EmailFacebookKontakt

Efstrati, Afksenti, Efgeni, Mardari, Oresti, martirë (13 dhjetor)

Duke qenë fëmijë familjesh besëmira armeniane, jetonin në mënyrë kriptokristiane para martirizimit të tyre në vitin 296. Efstrati, oficer i sekretarëve, shërbente për shumë vjet në ushtrinë romake. Me një provë u bind se ishte vullneti i Perëndisë të martirizohej. Kështu, qortoi sundimtarin e krahinës për përndjekjen kundër të krishterëve. E varën dhe e rrahën, ndërkohë që e digjnin me zjarr të vendosur poshtë tij dhe pastaj i hodhën uthull me kripë në plagë dhe ia fërkuan me copa tullash me maja të mprehta. U shërua me një mrekulli dhe kjo solli që kolegu dhe miku i tij, Efgeni, të rrëfente edhe ai besimin e tij, ndaj e kapën. Efstratin e detyruan që të ecte me këpucë që kishin brenda gozhdë. Bashkëqytetari i tij, Mardari, analfabet, por i pasur, që bënte punë në çatinë e shtëpisë së tij të re, u trondit dhe zbriti. Me nxitjen e bashkëshortes së tij u zbulua si i krishterë, pasi më parë përshëndeti gruan dhe fëmijët. Më parë ishte lutur me një lutje spontane “O Kryezot Perëndi, At i Tërëfuqishëm…” – urata në shërbesën e “Mesnatës” etj. Pastaj i prenë kokën Afksentit, priftit që ishte i burgosur bashkë me ta. Besimtarët arritën të mblidhnin lipsanin. Koka u gjet veç, në degët e një peme ku krakëllinte një sorrë. Mardarit ia shpuan kërcinjtë dhe të kapur prej tyre e varën kokëposhtë, ndërkohë e digjnin me heje të skuqur në flakë, derisa mbaroi. Efgeni u kurorëzua kur i prenë gjuhën dhe duart e i copëtuan këmbët. Oresti ishte ushtar. Gjatë stërvitjes u zbulua kryqi që mbante në gjoks. Pra, u martirizua edhe ai, i nxitur nga Efstrati, mbi një krevat të përflakur, në qytetin Sevastia. Atje u “perfeksionua” në kaminë (furrë) edhe Efstrati, pasi mori Kungatën Hyjnore nga episkopi, ka shumë mundësi shën Vlasi (11 shkurt) dhe pasi u lut “Do të madhëroj madhërisht, o Zot…” – urata e “Mesnatës” të së shtunës.