Nga z. Ilirjan Gjika
Gjatë periudhës antike, Foinika konsiderohej si kryeqendra e Kaonisë dhe një ndër qytetet më të rëndësishme të shtetit të Epirit, e cila gjatë viteve 234 pr.K. -167 pr.K. do të shërbente edhe si kryeqytet i Lidhjes Epirote.
Rrënojat e saj, të shpërndara mbi një kodër me lartësi 290 m, ndodhen pranë Finiqit të sotëm, në largësi 9 km nga Saranda. Si qytet, Foinika funksionoi nga shek. V pr.K. deri në mesjetën e hershme. Në kohën e shkëlqimit të saj kishte një sipërfaqe prej 57 ha, mure rrethuese me gjatësi 5 km, si dhe një akropol, tempuj, teatër, gjimnaz, ndërtime me karakter publik dhe privat, nekropol, monedha etj.
Si pjesë e shtetit të Epirit, Foinika pati ndikim të rëndësishëm në shumë ngjarje të kohës, të cilat gjejnë pasqyrim të gjerë në tekstet e autorëve antikë. Pas vitit 167 pr.K., ajo, do të përfshihej në organizimin e brendshëm të shtetit të Romës, kurse me reformën administrative të Dioklecianit, në fund të shek. III, do të bëhej pjesë e provincës së Epirit të Vjetër.
Si një rrugëkalim i rëndësishëm dhe qendër urbane, Foinika luajti një rol të rëndësishëm për rajonin edhe gjatë antikitetit të vonë. Sipas Guidës së Hieroklit të viteve 527-528 – një manual udhëtimi për nëpunësit perandorakë – ajo ishte një ndër 12 qytetet kryesore të Epirit të Vjetër. Foinika ishte edhe një nga qytetet e rindërtuara nga Perandori Justinian në shek. VI, për të cilin biografi i tij, Prokopi i Qesarisë, na jep edhe një shpjegim të hollësishëm. Si qytet me rëndësi të veçantë, ajo do të shndërrohej në një prej qendrave të Krishterimit të hershëm në këtë rajon. Një fakt të tillë e dëshmojnë aktivitetet e shumta që zhvilluan episkopët e saj në shek. V-VI. Dokumentet historike tregojnë pjesëmarrjen e episkopit Peregrin në Sinodin Ekumenik të Efesit, në vitin 431 dhe atë të Kalqedonisë, në vitin 451. Një tjetër episkop, Valeriani, përmendet në letrat e papës Leoni I në vitin 458, ndërsa episkopi Filip në letrën e papës Hormisdas, në vitin 516. Pikërisht ligji i nxjerrë nga perandori Zenon (474-475), ku: “…çdo qytet… të ketë me çdo kusht një episkop të vetin…”, gjen pasqyrimin më të mirë në këtë zonë, ku përveç Foinikës, episkopata të tjera ndeshim edhe në Ankiazmë, Butrint dhe Adrianopolin fqinj.
Siç duket, kjo episkopatë funksionoi deri në mesin e shek. VI, shekull që shënoi nisjen e rënies së saj nga një sërë faktorësh, fizikë dhe humanë, që zunë fill me murtajën në vitin 540. Kjo u pasua nga invazioni i gotëve të drejtuar nga Totila, në vitin 551, të cilët plaçkitën dhe shkatërruan disa prej qyteteve të provincës së Epirit të Vjetër. Ndërkohë, një tjetër valë shkatërrimesh sollën edhe mësymjet e sllavëve në vitet 586-587.
