Ejani, merrni dritë prej dritës që s’perëndon; lavdëroni Zotin Krisht, se sot u ngjall së vdekurish
(pjesë nga shërbesa e Ngjalljes)
Le të ngrihet Perëndia, dhe le të përndahen armiqtë e tij, dhe le të ikin prej faqes së tij ata që i kanë mëri.
* * *
Do të humbasin si tymi në erë; do të shkrijnë si dylli përpara zjarrit.
* * *
Ashtu do të humbasin mëkatarët nga faqja e Perëndisë, edhe të drejtët do të dëfrejnë.
* * *
Kjo është dita që ka bërë Zoti; le të ngazëllohemi dhe le të dëfrejmë n’atë.
(pas secilit nga vargjet e mësipërme që thuhen nga kryepiskopi, kori me gjithë besimtarët psallin së bashku):
Krishti u ngjall së vdekurësh
me vdekje vdekjen shkeli
edhe të varrosurve jetën u fali.
Kanoni i Pashkës
(Fragment)
Dit’ e Ngjalljes sot na ndriti, ngazëllohuni pra, Pashka e Zotit Pashka, se ja prej vdekjes në gëzim, dhe prej dheut lart në qiell, na shpuri me këngë mundëse Zoti Krisht, Shpëtimtari i shpirteve.
Eni pini ujë krejt të ri, që s’e nxori prej shkëmbit shkopi çuditërisht, po që buron si rrëke, nga varri i Zotit Krisht, që jetën na siguron.
Kur arthnë Gratë me Marinë përpara agimit, edhe e gjetnë gurin të rrokullisur, Engjëlli u tha: Si e kërkoni si njeri me të vdekurit, atë që rron në dritën e amëshuar? Rentni dhe lëçitini botës, që Zoti u ngrit, edhe e vrau vdekjen, se është Biri i Perëndisë, që shpëtoi gjindjen e njerëzve.
Nga fron’i qiellit o Profet, Perëndifolës Abakum, eja sot me ne dhe tregona, dritën edhe Engjëllin, i cili sheshit lajmëron: Sot i ka ardhur botës shpëtimi, se Iisu Krishti u ngjall, si Zot dhe Perëndi.
Mëngoni menatë dhe eni, dhe le t’iu shpiem këndime, si mirë Zotit në varrin, që ta shohim Zotin Krisht, që na fal si dielli, jetën dhe paqen të gjithëve.
Kur zbrite gjer në fund të dheut në ferr, dhe dërmove gjithë llozet e burgut, çlirove të gjithë skllevërit o Krisht, edhe pas tri ditësh, prej balenës si Jonaj, dolle jashtë varri.
O i pavdekur që zbrite në varr për ne, dhe e dërrmove Skëterrën o Zot përdhe, dhe u-ngjalle si fitimtar o Krisht Perëndi, edhe Grave me mirë u thirre Gëzohuni, dhe u dhurove paqen e qiellit dishepujve, ti që u fale Ngjalljen të rënëve.
***
Të Dielën e Shenjtë të Pashkës së Madhe kremtojmë Ngjalljen jetëprurëse të Zotit edhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht.
Tre Djemtë midis flakës i mbroi me shi, dhe vetë u bë njeri, dhe pësoi si ne, dhe me Pësimin shpëtimtar, na stolisi me jetën që nuk vdes, i vetëm Perëndi i bekuar, i Etërve, lavdi më ty.
Dita më e shkëlqyer është Pashka e Madhe, e para ditë e javës, që mbretëron mbi të gjitha, panair dhe kremtim, i kremtimeve dhe panaireve. Pra sot e bekojmë, për jetë Iisu Krishtin.
Ndriçohu ndriçohu, qytet i ri Jerusalem, se lavdia e Zotit, përmbi ty ka lindur sot. Vallë kërce, dhe gëzohu Sion, ti o Mari, Nën e Perëndisë, dëfre për Ngjalljen e Birit tënd.
Si fjete si njeri me trup, o Mbreti ynë Zoti Krisht u ngjalle të tretën ditë, dhe ngrite gjyshin Shën Adam, dhe e dërrmove vdekjen krejt. Pashkë burim i jetës, shpëtim i besnikëve.
Zbrite me lavdi si Perëndi, për hir të njerëzve, o Krisht, o Shpëtimtar, se linde prej Marisë, dhe s’u ndave nga Ati yt lart në qiell; vojte si njeri mbi dhe, dhe u mbërtheve me dashje përmbi Kryq, edhe u ngjalle nga varri, dhe fluturove lart në qiell; dhe shpëtove tërë botën o Zot lavdi më ty.
Pashka e bekuar na ndriti dhe na shkëlqeu sot; Pashka e shenjtë, Pashk’e re; Pashka plot mister; Pashka e besnikëve; Pashka me Krishtin çlirimtar, Pashka e ndriçme; Pashka e madhe; Pashka për besnik; Pashka që çeli çdo derë të Parajsës për neve; Pashka e Krishtit që bekon çdo besnik.
Ejani prej pamjes o gra mirëlajmëronjëse, edhe Sionës thojini, lajmin me gëzim prej nesh po mësojemi; luaj dhe kërce, dhe gëzohu o Jerusalem, se Mbretin tonë Iisu, e pe të ngjallet prej së vdekurësh, me kurorë prej dhëndëri.
Gra mirëprurëse arthnë, pa u gdhirë, dhe qëndruan pranë varrit të Shpëtimtarit, gjetën Engjëllin, i cili rrinte mbi gur atje, dhe ai u drejtua mbi ato, dhe kështu u tha: Si kërkoni të gjallin me të vdekurit? Si vajtoni si të prishur të paprishurin? Shkoni lajmin shpjeruni Apostujve të tij.
Pashka që na çel; Pashka e Zotit Pashka; Pashka e nderuar na shkëlqeu sot mbi dhe; Pashka me gëzim, pra eni të përshëndoshemi; o Pashkë që ndjek helmin. Se sot prej varrit pas tri ditësh, si prej nusërores ndriti Iisui, dhe gratë i gëzoi duke u thënë lexojuni Apostujve.
Erdhi ditë e shenjtë e Ngjalljes, le të ndriçohemi prej panairit, dhe eni të përshëndetemi; shpallim sot vllazëri, me sa na kanë mëri, le t’i ndjejmë të gjitha ditën e Ngjalljes, dhe le të thërresim sot: Krishti u ngjall së vdekurësh, me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve, jetën u fali.