EmailFacebookKontakt

Europa si shpirt

Ky shkrim është fragment i një artikulli të botuar në korrik në gazetën “Bota Shqiptare”, që del në Itali, i cili na u duk me interes edhe për lexuesin e “Ngjalljes”.

* * *

Formula “trashëgimia e përbashkët me domethënie europiane” na shpie me mendje në epokën para ndarjes kishtare, kur në mbarë Europën ishte e pranishme dhe aktive ortodoksia, e cila përbënte edhe për jetën shpirtërore të Perëndimit europian një komponente me peshë. Padija ose informimi sipërfaqësor prej librash shkolle joseriozë mund të na bëjnë sot të mos i njohim ata gati dhjetë shekuj përgjatë të cilëve në Perëndimin europian mund të thuhet se ortodoksia pati zotëruar. Funksionon edhe ky si një tjetër keqkuptim kur bëhet fjalë për “trashëgiminë e përbashkët me domethënie europiane”: një keqkuptim që mund të qesë krye deri te doktrinarë “të largët” si një Huntignton, për të cilët krishterimi ortodoks u ndodhkësh në opozicion me krishterimin katolik, ky nga ana e tij në opozicion me krishterimin protestant etj.

Në rrafshin e përgjithshëm të praktikës fetare doktrina “përplasjesh ndërkristiane” as ngjisin dot ndër ata miliarda besimtarë të krishterë aneskaj Europës: ortodoksë, katolikë, protestantë etj. Më duket ta kem kujtuar njëherë veten time, fëmijë, në një rrafsh të tillë: kur mëma më merrte përdore dhe venim te “të vetët” ose në “kishën tonë”. Me doket e pritjes dhe përcjelljes, për shembull, në ditët “e emrit”, në Krishtlindjet, në Pashkët e Mëdha, në dasmat me kurora që shpesh viheshin nëpër shtëpi, deri te “të shtunat e të vdekurve” me grurë të zier, arra e rrush të thatë. Me emrat e të afërmve tanë që më bënin përshtypje të veçantë: Fani, Gjika, Gjoka, Klimi, Kovi, Leka, Lipi, Margariti, Miha, Mitri, Nasho, Ndini, Ndreka, Pava, Santi, Sandri, Todi, Toma, Tuni, Vlashi, Zaku etj.; por sidomos me emrat bukurtingëllues të femrave: Dora, Eglantina që ishte vajza e dajës e sime ëme, Elena emri i mëmës vetë, Margalina emri i gjyshes, Kasja (Kasjania), Kostanca që ishte një kushërira ime shumë e bukur me flokë të verdhë, Kostandina, Ksena, Mellania, Ollga siç quhej tezja e vdekur që i kishte rënë violinës, Serafina etj. Posaçërisht “kisha” shndërrohej për mua fëmijë në festë të vërtetë. Kremtet “me kisha” lidheshin, atëherë, me kënaqësitë e muzikës bizantine mes erëmimit marramendës të temjanit, me këngën “O Zot, thirra”, me Hymnin Akathist, që këndohej gjithnjë më këmbë, apo me “Meshën e Shën Joan Gojartit” me tre zëra. (Vetëm tani që jam rritur e kam marrë vesh që atë meshë e paskësh harmonizuar për kor mikst në variant modern Kostandin Trako, sikurse kishte harmonizuar edhe “Tetë tingujt”.) Në fëmijëri librat me tituj të habitshëm, si Engolpioni orthodhoks apo Hymnorja me pjesë muzikore të zgjedhura prej Nolit, nuk i merrja vesh.

