EmailFacebookKontakt

Europa si shpirt

Ky shkrim është fragment i një artikulli të botuar në korrik në gazetën “Bota Shqiptare”, që del në Itali, i cili na u duk me interes edhe për lexuesin e “Ngjalljes”.

Nga dr. Aurel Plasari

(Vazhdon nga numri i kaluar)

Po të zgjidhja ndonjë vlerësim sa i përket kontributit të krishterimit në kulturë, do të parapëlqeja atë të pozitivistit frëng Hypolite Taine: “Asnjë fuqi tjetër kulturore nuk mund të matet me krishterimin. Nuk mund të çmohen si duhet e sa duhet të mirat kulturore të fesë së krishterë, e cila ka derdhur në shoqërinë njerëzore butësinë e zemrës, urtësinë e jetës dhe njerëzinë që mban gjallë në vetvete nderin, sqimën, besnikërinë dhe drejtësinë” (Hohoff: Die Revolution, 555). Sa i përket kontributit në shkencat mund të veçohet konsiderata e Emil Dubois-Reymondit: “Sado që disave ky pohim mund t’u duket paradoks, shkencat e reja eksperimentale do t’ia dijnë për meritë fillimet e veta fesë së krishterë”. Kurse sa i përket shpirtërorësisë së qenies njerëzore nuk mund të mos kujtohet admirimi i formuluar prej Montesquieu-së: “Ç’gjë e mrekullueshme! Feja e krishterë, që duket të ketë për objekt vetëm lumturinë e jetës tjetër, na bën të lumtur edhe në këtë jetë” (Esprit des lois, III, 6).

***

Mendimtarët modernë shqiptarë, tipologjinë e të cilëve do ta përfaqësonnin Konica dhe Fishta, patën qenë njëherësh sa ideologë të shtetit modern shqiptar, aq edhe europeistë ante litteram. Në revistën e tij Albania që delte në Bruksel, nën syzën “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë” Konica formulonte shkrimin me titull Një lajmërim i shkurtër muhamedanëve. Duke i paralajmëruar ata për krijimin e mundshëm të një shteti shqiptar, me një frymë të hapur civile ai u bënte thirrje bashkatdhetarëve të tij ta llogarisnin krijimin e një shteti modern shqiptar pikërisht në perspektivën europiane. Me stilin e vet të prerë, i përmblidhte kështu porositë e veta: “1) Osmanllinjtë në pakë vjet do të dëbohen nga Evropa; 2) Shqipëria, e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë përjashta, do të ndahet; 3) Shqiptarët muhamedanë do të dëbohen duke humbur mallin dhe kamjen; 4) Osmanllinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dëbuar; 5) Në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të ktheheni te feja e stërgjyshërve t’uaj, a të mbeteni muhamedanë, por duke u lidhur me aqe vërtetësi dhe zemrë me të krishterët nga gjaku juaj, sa t’i jepni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishterë” (Albania, nr. XII, 1909). Dhe, si i argumentonte pohimet e veta, përfundonte me këshillën: “Mejtohuni për këto që ju thom, se s’janë përralla”. Vizioni i qartë i Faik beut, me emër të pagëzimit Domenik, mbi këtë perspektivë të shtetit shqiptar në kontekstin europian spikat edhe në një mesazh të tijin të 4 dhjetorit 1912. Ndërsa në Vlorë ish-deputeti i Parlamentit turk Ismail bej Qemali shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe organizonte një qeveri të parë (të përkohshme) të shtetit shqiptar, në emër të Federatës së Shqiptarëve të Amerikës Konica, si leader i kësaj federate, shkruante: “Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” i dërgon urime të nxehta ngjarjes që do të mbetet e kujtueshme. Lutemi, me këtë rast, të mos e bëni Shqipërinë një shtet oriental si Khiva, Bukharaja, Afganistani, Tunizia etj. Mbani për ideal një Shqipëri si Norvegjia, Danimarka, Holanda, Belgjika. Prandaj duam më mirë një princ prej një familjeje mbretërore europiane, i cili të na lidhë me traditat oksidentale” (Nosi: Materiale, 86). Pati qenë një mesazh mjaft i diskutuar prej të parëve shtetarë shqiptarë mbledhur në atë moment historik në Kuvendin e Vlorës, ndonëse mandej mesazhi u injorua ose u mbajt në heshtje. Do të mjaftonte të vihej re se, në përmbledhjet me dokumente të botuara gjatë periudhës së diktaturës mbi pavarësinë e Shqipërisë ose veprimtarinë e Qeverisë së Vlorës, ky mesazh është përjashtuar.

