EmailFacebookKontakt

Etërit për Kreshmimin

Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë… t’i lësh të lirë të shtypurit…. A nuk qëndron vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq…

Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të paraprijë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: “Ja ku jam!”
(Isaia 58:3-9)

…në kreshmim njeriu nuk duhet vetëm të bindet ndaj rregullit kundër grykësisë në lidhje me ushqimin, por të frenohet nga çdo mëkat, kështu që, ndërsa agjëron, gjuha të agjërojë gjithashtu, duke u frenuar nga shpifjet, gënjeshtrat, keqfolja, poshtërimi i vëllait, zemërimi dhe çdo mëkat i kryer nga gjuha. Një duhet të agjërojë, gjithashtu, nga sytë, domethënë, të mos shohë gjëra të kota… mos të shohë asnjë pa turp e pa ndrojtje. Duart e këmbët duhet të ruhen, gjithashtu, nga çdo veprim i keq.
(Aba Doritheus, shek VI, Drejtime në Stërvitjen Shpirtërore)

Kështu një njeri që përpiqet për shpëtimin… nuk duhet ta lejojë veten të hajë në ngopje… por duhet të hajë nga të gjitha llojet e ushqimeve që nga njëra anë të shmangë krenarinë mburrëse dhe nga ana tjetër të mos tregojë përbuzje për krijimin e Perëndisë, që është më i shkëlqyeshmi… Ky është arsyetimi i atyre që janë të mençur.
(Shën Grigori i Sinait, Instruksione Hezikastëve)

Shën Isaak Siriani thotë:
“Ushqimi i varfër në tavolinën e të pastrit e pastron shpirtin e atyre që pjesëmarrin nga të gjitha pasionet… sepse puna e agjërimit dhe e agripnisë është fillimi i çdo përpjekje kundër mëkatit dhe epshit… pothuaj të gjitha pasionet pakësohen nëpërmjet agjërimit.”

Sepse etërit e shenjtë na mësuan të jemi vrasës të pasioneve e jo vrasës të trupit. Merr pjesë në gjithçka që lejohet me falënderim, për lavdinë e Perëndisë e për të shmangur arrogancën mburravece; po frenohu nga çdo teprim.
(Murgjërit Kalistos e Ignat, shek. XIV, Porosi Hezikastëve).