Tani, “në mend e në shqisa”, njeriu nuk e ka të vështirë të kuptojë se këtu, në Ballkanin ku jetojmë, përkatësia në këtë commonwelth ortodoks është një diçka sa ideale, aq edhe konkrete. Është përkatësi e kushtëzuar nga të ekzistuarit dhe të përvazhduarit e një kulture e cila i tejkalon caqet “fetare”. Atyre që i quajmë “perëndimorë” u ndodh të befasohen që këtu, në rajonin tonë, edhe ateistët ballkanas (nuk po them edhe komunistët) vijojnë t’i respektojnë doket ortodokse: të pagëzohen, të vënë kurorë në kishë, të ngulisin aty dhjatat e trashëgimive ose të dhurimeve, deri edhe shitje-bleijet, të përkujtojnë të vdekurit e tyre, të kremtojnë Krishtlindje, Pashkë dhe Rrëshaja, të varrosen me priftërinj e temjanicë etj. Një paraqitje paradigmatike e kulturës ortodokse, me sa duket, do të ishte organizing i kohës simbas kalendarit të të kremteve fetare. Njëra këtu dhe tjetra atje, të kremtet fetare ritmojnë jetën në Ballkanin ku jetojmë. Ku i krishteri ortodoks, me t’u lindur, mësohet t’i njehsojë unitetet e gjallimit të vet nëpërmjet këtyre ndarjeve ritmi të motit, duke pritur pa durim ardhjen e kremteve që thyejnë njëtrajtshmërinë e jetesës së përditshme të cilat shenjojnë fillimin dhe mbarimin e veprimtarive stinore. Kremte ku puqen njerëz me njerëz, ku familje me familje gëzojnë e pikëllojnë së toku, ku të rinjtë vallëzojnë, njihen, lidhin jetët e tyre: miliona njerëz të thjeshtë e anonimë. Në botën fshatarake, edhe më fort. Ky ritualizim i kohës në kulturën ortodokse ka rrënjë që zbresin jo rrallë te besimet pagane: me shenjtorë që mbrojnë zanatet apo mjeshtëritë e ndryshme, shtegtarët apo lundërtarët, me pajtorë të punëve të stinës, të traditës së të parëve, të të vdekurve dhe të kujtimit të tyre. Deri edhe me “taksën e Karontit”: monedhëzën mes buzëve të të vdekurit para se të mbërthehet arka. Me dhëndër e nuse mbyllur në dhomë tek kafshojnë së bashku kokrrën e mollës, si te riti kushtuar Solonit të lashtësisë. Me vrojtimin e ashtit të shpatullës për parashikimin e luftës a të paqes. Me betimet për qiellin, tokën dhe trupat e tjerë qiellorë. Dhe kështu me radhë. Ndoshta do pranuar që pikërisht kjo hipostazë kulturore e krishterimit ortodoks ‘shpjegon se përse “krizat kishtare”, prej të cilave asnjë shoqëri ballkanike s’është e përjashtuar, nuk vënë në diskutim lidhjen e popullit të thjeshtë mbas “ortodoksisë”. Përfytyroni tani ta ballafaqosh një traditë të këtillë, traditë që skandon me ritet e saj jetën e miliona njerëzve të rajonit tonë dhe përtej, me “keqkuptimin ortodoks” të Huntingtonëve përtejoqeanorë.

Sa i përket traditës së krishterë ortodokse, posaçërisht neve, që jetojmë në këtë rajon, nuk do të na lejohej ta fshinim prej historie kohën kur papë Luani ngadhënjente në Koncilin e Kalqedonisë pikërisht si mbrojtës i “ortodoksisë”; kur në Romë papë si Hormidhasi apo Zosimasi nuk dalloheshin vetëm për emrat e tyre “lindorë”, por edhe për zellin e tyre ortodoks; kur Kisha romane e shekujve V-VII, sikurse ka vërejtur Jorga, “ishte shumë më lindore, shumë më greke nga sa përfytyrohet” (Relations, 38); kur fryma ortodokse do të depërtonte në Gadishullin tonë nga brigjet perëndimore, dhe jo anasjelltas, drejt Kostandinopojës, ku do të imponohej prej një iliri të quajtur Justinian, i pari perandor ortodoks në Bizant që do ta shpallte “besimin e drejtë” në kishën katedrale të Shën Sofisë. Ky Justinian do të mbështeste mbledhjen e një koncili të ri, ku do të konfirmohej më-në-fund ortodoksia e Koncilit të Kalqedonisë e cila e kishte burimin jo te kush tjetër, por te papa Luan në Romë, duke njësuar kështu për të parën herë botën e krishterë. Për të festuar aty ngadhënjimin e doktrinës së tij, ortodoksisë, edhe vetë Papa u pat ftuar në Kostandinopojë. Dhe, në mos ai, vajti aty një mbasardhës i tij, ngase perandori Justinian nuk ishte i kënaqur me kurorën që i vinte një patriark i Lindjes: e donte atë prej duarve të vetë Papës që mbahej asohere si “shef i ortodoksisë”. Papa Gjon u prit në Kostandinopojë gjithë pohe e bujë nga popullsia dhe posaçërisht nga murgjit, të cilëve u pati ngjitur fort doktrina ortodokse e ardhur prej Rome. Me të drejtë Jorga ka vënë re se, në gjithë këtë kontingjencë, “nuk do të jetë Orienti që, nën Justinianin, do të vijë të pushtojë Oksidentin, por do të jetë Oksidenti që, duke pasë krijuar një klientelë në zonën latine të gadishullit të Ballkanit, do të mbërrijë te ky akt i fundit i një restaturimi të madh të pushtimit të Kostandinopojës nën shënjesën e ortodoksisë” (Relations, 39). Kaq në këtë parantezë, mbasi tanimë pranimi në Bashkimin Europian, i parashikuar për 2007-n, edhe i dy vendeve tradicionalisht “ortodokse” si Bullgaria dhe Rumania, pos Greqisë dhe Qipros që janë tanimë aty, do ta skajojë përfundimisht edhe këtë keqkuptim.

