EmailFacebookKontakt

Ekspozitë që dëshmon ringjallje

Ajo u hap në Galerinë Kombëtare të Arteve, me punime të studentëve të degës së ikonografisë të Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie”

Veprimtaritë kulturore kanë qenë një përparësi për Kishën tonë dhe me larminë e tyre kanë tërhequr besimtarë të shumtë në to. Në këtë kuadër ishte dhe ekspozita e veçantë që u hap në Galerinë Kombëtare të Arteve në datë 12 qershor (ishte e hapur deri më 22 qershor). Aty u ekspozuan dhjetëra punime cilësore të 35 studentëve të degës ikonë dhe afresk, të Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie” të Kishës sonë. Eshtë kjo degë një mbështetje e fuqishme për ringjalljen e traditës së shquar ikonografike të vendit tonë, që ka vite që ka filluar, me nxitjen dhe kujdesin e Kryepiskopit Anastas.

Ditën e përurimit mjediset u Galerisë mbushën plot e përplot nga besimtarë, studentë, artistë etj. Veprimtaria u hap nga një studente dhe më pas përshëndeti Kristos Papanikolau, ikonograf i njohur nga Greqia, përgjegjës për studion e ikonografisë, i cili përshkroi rrugën ngjitëse gjatë këtyre tre viteve, që nga hapja e kësaj dege, deri tek kjo ekspozitë, duke falënderuar sidomos Kryepiskopin Anastas për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë.

Më pas e mori fjalën Kryepiskopi, i cili tha se, nuk është e rastësishme që pjesa fnë e madhe e monumenteve të kulturës që ekzistojnë në Shqipëri dhe që përbëjnë një thesar të çmuar për gjithë popullin tonë, kanë lindur në shekuj nga Kisha Orthodhokse. Edhe në epokën e re të lirisë fetare, Kisha, megjithë vështirësitë, i ka dhënë përparësi veprës kulturore. Hapi i parë ishte shpëtimi i monumenteve ekzistuese, për të cilën e angazhuan shumë njerëz dhe u mblodhën shumë fonde. Por Kisha është një organizëm i gjallë, që nuk interesohet vetëm për të kaluarën. Ajo kujdeset për të tashmen dhe investon për të ardhmen. Për këtë u grumbulluan një grup artistësh, i cili u zhvillua më tej në një degë të Institutit. Më tej, pasi falenderoi pjesëmarrësit në ekspozitë, pedagogët dhe gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sektor Kryepiskopi theksoi se, Kisha Orthodhokse mbetet gjithnjë një faktor kulture dhe se ishte i sigurt, se brezi i ri i artistëve shqiptarë do të ofrojë një vepër të çmuar, që do të mbështesë Kishën Orthodhokse në rrezatimin e saj në shoqëri edhe në të ardhmen.

Pastaj, përshëndeti drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Z. Abaz Hoda, i cili theksoi se është domethënëse hapja e ekspozitës në mjediset ku janë mbledhur punimet më të mira të mjeshtërave tanë të ikonografisë.

Pastaj Kryepiskopi Anstas preu shiritin e përurimit të ekspozitës dhe të pranishmit nisën vizitën në të. Ajo që e bënte vërtetë të veçantë ishte fakti, se punime e arrira të ikonografëve të rinj kishin si sfond ikonat e pavionit të ikonografisë tradicionale, që e theksonte rëndësinë e ringjalljes së kësaj tradite shekullore.

Korresp. i “Ngjallja”