EmailFacebookKontakt

Eftiki i Konstandinopojës (6 prill)

Nga shenjtorët e muajit

Eftiki i Konstandinopojës (6 prill)

Ishte filiz i një shtëpie besimtarësh e të pasurish të Azisë së Vogël veriperëndimore. U shkollua nga gjyshi, prifti Isiki. Prindërit e tij quheshin Aleksandër dhe Sinesia. U dorëzua presviter prej episkopit të Amasisë, në manastir të të cilit u ushtrua dhe më pas u bë igumen. U dërgua në Kostandinopojë si përfaqësues i episkopit të tij plak, kur do të mblidhej Sinodi i 5-të Ekumenik.

Shenjtëria dhe urtësia e tij u çmuan edhe nga perandori Justinian I (527 – 565), edhe nga patriku Shën Minai (25 gusht). Zbulesa qiellore tek të dy, bënë që pas vdekjes së patrikut, pasardhës i tij të zgjidhej Eftiki (552). Në vitin 553 kryesoi këtë Sinod dhe dënoi heretikët nestorianë dhe origjenistë, ndërsa në vitin 563 u bë përurimi i Shën Sofisë. Kundërshtoi Justinianin, i cili përkrahte një formë të monofizitizmit heretik. Prandaj e rrëmbyen nga brenda kishës, e shkarkuan në mungesë nga një sinod i mbretit, duke u bazuar në akuza qesharake (v.565) dhe përfundimisht u internuan në manastirin e tij në Amasia.

Kryesisht me anë të lyerjes me vaj të shenjtë ai kreu shumë mrekulli, zakonisht shërime në fëmijë ose të rinj, të sëmurë ose të demonizuar. Gjithashtu bëri që mielli i manastirit të mos mbaronte dhe të ushqente me të shumë vetë, gjatë rrethimit të qytetit nga persianët. Pas vdekjes së patrikut Shën Joan III (21 shkurt), nga kërkesat e popullit u thirr përsëri në krye të Patrikanës nga bashkëperandorët Justin II (565 -578) dhe Tiberi (574-578). Pikërisht atëherë, me anën e lutjes së tij ndaloi një epidemi vdekjeprurëse. Fjeti në moshën 70 vjeçare të Dielën e Thomait (6.4.582), pas një sëmundjeje shtatëditore, pasi kishte paralajmëruar Tiberin, të përkushtuarin e tij, për vdekjen e tij që para katër muajsh. U vendos në Tryezën e Shenjtë të Kishës së Apostujve, pranë eshtrave të Apostujve Andrea (30 nëntor), Timothet (22 janar) dhe Luka (18 tetor). Nga gjashtë shkrimet e tij, ruhen tre.