Në datat 19-21 nëntor, në mjediset e Pallatit të Kulturës “Lasgush Poradeci”, në qytetin e Pogradecit, u hap një ekspozitë me punimet e fëmijëve të përkujdesjeve ditore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Tema e kësaj ekspozite ishte “Duart e shkathëta”.
Ishte për t’u falënderuar vënia në dispozicion falas e sallës nga Pallati i Kulturës, që dëshmon interesimin për kulturën që ka në këtë qytet me tradita.
Koloriti i ngjyrave, tematika, materialet e shumëllojshme që ishin përdorur nga fëmijët për punimet e tyre, duke u nisur nga lapsat me ngjyra, tempera, bojëra akrilike, plastelina, letra me ngjyra, e deri tek kokrrat e fasuleve apo të orizit, tërhoqën vëmendjen jo vetëm të prindërve, por edhe të specialistëve, që morën pjesë në çeljen e ekspozitës apo e vizituan më pas.
Një vend i veçantë u ishte lënë punimeve të fëmijëve të përkujdesjes ditore të Pogradecit, ku secili fëmijë kishte punimin e tij.
Ceremonia e hapjes dhe ekspozita u pasqyruan në mediat lokale dhe veprimtaria mori përgëzime nga qytetarë të shumtë. Në fund të dhjetorit synohet të hapet një ekspozitë e tillë edhe në Tiranë.
Nafsika Melo
Drejtore e Përkujdesjeve Ditore