EmailFacebookKontakt

Edhe një bekim tjetër nga Perëndia për Kishën e Shqipërisë

Gjatë Liturgjisë Hyjnore të Mbylljes të Pashkës, në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, brenda një atmosfere kataniktiko-ngjallësore, u krye dorëzimi në dhjakon i Joan Koroveshit nga Korça. Në shërbesën hyjnore bashkëmeshuan Mitropoliti i Korçës, Joani; Mitropoliti i Amantias, Nathanaili; Episkopi i Bylisit, Asti, si dhe dymbëdhjetë priftërinj e pesë dhjakonë.

Kryepiskopi Anastas theksoi se kjo ngjarje përbën një bekim tjetër për Kishën e Shqipërisë dhe, në vazhdim, duke iu referuar rrugëtimit të të hirotonisurit, shtoi:

“Në errësirën e ateizmit dhe të përndjekjeve të pamëshirshme ndaj fesë, janarin e vitit 1989, në vigjilje të Theofanisë, në Korçë, Gjergji dhe Ana-Antoneta Koroveshi lindën djalin e tyre të dytë, Joanin. Familja e ruajti besimin orthodhoks në ato vite tejet të vështira dhe, me ardhjen e dritës së lirisë, të gjithë të afërmit e tij marrin pjesë në jetën e kishës lokale. Nëna e tij psal prej 25 vjetësh në kishën e Profetit Ilia.

Joani u edukua në një familje të krishterësh shpresëtarë me arsim të lartë dhe me orientim shkencor drejt arsimit politeknik. Prindërit e tij janë inxhinierë mekanikë, vëllai i tij i madh është arkitekt, ndërsa vetë Joani, pasi mbaroi shkollën e mesme në Korçë, ndoqi studimet për arkitekturë në Universitetin Politeknik në Tiranë. I ati, duke vlerësuar aftësitë e të birit dhe duke parë gatishmërinë e tij për të ndihmuar njerëzit, e nxiste që të bëhej mjek.

Joani përfundoi me sukses studimet e larta në degën e arkitekturës dhe më pas kreu edhe masterin, duke u specializuar në Restaurimin e Monumenteve të Kulturës. Për dhjetë vjet punoi në një zyrë arkitekture në Korçë, si dhe në sektorin e Trashëgimisë Kulturore. Në moshë madhore, ai vendosi t’i përkushtohet plotësisht Kishës. Në qershor përfundon studimet teologjike në Departamentin e Theologjisë Sociale dhe të Studimeve Religjioze në Kolegjin Universitar “LOGOS”.”

Kryepiskopi Anastas, i prekur thellë për nëndhjakonin e dalluar, që u sprovua për tre vjet pranë tij, para se ta dorëzonte, tha:

“Nuk u bëre mjek që të shërosh njerëzit, siç dëshironte babai yt, por bota ka shumë nevojë edhe për shëndet, shërim dhe ngushëllim shpirtëror. Si dhjakon, do të ftosh njerëzit në lutje, duke filluar gjithnjë me fazën: “Me paqe le t’i lutemi Zotit”. Kujdesu të jesh përherë njeri i lutjes dhe i paqes, si në jetën publike adhuruese, ashtu edhe në jetën tënde të përditshme. Gjithashtu, do të lexosh Ungjillin nga amvoni, i cili është gjithnjë burim frymëzimi dhe ngushëllimi. Do të ftosh popullin duke thënë: “Le të duam njëri-tjetrin”. Përpiqu, mbi të gjitha, të jesh njeri i dashurisë në të gjitha përmasat e saj. Do të ftosh popullin: “Me frikë Perëndie, besë dhe dashuri, afrohuni”, në misterin e Falënderimit Hyjnor, që është qendra e jetës sonë.

Kujdesu që, sa të jetë e mundur, ta jetosh jetën misteriale të Kishës në mënyrë sa më të thellë. Kujto gjithmonë fjalët e Zotit Krisht: “Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje”.

Përparo në rrugëtimin tënd me vështrimin gjithnjë tek Krishti dhe duke pasur shembull imitimi dëshmorin e parë Stefan, i cili ishte “njeri plot besim dhe i mbushur me Shpirtin e Shenjtë”.

Dhe tani, biri im shumë i dashur, eja_”