* * *

Është thënë dhe pranuar tanimë se asnjë fe tjetër në historinë botërore nuk ka bërë për të varfrit, të dobtit dhe nevojarët aq shumë sa ka bërë krishterimi. Këtë e pohon në Enciklopedinë e tij edhe vetë iluministi i madh frëng D’Alambert, i njohur për orientimin antiklerikal dhe antikishtar (Dawson: The Making of Europe, 93). Do shtuar edhe: asnjë fe tjetër në historinë botërore nuk ka shpenzuar më shumë se krishterimi të holla dhe energji për edukimin e shoqërisë. Është ky motivi për të cilin Spaaku, gjatë përpjekjeve për njësimin europian, ngulmonte në vlerat njerëzore që përçon krishterimi si themelore për qytetërimin tonë.

Nëse qëndrimi njeridashës (filantropik) i Kishës e zë fillin te “predikimi në mal”, kujdesi për edukimin fillon qysh në vetë mbledhjen e besimtarëve. Edhe para se të hartohej një tipikon liturgjik, besimtarët e krishterë lexonin Shkrimin e Shenjtë dhe mësimet e apostujve gjatë kohës kur bënin mbledhjet e tyre, të quajtura qysh në krye të herës eklesia. Leximi i Shkrimit të Shenjtë ishte, pra, strumbullari i jetës kishtare. Kjo doemos nuk qe e vlefshme vetëm për të krishterët. Leximi i Biblës bëhej edhe në sinagoga. Por dallesa e madhe mes mbledhjeve të hebrejve në sinagoga dhe mbledhjeve të të krishterëve në ato që tanimë quheshin “kisha” ishte se të krishterët, në kundërshti me hebrejtë, studionin në shkolla greke. Nuk është i rastit fakti që krishterimi t’u qe predikuar posaçërisht hebrejve të çhelenizuar të disporës dhe që Antiokia të ketë pasur dikur më shumë besimtarë se Jerusalem!. Ky fakt i pati dhënë shkas thënies së famshme për të krishterët e asaj kohe: “Ndiqen prej judejve si të qenkëshin të huaj, ndërsa prej grekëve largohen” (Letër Diognetit, 5, 17): situatë e quajtur e padrejtë duke qenë se hebrejtë mbaheshin për “fis i huaj”.

Situata ndryshoi kur numri i të krishterëve helenë zu të rritej. Historianët e krishterimit nuk e kanë caktuar dot çastin kur ky numër u shtua aq sa të krishterë fisesh të ndryshme dhe popujsh të ndryshëm të mos njëjtësoheshin më me hebrejtë. Por kujtohet fakti që, si Mark Aureli në shek. II, edhe Celsi në shek. III flasin për të krishterët pa i njëjtësuar ata me hebrej. Kundërshtar i krishterimit, Celsi nuk e kuptonte të vërtetën e krijuar rreth tij, ndaj dhe guxonte të mbështeste idenë se “është e pamundur që banorë të Azisë, europianë dhe afrikanë, d.m.th. helenë dhe barbarë, të merren vesh mes tyre dhe të kenë të njëjtën Perëndi” (Origjeni kundër Celsit, 8.72). Rasti i Celsit është paradigmatik: ai nuk e dalloi dot që krishterimi nuk ishte më një fe e Lindjes; nuk vinte re që krishterimi kishte përqafuar frymën helene dhe romane dhe, në vend të qe një “emigrant” në Perandori, e kishte shndërmar Europën në atdheun e vet.

Kur vallë, pikërisht, të krishterët zunë ta quanin kulturën helene “të tyren”? As ky çast nuk saktësohet dot në historinë e krishterimit. Por mund të dallohet se kur perandori Julian Apostati donte t’ua ndalonte të krishterëve të mësuarit e literatures greke (çfarë do të thotë se në kohën e tij kjo gjë ndodhte), Shën Gregor Teologu u pat përgjigjur nëpërmjet një letre drejtuar Perandorit, duke e ironizuar se ai “mendonte për fjalët diçka më shumë se për kuajt”. Letra lë përshtypjen se Patriarku as donte të dëgjonte për këtë urdhër të paarsyeshëm të Perandorit. Arsimimi qe për Kishën e atyre shekujve jo rëndom “arsimim”, por mjet për të krijuar një shtet të përbashkët. Në Bizant ndërtimi i shkollave pati nisur menjëherë, qysh me Kostandinin e Madh; Eusebi i Cesaresë e pati nxitur perandorin të ngrinte shkolla në mbarë Perandorinë (Lavdërim Kostandinit, 11,4,5). Për shkak të kushteve që dihen, ndikimi shpirtëror i Bizantit u përhap drejt Veriut, jo drejt Perëndimit. Është fjala për një ndikim që nuk u zhduk fill me veprimtarinë e Cirilit dhe Metodit, por e ruajti vijueshmërinë, madje duke u mbajtur edhe mbas rënies së Kontandinopojës, ashtu si e ka dëftuar Jorga me tezën e tij magjistrale të “Bizantit mbas Bizantit”: Bizanti si qytetërim që, duke u përhapur, përfshiu brenda vetes trashëgiminë e vjetër helene, të drejtën romane, ortodoksizmin dhe, më së fundi, të drejtën osmane, mbijetoi si frymë formimi edhe mbas “rënies së madhe” (Byzance aprés Byzance, 13.).

(Vijon në numrin e ardhshëm)