Fort i lumtur,
Me rastin e përvjetorit të parë të zgjedhjes e të fronëzimit tuaj si Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, më lejoni që në emër të Këshillit të Përgjithshëm të Kishës dhe në emër të mbarë elementit orthodhoks të Shqipërisë, t’ju paraqes urimet më të ngrohta, t’ju uroj të gëzoni shëndet të plotë dhe jetë sa më të gjatë, që të vazhdoni me fuqi të rritura veprën e deritanishme të rindërtimit e të përparimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Shprehim bindjen se synimet fisnike, tha më pas ai, të paraqitura në fjalimin tuaj programatik të mbajtur para një viti me rastin e fronëzimit dhe që pasqyrojnë një panoramë të mrekullueshme, e cila i siguron Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë një vend të denjë në gjirin e mbarë Orthodhoksisë e të botës kristiane, do të bëhen realitet.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me zgjedhjen dhe vendosjen tuaj në krye të saj, me njohjen tuaj kanonike panorthodhokse e pankristiane, zuri vendin që i takon si kishë motër në gjirin e të gjitha Kishave Orthodhokse të botës me në krye Kishën e Madhe të Krishtit, Patrikanën Ekumenike. Së shpejti ajo do të jetë anëtare e rregullt edhe e Bashkësisë Botërore të Kishave Kristiane.
Nuk mund të kuptohet Kishë pa episkop. S’mund të kuptohet Kishë Orthodhokse autoqefale pa kryepiskop kanonik.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me në krye Juve, një personalitet i lartë, i rangut botëror, me reputacion dhe prestigj të madh teologjik e shkencor, është bërë sot një institucion i fuqishëm shpirtëror i qindra mijë e besimtarëve orthodhoksë që, pas 45-vjetësh, rigjetën rrugën e Kishës e të besimit. Ajo sot nuk mund të injorohet aq lehtë, siç mendojnë disa, pa marrë parasysh pasojat që mund të rrjedhin.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë me ju në krye, mund të japë një kontribut të madh edhe në plan ndërkombëtar, sidomos në lidhjen tonë me Evropën, në të cilën synojmë të hyjmë.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, vazhdoi më tej folësi, ka sot strukturën e saj organizative, me këshilla të zgjedhura në çdo dioqezë e në çdo enori dhe me Këshillin e Përgjithshëm Klerikolaik prej 13 vetësh me ju në krye. Ka shkollën e saj teologjike-hieratike me rreth 100 nxënës nga të cilët një pjesë, mbi 50 veta janë dorëzuar klerikë, dhiakonë e priftërinj, meshëtarë dhe misionarë të parë të Kishës, të gjithë vendas e me studime në vend.
Ka sektorin përkthimeve dhe të kulturës që kujdeset jo vetëm për botimin Dhiatës së Re e gazetës “Ngjallja”, por edhe me përgatitjen për botim të teksteve liturgjikë e katiketikë. Ka sektorin teknik që merret me ringritjen dhe restaurimin e kishave e të manastireve. Gjer më sot janë ngritur dhe restauruar kishat e qendrave kryesore të vendit dhe të mjaft fshatrave. Ka sektorin e asistencës sociale apo “të dashurisë kristiane”, siç quhet në gjuhën e Kishës, i cili, në heshtje e pa reklamë, vepron pa pushim.
Dhe të gjitha këto kryhen dhe mbahen me fonde, jo me llafe. Dhe nxitësi e lypësi kryesor i sigurimit të tyre jeni ju e të njohurit tuaj të nderuar që nuk pushoni së bëri thirrje Kishave Orthodhokse motër të Greqisë por edhe Kishave të tjera, që me gatishmëri i përgjigjen thirrjes tuaj.
Me ju në krye, ajo sot merr pjesë në të gjithë strukturat që bashkojnë Kishën Orthodhokse dhe gjithë konfesionet e tjera kristiane. Ajo sot nuk është e izoluar, siç kishte ngelur gjatë periudhës 1922-1937.
Ja pra cila është sot Kisha Orthodhokse Autoqefale me Ju në krye. Fort i Lumtur! U desh nga ana juaj një punë e madhe, një punë kolosale për të arritur gjer këtu, një punë e cila është vlerësuar dhe vlerësohet nga të gjithë, që nga Presidenti i Republikës e gjer te orthodhoksi më i fundit. Unë do të lejohem të përmend vetëm dy nga këto vlerësime:
Patrikana Ekumenike, në mesazhin e saj të solidarizimit thotë ndër të tjera kënaqësinë e saj të drejtë “për hapat kolosale që janë kryer gjer tani me hirin e Perëndisë në rindërtimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë frymëzon personaliteti i ndritshëm i Kryetarit të saj, Kryepiskopit Anastas.”
Kurse Këshilli Botëror i Kishave shprehet kështu: “Këshilli Botëror i Kishave mbështet fuqimisht punën e kryer nga Fort Lumturia juaj për ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas shumë dekada vështirësish e fatkeqësish. Ne vlerësojmë thellësisht përpjekjet tuaja për t’i krijuar mundësi Kishës të bëhet një element pajtimi, një komponent i rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të pasur dhe në lidhjen e bashkësisë me komunitetet ndërkombëtare”.
Dhe këtë punë, pra, aq të madhe, aq kolosale dhe të vlerësuar aq lart për rindërtimin dhe organizimin e Kishës, ju është dashur ta bëni nëpërmjet vështirësish dhe pengesash, nëpërmjet një lufte të pajustifikuar e të paskrupullt, të bërë nga disa njerëz që, pavarësisht nga emrat dhe pseudonimet që mbajnë, orthodhoksë, katolikë apo myslimanë, të tillë nuk janë dhe as që kanë ide se ç’është feja, ç’është kisha a xhamia, sepse ata janë rritur e edukuar me teoritë ateiste – marksiste të kohës, nga disa njerëz të nxitur nga interesa personale ose politike, të brendshme apo të jashtme dhe nga rryma të ndryshme të huaja, të cilët nuk duan në fakt që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të rindërtohet, të organizohet, të lozë rolin e saj fetaro-kombëtar në shoqërinë shqiptare. Dhe, nën maskën gjoja të mbrojtjes së Autoqefalisë, këto forca të errëta i kanë përqendruar tërë goditjet e tyre kundër personit tuaj të lartë, e e dinë që me largimin tuaj nga Shqipëria, i mbyllin Kishës tonë rrugën e rindërtimit e të përparimit, sepse edhe ata janë të bindur se ju jeni faktori kryesor i sukseseve të arritura në organizimin e saj. Me largimin tuaj ata synojnë ta paralizojnë Kishën dhe t’i hapin rrugë të lirë për të kryer lirisht planet e tyre të errëta.
Pasi theksoi punën e tij Kryepiskopi Anastas ka mbështetjen e Perëndisë, të elementit të shëndoshë orthodhoks dhe ndërgjegjen e karakterin e vet të pastër, z. Beduli e përmbylli fjalimin e tij:
Me këto mendime, bindje dhe shpresa marrim pra pjesë sot në kremtimin e përvjetorit të parë të zgjedhjes dhe të fronëzimit tuaj dhe ju urojmë edhe një herë shëndet të plotë e jetë të gjatë.