EmailFacebookKontakt

Falenderim

Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit

Me respekt e dashuri të thellë dhe mirënjohjeje të veçantë ju falenderojmë përzemërsisht për ndihmën e pashprehur me fjalë që ju dhe Kisha e Zotit na ofruat në humbjen tragjike të fëmijëve tanë të shtrenjtë.

Plaga jonë akoma është e hapur. Zemrat tona ende kullojnë gjak dhe sytë tanë përsëri derdhin lot. Por është dora juaj e ngrohtë e plotësisht e hapur që lehtëson peshën e dhimbjes tonë, është shpirti juaj plot dhëmbshuri atërore që i jep ngushëllim shpirtrave tanë të tronditur.

Ndihma e madhe shpirtërore dhe shpenzimet e pallogaritura që ju i dashur Fortlumturi, bëtë për të shtrenjtët tanë (sidomos për Kostandinin e vogël, jetën e të cilit s’mundëm ta shpëtojmë në tokë) na bëjnë ne t’ju ndjejmë njeriun më të afërt dhe më të shtrenjtë të familjes tonë. Gjithashtu në këtë rast ne bindemi më shumë përse biri ynë i dashur At Sotiri e donte aq shumë Shpëtimtarin Krisht. Ne shohim se të vërtetën e Zotit ai e ka parë të shprehur në veprat tuaja sikurse po e shohim edhe vetë ne me sytë tanë.

Përsëri ju falenderojmë me dashuri për përkrahjen tuaj të pandërprerë për nipin tonë të shtrenjtë Kristi dhe shkollimin e tij të ardhshëm.

Nga thellësia e shpirtrave tanë i lutemi Zotit t’ju japë jetë të gjatë e shëndet të plotë për të mirën e ngushëllimin e të gjithë njerëzve nevojtarë në Shqipëri.

Ju puthin dorën përulësisht,
Prindërit e At Sotirit e të Marjanës
dhe të gjithë të afërmit e familjes