Endri, fëmijë i dy prindërve të rinj, u pagëzua në kishën “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, e “Kalasë” në Elbasan nga atë Spiro Veli dhe mori emrin Andrea, e të parëthirrurit nga Zoti Krisht. Jani, sot atë Jani, babai i Andreas, duke parë misterin e pagëzimit, u frymëzua që edhe ai të behej prift. Në gjurmët e të atit, Andrea ndoqi Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, u rrit nën tingujt e psalmeve bizantine, mësoi shumë dhe zëri i tij kumbon në kishat e Mitropolisë.
Në datën 2 shkurt 2021 iu përkushtua rrugës sa të bukur po aq edhe të vështirë të klerikut, duke u dorëzuar në dhjakon.
Gëzim i patreguar për Andrean, për familjen, por dhe për Kishën tonë, që edhe një klerik i ri i devotshëm iu shtua për të punuar atje ku ka nevojë më shumë populli orthodhoks në kishat e ndërtuara nga Kryepiskopi Anastas. Gëzim edhe për Mitropolitin Andon që me aq përkushtim edukon brezat e rinj për të përqafuar jetën shpirtërore.
Ky gëzim u ndje në hirotoninë e Andreas në dhjak nga Hirësi Andoni, në ditën e shënuar të së kremtes së Ipapandisë, para mjaft besimtarëve që merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore në kishën e Shën Nikollës.
Në fjalën e tij, Mitropoliti u ndal në simbolikën e kësaj dite si ofrim ndaj Perëndisë dhe përkushtimit të kandidatit të ri në rrugën e priftërisë. Ai theksoi lidhjen që familja e tij ka me Kishën, ku i ati, atë Jani, ndër klerikët e parë pas viteve ’90, ka shërbyer dhe vazhdon të japë kontributin e tij në zonën malore dhe historike të Shpatit, si dhe pjesëmarrjen e vetë Andreas që fëmijë në kishë, gjithashtu dhe angazhimin e tij për më shumë se 5 vjet në katekizëm, duke shkuar e mësuar në shumë zona të afërta dhe të largëta të dioqezës së Elbasanit. Kjo përvojë është një aset dhe garanci për vazhdimësinë e tij tashmë në misionin e ri të klerikut, ku duhet të mos e ndërpresë përkushtimin ndaj mësimdhënies dhe kryerjes me zell të shërbesave të shenjta dhe besimtarëve të çdo moshe.
Në fund, të gjithë besimtarët dhe miqtë e pranishëm e uruan “I denjë” dhjakonin e ri.