Kështu, qyteti u braktis dhe u shndërrua gradualisht në një vendbanim të thjeshtë rural dhe, bashkë me të, humbi edhe shkëlqimi i monumenteve të kultit, mes të cilave renditet edhe bazilika paleokristiane. Një fakt të tillë e dëshmon zhvendosja e selisë nga episkopi Efstahi në vitin 568 drejt Mesopotamit, me emrin e ri: Episkopata e Foinikës dhe e Mesopotamit. Dëshmi të zhvillimeve të kësaj kohe janë edhe rrënojat e kompleksit kishtar të Foinikës, për të cilat arkeologët mendojnë se kanë shërbyer si qendra të dikurshme episkopale. Rrënojat e këtyre objekteve u zbuluan fillimisht nga z. Luixhi Ugolini, gjatë gërmimeve arkeologjike të zhvilluara në vitet 1926-1927. Gjatë viteve 2006-2007, pas një periudhe të gjatë kohore, nën drejtimin e arkeologëve italo-shqiptarë, z. Sandro De Maria dhe z. Marco Podini, bazilika e Foinikes u zbulua plotësisht. Ndërkohë, disa vite më parë, ky grup arkeologësh kishte realizuar njëkohësisht edhe studimin dhe restaurimin e baptisterit që ndodhej në pjesën veriore të saj.
Kjo godinë, që gjatë antikitetit ishte një tempull, quhej nga Ugolini “thesaurus-thesar” dhe gjatë periudhës bizantine u shndërrua në baptister (pagëzimore). Gjatë gërmimeve u konstatuan dëmtime të mëdha për shkak të kohës, por edhe prej bunkerëve, gjatë viteve të regjimit komunist.
Sipas studiuesit Aleksandër Meksi, bazilika e Foinikës është ndërtuar në mesin e shek. VI, në të njëjtën kohë me baptisterin. Ndërsa për arkeologët Sandro De Maria dhe Marco Podini, kjo bazilikë, së bashku me baptisterin dhe oborrin midis tyre, i takojnë fundit të shek. V- fillimit të shek. VI.
Bazilika kishte një gjatësi prej 26.30 m. Kur u ndërtua përbëhej nga naosi, absida, narteksi, një ambient ndihmës ngjitur me të, si dhe një portik i hapur në anën veriore. Naosi, që përbënte pjesën kryesore të saj, ndahej në tre nefe nëpërmjet kolonave, kurse ikonostasi përbëhej nga pllaka të gdhendura guri. Më pas, bazilika e Foinikës kaloi nëpër disa faza të tjera ndërhyrjesh dhe rikonstruksionesh. Kështu, gjatë periudhës nga fundi i shek. VI – gjysma e parë e shek. VII, në pjesën veriore të transeptit u ndërtua një tjetër vaskë pagëzimi në formë kryqi. Kjo ndoshta për shkak të braktisjes së baptisterit të dikurshëm dhe shndërrimit të tij dhe hapësirës së oborrit në vend varrimi.
Një gjë e tillë shpjegohet dhe me sulmet e dhunshme, të cilat shkaktuan një krizë të sistemit ekonomik dhe shoqëror dhe që sollën një tkurrje të objekteve dhe komplekseve të mëdha kishtare. Këtë e dëshmon edhe Ugolini, i cili gjatë gërmimeve të kryera në baptister gjeti gjurmë të shumta djegiesh.
Këto ngjarje të dhunshme çuan edhe në rënien përfundimtare dhe braktisjen e qytetit të Foinikës. Nuk dihet se ç’ndodhi më tej me bazilikën gjatë shek. VII-XIII, por nuk përjashtohet edhe hipoteza për një rikonstruksion të mundshëm gjatë periudhës së mesjetës së vonë, e ngjashme me ato të bazilikave fqinje, apo mendimi i shprehur nga Ugolini për një ndërtim të shek. XI.
Vetëm pas shek. XIII mendohet të jetë rrënuar plotësisht. Në pjesën lindore të nefit qendror u ndërtua një paraklis i vogël, në kujtim dhe shërbim të varrezës që funksiononte qysh më parë në atë vend. Megjithatë, edhe ky objekt i vogël kulti u braktis diku në shek. XV, fakt që dëshmohet nga monedhat e gjetura të kësaj kohe.
Në regjistrin osman të viteve 1431-1432 atë e ndeshim si një fshat të vogël me emrin Finiq, që i përkiste vilajetit të Vajonetës dhe kishte gjithsej 56 shtëpi.
Bunkerët e ndërtuar mbi rrënojat e Foinikes.