EmailFacebookKontakt

“Eshtë një njeri me besim kristian të çiltër”

– Mitropoliti Theodhos flet në Këshillin e Arqidioqezës shqiptare të Kishës Orthodhokse të Amerikës –

Në ligjëratën që Fortlumturia e Tij, mitropoliti Theodhos, mbajti në Këshillin e Arqidioqezës shqiptare të Amerikës, në katedralen e Shën Gjergjit, Boston, Massachussetts, më 15 korrik 1994, një ndër tre çështjet që trajtoi ishte edhe ajo “mbi situatën e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë”, si edhe mënyrat e bashkëpunimit më të mirë, “për të mbështetur sa më mirë që të jetë e mundur Kishën Orthodhokse në Shqipëri, pa ndërhyrë në jetën e saj të brendshme”.

Pas referimit me vështirësitë, të cilat përballon sot Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe ndihmës që duhet t’i ofrohet, gjithmonë “me qendër Krishtin dhe Ungjillin”, Mitropoliti theksoi se, në mungesë të kandidatëve shqiptarë për episkopë, “ishte nevoja që të dërgohej një person me reputation, për të hedhur themelet e ringjalljes së një Kisheje autentike shqiptare në Shqipëri”, dhe duke vazhduar për zgjedhjen e Kryepiskopit dhe dyshimet dhe tensionet e stimuluara, Mitropoliti Theodhos theksoi:

“Kryepiskopi Anastas, me të kaluarën e tij të padiskutueshme, si episkop me përvojë, misionar i provuar dhe edukator i talentuar, plotëson në një mënyrë, që pak të tjerë do të mundnin, nevojat e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në ringjallje. Për më tej, duhet të shtoj se Kryepiskopin Anastas e njoh për shumë vite. Përvoja ime personale më ka treguar se ai është një njeri me besim kristian të çiltër dhe angazhim misionar të sinqertë. Për mua kjo do të thotë se qëllimi i tij është dhe duhet të jete që të ndërtojë Kishën Orthodhokse Shqiptare për misionin e saj në Shqipëri dhe për Shqipërinë”.

Duke folur për interesa etnike greke që mund të ekzistojnë në zemrat dhe axhendat e disa njerëzve, mitropoliti shprehu bindjen e tij se “nuk është e arsyeshme që qëllimet, motivacionet dhe axhendat që mund të kenë të tjerët, t’ia atribuosh Kryepiskopit Anastas”.

Përfshirjen e emrit të kryepiskopit Anastas midis emrave të udhëheqësve të Kishave Orthodjiokse që përmenden në Liturgjinë Hyjnore, që u bë nga Mitropoliti Theodhos dhe që u aprovua nga Sinodhi i Shenjtë i Episkopëve të Kishës Orthodhokse të Amerikës (OCA), Mitropoliti Theodhos e cilëson “të domosdoshme dhe të drejtë”, ndërsa në përgjigjet e reagimeve negative, që pati midis udhëheqësve klerikë dhe laikë të Arqidioqezës shqiptare, në përgjigje ai tha: “Qëndroj para jush të jap dëshmi të bindjes sime, si i krishterë orthodhoks, si episkop i kësaj Arqidioqeze dhe si Primat i Kishës Orthodhokse të Amerikës, se kamë vepruar sipas ndërgjegjes sime, sipas betimit tim si episkop, sipas kuptimit më të qartë të postit tim si primat”, për të vazhduar se krahas motiveve “të forcimit të Kishës Orthodhokse në Amerikë dhe të Kishës Orthodhokse në Shqipëri”, “bindja ime është se Arqidioqeza Shqiptare dhe Kisha Orthodhokse në Amerikë, duhet të përiqen të fuqizojnë shërbimin e ndërmarrë nga Kryepiskopi Anastas, për të ndërtuar Kishën e Shqipërisë, pas dekadash vuajtjeje”.

Në lidhje me aktivitetin e Komitetit Ad-hoc për çështjen shqiptare, që përbëhet nga At A. Liolin, At M. Sotir, z. Anton Athanas, z. Tom. Sotir dhe z. Sejfi Protopapa, Mitropoliti Theodhos theksoi se: “Eshtë koha që të hapen dhe “të gjithë ne të vihemi në dijeni të mendimeve dhe veprimeve të ndërmarra në emër të Kryepiskopatës. E gjeta shumë të habitshme kur zbulova se kancelari i Arqidioqezës shoqërohej edhe nga një prift tjetër i saj, në një vizitë të fundit në Shqipëri. Kancelari më kish informuar për planet e tij për të shkuar në Shqipëri, në përgjigje të një ftese nga Presidenti i Shqipërisë, por nuk dija asgjë për planin e udhëtimit të klerikut tjetër. Një prift nuk kryen veprime të tilla pa dijeninë e Kryepiskopit të tij”.

Ndërsa në konkluzionet e takimit ndër të tjera si “Primat dhe Episkop” Mitropoliti tha se beson që një delegacion i vogël duhet të vizitojë së shpejti Shqipërinë. Ky duhet të bëhet nga At Liolini, 1-2 të tjerë nga Kryepiskopata, At Robert Kondratick dhe At Leonid Kishkovsky, nga administrata e Kishës Orthodhokse të Amerikës. “Vizita zyrtare e delegacionit në Shqipëri, theksoi Mitropoliti, duhet të jetë e bazuar në premisën se në atë kohë Kryepiskopi Anastas udhëheq Kishën e Shqipërisë dhe ne e mbështesim në shërbimin e tij”.

Në pyetjet pas ligjëratës, zoti Tom Sotir e pyeti Mitropolitin Theodhos, se përse duhej ftuar Kryepiskopi Anastas, Primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të vizitojë Kishën Orthodhokse të Amerikës, dhe mori përgjigjen: “Si mund të mohoj unë Kryepiskopin Anastas, të zgjedhur nga besimtarët orthodhoksë shqiptarë dhe të njohur nga gjithë orthodhoksia në botë?”

Ndërsa folësi tjetër, z. Sejfi Protopapa, i cili filloi fjalën e tij me një gjuhë të ashpër duke akuzuar Mitropolitin Theodhos, se duke njohur një dhespot grek si udhëheqës të Kishës Shqiptare, tradhëtoi shqiptaro-amerikanët dhe vazhdoi me ofeza të tjera. Fortlumturia e Tij Theodhosi, në këtë moment, u ngrit në këmbë e tha: “Jam këtu si dhespot i Kishës Shqiptare në Amerikë dhe nuk do të lejoj të fyhem nga një mysliman” dhe u largua nga salla.