EmailFacebookKontakt

Ekspozitë me punimet e fëmijëve të kopshteve të Kishës

Nga datat 26 – 28 dhjetor 2003, u hap në ambientet e Muzeut Kombëtar, në Tiranë, ekspozita e fëmijëve të kopshteve të Kishës Orthodhokse. Kjo është ekspozita e katërt nga lloji i vet, e hapur pas asaj të Korçës, Gjirokastrës dhe Durrësit. Në të u pasqyruan punimet e 12 kopshteve të Kishës, të shpërndara në gjithë Shqipërinë, në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër.

Punimet u përkasin 755 fëmijëve. Ato janë paraqitur në punë personale dhe kolektive.

Në këto punime mbizotëronin ngjyrat dhe lulet. Fëmijët kishin shprehur botën e tyre të brendshme shpirtërore, të pasqyruar nëpërmjet punimeve me bojëra, pastela, akuarele, prerje, aplikime, montime e mënyra të tjera, të drejtuara dhe udhëhequra nga edukatoret e tyre të përgatitura në këtë drejtim.

Ekspozita i përket moshave nga 3-6 vjeç. Ajo u vizitua jo vetëm nga fëmijët e kopshtit të Tiranës dhe prindërit e tyre, por edhe nga shumë artdashës, të cilët lanë përshtypjet e tyre në librin e përshtypjeve të ekspozitave.

Një rëndësi të madhe pati vizita e Kryepiskopit Anastas, i cili tregoi interes shumë të madh për këtë ekspozitë dhe shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar në hapjen e ekspozitave të tjera. Ai u interesua për llojin e punimeve dhe u entuziazmua për çiltërsinë, me të cilën kanë shprehur botën e tyre fëmijët tanë.

Nëpërmjet këtyre punimeve dalin në pah talentet e lindura të fëmijëve, për të cilat kemi detyrë dhe ne prindërit e tyre që t’i kultivojmë dhe inkurajojmë për një zhvillim të mëtejshëm dhe cilësor.

Kjo punë e filluar do vazhdojë edhe më tej, duke hapur ekspozita të tjera edhe në qytetet e tjera ku faktikisht zhvillojnë aktivitetin e tyre kopshtet tona.

Punimet më të mira të kësaj ekspozite do vendosen në korniza dhe do shërbejnë për të zbukuruar mjediset e kopshteve dhe ambiente të tjera.

Përgjegjësja e Përkujdesjeve Ditore
Nafsika Melo