EmailFacebookKontakt

Elbasan – njihet pronësia unike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Siç kemi shkruar shpesh, që nga viti 1997 është okupuar dhunshëm një godinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pranë Kishës Fjetja e të Tërëshenjtës Mari, në Elbasan. Godina, për riparimin e të cilës ishin harxhuar më shumë se 100 mijë dollarë, do shërbente për ngritjen e një kopshti fëmijësh, klinike mjekësore etj., për banorët e qytetit. Por, ajo jo vetëm u zu forcërisht, por edhe shfrytëzohet për përfitime ekonomike, nga persona abuzivë, që e fshehin veten pas interesave politike të disa qarqeve ekstremiste.

Kulmin ky qëndrim i hapur kundër Komunitetit Orthodhoks, e arriti me vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave të Elbasanit, të datës 5 mars 1998, që e njihte godinën si pronë të Kishës – por deformonte emërtimin në: “Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria”, e lagjes Kala, Elbasan!”.

Kjo shtesë në emërtim synonte jo vetëm të mbështeste grupin e personave të sipërpërmendur, por edhe mbajtjen gjallë të synimeve (të dështuara në sajë të reagimit të përbashkët të gjithë besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë), për të përçarë Kishën tonë. Dhe përsëri dështuan, siç do dështojnë të gjithë ata, të cilëve u vret sytë ringjallja e mrekullueshme nga hiri i regjimit ateist i Kishës sonë.

Në datë 4. 6. 1998, gjykata e Elbasanit vendoste të njihte pronare të vetme Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe hidhte poshtë çdo pretendim për përyetësimin e pronës së saj. Ky vendim do të konfirmohej edhe në apel dhe do të merrte formë të prerë me vendimin e Gjykatës së Kasacionit nr. 1225, dt. 18. 11. 1999.

Për më shumë, në këto vendime shprehej qartë, se i takon vetëm Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të administrojë pronat e saj, sipas statuteve dhe rregullave të saj. Ndaj, ky vendim është dhe një precedent domethënës dhe i vlefshëm për të zgjidhur edhe problemin e okupimit, po me dhunë, nga po këta njerëz, të Kishës Fjetja e Shën Marisë në Elbasan, në vitin 1994 etj. Kështu, atyre iu hidhet poshtë, siç ishte ligjore dhe logjike, çdo pretendim për të vazhduar të abuzojnë dhe njollosin e emrin e Kishës sonë për interesa meskine.

Por, deri më sot, vendimi, megjithëse i formës së prerë, ende nuk është zbatuar, dhe çdo ditë që kalon është një padrejtësi më shumë kundër besimtarëve orthodhoksë, por edhe ndaj popullit të Elbasanit, i cili ka aq shumë nevojë për shërbimet që do të vendosen aty.

Godina pranë kishës “Fjetja e të Tërëshenjtës” në Elbasan, para dhe pas rikonstruksionit të plotë të bërë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që është pronarja e saj e ligjshme. Ajo përdoret për fitime abuzive nga qytetari N. Marku nga Elbasani.