Pafundësia e Përdëllimit Hyjnor e shpëtoi nga oqeani i mëkateve të saj. Ajo ishte idhujtare, një prostitutë tepër e famshme dhe ndaj ishte dhe shumë e pasur. Ushtronte veprimtarinë e saj shpirtshkatërruese në Heliupolis të Fenikisë, në kohën e perandorit Trajan (v. 98-117). Por, ndodhi që një natë të dëgjonte një murg, të quajtur German, i cili rastisi në një shtëpi ngjitur, duke lexuar me zë të lartë për Gjykimin e Fundit. U trondit së tepërmi e ndryshoi rrënjësisht.
Murgu e këshilloi që të pagëzohej dhe të shpërndante për lëmoshë pasurinë e saj të paligjshme. Vajza u bind kur, pas një kreshme dhe lutjeje njëjavore, në gjendje ekstaze u ngjit në Qiell dhe aty pa engjëjt duke u gëzuar për pendesën e saj, ndërsa një gjigand i zi protestonte nga jashtë, se i kishin marrë padrejtësisht një njeriun e tij!…
Pas kësaj, ajo u pagëzua nga episkopi i vendit, nëpërmjet të cilit shpërndau edhe pasurinë e saj. Pastaj liroi skllevërit që kishte dhe kështu, pa detyrime, hyri në një shoqëri murgeshash. Më vonë e zgjodhën igumene për shkak të ushtrimit të saj mbinjerëzor dhe spiritualitetit.
Shenjtorja, pas nxitjes hyjnore, ngjalli një ish të dashur të saj, i cili u dënua me vdekje pasi duke u shtirur si murg kishte ardhur për ta risjellë në marrëdhëniet e mëparshme. Kështu, ky i ri iku i penduar. Por, dashnorë të tjerë e akuzuan dhe shpifën ndaj saj tek idhujtarët. Për këtë shënjtarja u mbyll në burg dhe i shqyen brinjët. Ndërsa përpiqeshin ta varnin për ta rrahur fort, i gjetën në trup një kuti të vogël me Eukaristinë Hyjnore. Kur e hapën, doli një zjarr që u shkaktoi vdekjen shumë njerëzve, të cilët i ngjalli Evdhoqia (=favor, hir). Kjo pati si rezultat të besonin shumë, përfshi edhe hegjemonin. Por, pasardhësi i tij dha urdhër dhe i prenë kokën.
Transferimi i lipsanit të nderuar të oshënares Evdhoqia, kremtohet më 4 gusht.