Në Galerinë e Arteve Tiranë
Ekspozitë e ikonografisë orthodhokse
Më 26 dhjetor 1993 me rastin e Krishtlindjeve, në Galerinë e Arteve Figurative u çel nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ekspozita “Piktura ikonografike shqiptare”, me rreth 20 kryevepra të trashëgimisë ikonografike orthodhokse. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi.
Ato janë vepra të ikonografëve, si Onufri apo Shpataraku, por edhe me autorë anonimë, të cilët zakonisht ishin murgjër ose priftërinj orthodhoksë, dhe kalonin në këto krijime besimin e tyre të thellë. Ekspozita e cila është veçse një pjesë e asaj që u hap nga ky Institut në Nicë të Francës, pavarësisht nga vlerat artistike, ngre dukshëm problemin e këtyre vlerave të jashtëzakonshme shpirtërore të komunitetit orthodhoks që i shpëtuan furisë komuniste, të cilat ende, padrejtësisht, nuk i kthehen kishave të shenjta dhe funksionit për të cilin u krijuan – adhurimin e Perëndisë.
Korresp. i “Ngjalljes”