EmailFacebookKontakt

Etërit e kishës për priftërinë

Një herë një vëlla e pyeti Aba Pimeninin: “Duhet unë t’i urdhëroj vëllezërit që rrojnë me mua?” Aba iu përgjigj atij: “Jo. Para së gjithash bëje tërë punën vetë dhe, nëse ata duan të jetojnë, ata do të kenë kujdes për veten e tyre.” Vëllai i tha përsëri: “Por ata vetë duan që unë t’i komandoj.” Aba iu përgjigj përsëri: “Jo. Bëhu modeli i tyre dhe jo legjislatori i tyre”.

Shën Jermanoi i Konstandinopojës: Disa dijetarë e interpretojnë petrahilin që varet ne qafën e priftit të paraqesë, jo vetëm shenjën e hirit të Perëndisë që derdhet mbi të, por dhe shumë shpirtra që varen e ngjiten për shpëtimin shpirtëror, shpirtra për të cilët ai është përgjegjës para Zotit. Për këtë arsye, petrahili fillimisht bëhej prej leshi, që të simbolizonte delen, anëtarët e grigjës së Krishti, për të cilët prifti është përgjegjës.

Shën Joan Gojarti: duke folur për priftërinjtë, thotë: “Ai (Krishti) na ka lënë ne në tokë që ne të bëhemi rreze drite dhe mësonjës për të tjerët, të veprojmë siç vepron majaja në brumë, të ecim ndërmjet njerëzve si ëngjëj, të jemi tek të rriturit si fëmijë dhe si njerëz shpirtërorë tek njerëzit kafshorë, që të mund të fitojmë mbi ata dhe të bëhemi si farë dhe të japim fruta të bollshme. Nuk do të kishte nevojë për predikim, nëse jetët tona do të ndriçonin, nuk do të kishte nevojë për fjalë, nëse dëshmonin me veprat tona. Nuk do të kishte asnjë pagan, nëse ne do të ishim të krishterë të vërtetë.”

Shën Joani i Kronshtadit: Prift, ti je përfaqësuesi i besës dhe i Kishës, ti je përfaqësuesi i vetë Zotit Jisu Krisht. Prandaj ti duhet të jesh një shembull përulësie, pastërtie, kurajoje, qëndrueshmërie, durimi dhe lartësimi shpirtëror. Ti po bën punën e Perëndisë dhe nuk duhet të mungojë kurajoja para askujt, duhet të kujtosh gjithnjë që puna jote është më e lartë se gjithçka njerëzore.

Shën Tikoni i Zadonskut: i drejtohej priftërinjve të tij kështu: “Biri i Perëndisë përuli veten e Tij për ju – a mund të jini krenar? Biri i Perëndisë mori frymën e një shërbëtori – a mund ju të dëshironi të sundoni? Ai erdhi si i varfër – a mund ju të vraponi pas pasurisë? Ai nuk kishte asnjë vend ku të vendoste kokën – a mund të kërkoni ndërtesa të bukura? Ai pranoi çnderimin – a mund ju të përpiqeni për ndere? Ai lau këmbët e nxënësve të Tij – a mund ju të turpëroheni pse po i shërbeni vëllezërve tuaj?”