EmailFacebookKontakt

E vërteta

Njeriu e ka kërkuar gjithmonë të vërtetën, me qëllim që të gjejë zgjidhje në problemet e mëdha që i dalin gjatë zbulimit të të fshehtave të botës dhe të qenies njerëzore. Por, kërkimi i të vërtetës nuk realizohet gjithnjë me të njëjtën mënyrë. Kështu që, si pasojë, edhe përgjigjet që jepen janë çdo herë të ndryshme. Po sjellim si shembull rastin e Pilatit:

E pyeti Jisuin, se a ishte mbret i Judejve? Dhe Krishti iu përgjigj: “për këtë unë kam lindur dhe për këtë unë kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën, kush është për të vërtetën e dëgjon zërin tim” (Joani 18,37). Atëherë Pilati e pyeti? “Ç’është e vërteta?”

Sipas mendimit të Pilatit, e vërteta duhet të jetë ndonjë ide ose ndonjë kuptim dhe kështu mund të pyesim, se: “Çfarë është e vërteta?” Pikërisht në këtë frazë ndaleshin filozofët e vjetër grekë dhe e kërkonin të vërtetën me “çfarë”!

Por, sipas besimit të krishterë, e vërteta nuk është “diçka”, por “dikush”. Pra, simbas konceptimit, e vërteta është një person dhe jo send. Pilati nuk e trajtoi në këtë mënyrë çështjen, prandaj nuk mori edhe përgjigjen e pyetjes së tij.

Vetë Krishti, në një rast tjetër, iu drejtua nxënësve të tij: “Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni udhën.” Atëherë, Thomai i tha: “Zot ne nuk e dimë se ku po shkon, pra, si mund ta njohim udhën?” Jisui iu përgjigj: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta: askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje”. (Joani 14,4-6).

Filipi, atëherë i tha: “Zot na e trego Atin dhe na mjafton”. Ndërsa Jisui iu përgjigj edhe atij: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin: Si vallë po thua: “Na e trego Atin” (Joani 14,8-9).

Kjo përgjigje e Krishtit tregon, se si duhet të formulohet përgjigjja e drejtë për pyetjen: “Cila është e vërteta”? Me fjalë të tjera, e vërteta dhe njohja e së vërtetës nuk përbëjnë çështje të përpjekjeve dhe të fuqisë së mendjes, por komunikimi ndërmjet personave.

Tek personi i Krishtit njeriu gjen “rrugën” për të njohur të vërtetën, d.m.th., të vijë në komunikim me Hyjnjeriun, i cili është njëkohësisht edhe komunikimi me Atin, që është jeta e përjetshme.

E vërteta është mishërimi i Fjalës (Joani 1,14). Duhet të njohim të vërtetën, që të kemi jetën e përjetshme (Joani 6.4) dhe vetëm Krishti mund të na drejtojë tek Ati qiellor, për t’u bërë bij të Perëndisë (Joani 1,12), se vetëm nëpërmjet Krishtit mund të njohim të vërtetën (Joani 1,17).

Andrea Llukani