Nga ana e tij, prej Kuvendit franceskan të Shkodrës, ishte Fishta që u dëftonte shqiptarëve dallesat mes një qytetërimi dhe një tjetri, si dhe mes një kulture dhe një tjetre. Duke u nisur nga fakti që kultura është produkt i shpirtit njerëzor, ai dëftonte se si këto dallesa nuk mund të burojnë veçse prej ndryshimeve që ekzistojnë në mendësitë e popujve të ndryshëm. Ai saktësonte konkretisht dallesat mes sistemit kulturor “aziatik” dhe kulturës europiane, duke ngulmuar në specifikat e saj, sikurse bënte në artikullin me titull sugjestionues Kur do t’bashkohen shqyptarët, shkruar tetëdhjetë e ca vjet më parë. Me idetë e tij a thua se Fishta paraprinte ideologjinë e kancelarit gjerman Adenauer, i cili thoshte: “E quanim si qëllim të politikës sonë të jashtme bashkimin e Europës, sepse është mundësia e vetme për të ruajtur qytetërimin tonë, europian dhe kristian, kundër tërbimit totalitar”. Në një tjetër artikull, të vitit 1923, mbasi shpjegonte se si Kisha me idealet e saj pati mbrujtur cementin e themeleve të qytetërimit europian, Fishta lëshonte sfidën: “Nxirr, po, prej muzejve ma të mdhej e ma të permendun t’Europës shka dalta gdheni e peneli ravizoj mbas atij ideali të Kishës, e aty s’ka me mbetë tjeter veç muret e thata e do statuje të cungueme t’Akropolit a të Forit romak” (Hylli i Dritës, 1923, 199).

***

Kur themi që Europa paraqitet si prodhim i krishterimit, si pasuri kulturore e përftuar prej identitetit të përbashkët, arsimimit të përbashkët dhe një konceptimi përbashkësor, komunitar, që Kisha u ofroi të gjithë fiseve e popujve, kjo afërmendsh nuk nënkupton që Europa të jetë lindur si rrjedhojë e ndonjë vendimi. Ky “prodhim” zinte fill, në mënyrë gati të padallueshme, tek ajo bashkësi të re e fillimeve të krishterimit: bashkësi e re me një stil të ri jetese. Por bashkësi e udhëhequr nga një besim i patundshëm. Nga besimi në faktin që Zoti i tyre ishte i gjallë në qiell dhe që, s’andejmi, u printe në çdo hap të jetës, deri në çastin kur do të kthejë për të rivendosur “regjëninë” e vet të pambarim. Ky besim “revolucionarizoi” mbarë jetën e shoqërisë së atëhershme. Kështu Kisha e krishterë, njëherë e përsyshur e përfolur e përndjekur, mbijetoi duke u rritur e ngritur pikërisht falë asaj “turme të vogël” prirë nga Bariu i Madh që u pati premtuar mbretërinë e vet. Dhe të krishterët janë të bindur se historia e kaluar, e tanishme, si dhe e ardhme do të jetë prova që Ai i mban premtimet.

