Kryepiskopit Anastas, për arsimin si shprehje më konkrete e punës për ripërtëritjen e shoqërisë. Përmes qendrave arsimore të themeluara, të drejtuara nga Fondacioni “Frymë Dashurie”, përmbushet veç të tjerash edhe zotimi në Fjalën e Fronëzimit të Kryepiskopit, se Kisha jonë Orthodhokse ka për të qenë faktor zhvillimi dhe prosperiteti për shoqërinë mbarë. Asambleja konfirmoi edhe njëherë realitetin e bekuar të ringjalljes së plotë, të themelit institucional dhe maturisë shpirtërore të arritur pas 30 vjetësh pune intensive dhe në çdo hap të mençur e të peshuar nga Kryepiskopi Anastas në krye të saj.

Orfea Beci