EmailFacebookKontakt

Eshtë ende pak

Në disa numra të “Ngjalljes” u bë apel për të sensibilizuar besimtarët që të bashkëpunojnë me gazetën, veçanërisht për pasqyrimin e ngjarjeve dhe të historisë së Kishës tonë Orthodhokse. Përgjigjet nuk munguan, madje, edhe nga njerëz mjaft të thyer në moshë, të cilët i kanë jetuar ngjarjet si dëshmitarë. Por, kaq nuk mjafton. Eshtë ende shumë pak.

Eshtë ende pak, sepse duhet përpjekur shumë për të rikuperuar atë thesar dijesh e përvoje, dhe faktesh, që rrezikon të humbasë bashkë me ata protagonistë që tjetën në këto vite pas rihapjes së kishave, të cilëve nuk arritëm apo nuk ditëm t’i ndihmonim për të na e dhënë. Por, një pjesë e kësaj pasurie ende nuk ka humbur. Ajo ndodhet në rafte e depo të shtëpive të tyre apo të miqve, dhe ne e kemi për detyrë që t’i rijapim jetë.

Eshtë ende pak, sepse nëpër arkiva e biblioteka flenë pasuri të paçmueshme të bllokuara për dekada, të cilat ende nuk kanë mundur t’i njohin besimtarët dhe gjithë populli. E kemi për detyrë t’i hulumtojmë e t’i botojmë për Kishën dhe publikun e gjerë.

Eshtë ende pak, sepse ka akoma dhjetëra e dhjetëra njerëz, që kanë dhënë me përulësi një kontribut të veçantë për kishën tonë edhe në momentet më të vështira, të cilët modestia e të krishterit nuk i lejon të flasin. Eshtë detyra jonë, e a tyre që i njohin, që ta bëjmë të ditur për të gjithë, kontributin e tyre në mbrojtje të fesë.

Eshtë ende pak, sepse nuk është vjelur sa duhet potenciali i jashtëzakonshëm kulturor i intelektualëve orthodhoksë, mendimi i të cilëve duhet të zërë gjithmonë e më tepër vend jo vetëm në faqet e gazetës, por në të gjithë jetën shpirtërore të Kishës, sepse tradita e saj ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me kontributin e njerëzve të ndriçuar nga Perëndia.

Eshtë detyrë e dorës së parë që të mos lejojmë të na shterojë kujtesa jonë historike. Krishtërimi orthodhoks, dymijëvjeçar në trevat shqiptare, ka një trashëgimi të pamatë e të paçmuar, që ka shënuar thellë gjithë historinë tonë. Por, që kjo trashëgimi të njihet e të shërbejë si burim krenarie e edukimi për brezat më të rinj, duhet që ata, që mbartin në kujtesën dhe raftet e tyre grimca të saj, sado të vogla, t’i nxjerrin në dritë, që të shkëlqejnë me gjithë ndriçimin që u jep besimi ynë.

Korresp. i “Ngjalljes”