Pa qenë rrjedhojë e ndonjë vendimi, Europa është rezultati i një ecjeje të gjatë nëpër histori. Që ecja nuk qe gjithmonë e lavdërueshme, gjithmonë e shkëlqyeshme? Kjo shihet. Që Europa nuk i ka ofruar botës vetëm përparimin e dijeve, por edhe përndjekjen e mendimit të lirë; që nuk i ka sjellë vetëm të Drejtat e Njeriut, por edhe Holokaustin; që ajo nuk ka frymëzuar vetëm realizimin e revolucioneve industrial dhe të informatikës, por ka imponuar edhe shpërfytyrimin e natyrës në emër të pasurisë materiale, prishjen e burimeve, ndotjen e atmosferës çtj.? Edhe këto dihen. Porse fakti që nuk mund të vihet në dyshim, dhe as mund të fshihet, është që Europa u lind në oborrin e Kishës. Tani që nga çdo anë po përpiqen ta bashkojnë, do të ishte me vend të mbahet parasysh që ajo u pat lindur në atë oborr me objektivin e unitetit të saj, ideal që e braktisim nëse ndjekim ideologjitë politike apo “interesat ekonomikë”. E braktisim nëse e thjeshtojmë unitetin në çështje kufijsh, doganash, autostradash. Dhe e braktisim nëse harrojmë vërejtjen klasike të Goethes. E braktisim gjithashtu nëse, edhe në rrafshin politik, shpërfillim faktin që patën qenë pikërisht partitë me frymëzim të krishterë ato që promovuan të parat një vizion “europian” të problemeve. Do të ishte si të ndërtonim një “Europë pa europianë”.

Po të jetë se ndokujt në ditën e sotme ia cënojnë veshin si “anakronikë” termat krishterim apo i krishterë, Kishë apo kler etj., le t’i bartë ato në një hipostazë tjetër më universale: në atë të konstruksionit europian si realitet shpirtëror transcendent, në kërkim të një shpirtërorësie për Europën e kuptuar si frymëzim ardhur prej së larti, sikurse i ka bartur, fjala vjen, një Vaclav Havel a thua për t’iu përgjigjur thirrjes së njërit prej themeluesve të saj, Robert Schumanit: “… duhet një shpirt”. Në përfundim të njërit prej fjalimeve të tij, në të cilin bënte fjalë për perspektivën e vendit të vet në bashkësinë europiane, Haveli kujtonte: “Europa duhet të fillojë nga vetja e vet. Në përputhje me traditat e saj më të mira shpirtërore; ajo duhet të respektojë rendin sipëror kozmik që na tejkapërcen dhe gjithashtu rendin moral si rrjedhojë e tij. Thjeshtësia, dashamirësia, mirësjellja, respekti për atë çfarë nuk e kuptojmë, ndjenja e thellë e solidarësisë me të tjerët, nderimi ndaj çdo tjetërsie, vullneti për të bërë flijime ose veprime të mira të cilat vetëm amshimi do të na i shpërblejë, ai amshim që na vëzhgon, qetë-qetë, nëpërmjet ndërgjegjes sonë: ja po aq vlera që do të mundej dhe do të duhej të ishin programi i konstruksionit europian. Misioni më i madh që e pret Europën do të ishte të përpiqet të dëftojë, nëpërmjet vetë ekzistimit të saj, se është e mundur t’i kundërvihemi rrezikut të madh që bën të pluskojë mbi botë qytetërimi i saj plot me kundërshti.

Në përmbushjen e këtij misioni, po shtoj unë, njerëzit e kulturës të Europës, njerëzit e saj shpirtërorë, janë të thirrur të marrin mbi shpinë barrën që u takon. United i Europës nuk do të mund të mbahet gjallë, as nga ana e të njëzetepesëve që duken sikur janë “brenda” dhe as nga ana e atyreve që duken sikur janë “jashtë”, nëse Europa lihet në mëshirën e ideologjive politike. Aq më pak do të mund të mbahet gjallë ajo nëse do të lëshohet në duart e “interesave ekonomikë”. Duke nisur prej idealeve të “etërve” të dikurshëm të saj dhe duke përfunduar te pengesat jo të pakta të realizuesve të saj të sotëm, është i qartë mësimi se një Europë e bazuar në presione dhe në koncesione nuk do të ekzistojë. Ata që dëshirojnë vërtet një Europë, do të duhet të marrin edhe përgjegjësinë e kësaj Europe, të mbajnë përsëri si ideal unitetin e popujve të saj. Do të duhet atëherë të pranohet, si në Kushtetutën e saj, ashtu edhe në jetën e saj politike, të përditshme e ndoshta edhe të rëndomtë, se kur thuhet Europë flitet për një kulturë, për një shpirt të caktuar, një shpirt që ka për at krishterimin dhe se ky shpirt i Europës duhet ruajtur, ashtu si dhe trupi i saj.