Shkak për të shkruar këtë artikull u bë shkrimi i botuar në gazetën Rilindja Demokratike, (të na falë redaksia e gazetës, se ne e kemi me ata që shkruan artikullin), i datës 25 shtator 1992, me titull “E vërteta rreth gënjeshtrës së Z. Papapavli për fronëzimin e Kryepeshkopit Anastas”, i nënshkruar nga “një grup besimtarësh intelektualë orthodhoksë” anonimë. Duhet theksuar që në fillim, se këta pseudointelektualë dhe pseudopatriotë ende nuk janë shkëputur nga metodat monisto-enveriste të anonimateve, metoda famëkeqe që i hapën aq plagë për gjysëm shekulli. Ne, autorët e këtij artikulli, jemi një grup intelektualësh besimtarë orthodhoksë nga Korça. Nuk duam të mbesim anonimë, por do të nënshkruajmë me emrat tanë të vërtetë. Si intelektualë ne theksojmë se nuk është detyra jonë të mbrojmë e as të përgjigjemi për z. Papapavli, sepse është në gjendje të mbrohet dhe të përgjigjet vetë. Ne jemi të detyruar të përgjigjemi për ato fyerje të rënda që janë bërë e që vazhdojnë të bëhen kundër orthodhoksëve shqiptarë në përgjithësi dhe atyre korçarë në veçanti, të cilët në shekuj kanë qenë atdhetarë e patriotë. Për këtë arsye sqarojmë sa më poshtë:
Në konventat e Helsinkit dhe të Vienës është nënshkruar e drejta e komuniteteve fetare për vetvendosje në çështjen e fesë. Po kështu, këto komunitete fetare kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë nga komunitetet e të njëjtit besim të shteteve të tjera. Dihet se orthodhoksët shqiptarë shpirtërisht varen nga Patrikana e Stambollit, kurse administrativisht varen nga Kisha Autoqefale Shqiptare. Hirësia e tij, Imzot Anastasi, erdhi në Shqipëri i kërkuar nga besimtarët orthodhoksë shqiptarë dhe jo sepse e kërkoi vetë. Dhe besimtarët orthodhoksë e pritën me dashuri të krishterë. Ju, zotërinj artikullshkrues, nënvizoni se hirësia e tij erdhi në kohën kur presidenti i Shqipërisë ishte Ramiz Alia. Kjo është e vërtetë, po qindra të tjerë nga fe të ndryshme, që nga Amerika, Suedia, vendet arabe, India, Italia etj, nuk erdhën pikërisht atëhere? Për ta, çuditërisht, heshtet, u janë dhënë liri të gjera veprimi, deri edhe sheshet, stadiumet, skenat dhe shkollat tona, këto institucione laike për predikimet e tyre. Përfaqësues nga vendet arabe i shohim ende sot të vijnë tek ne, të na buzëqeshin, të na mësojnë Kuranin dhe arabishten dhe çuditërisht asnjë fjalë nuk thuhet për ta. Nëse duhet të largohet Kryehirësia e Tij nga Shqipëria, atëhere, sipas logjikës suaj, detyrimisht duhet të largohen të gjithë këta.
Besimtarët orthodhoksë, zotërinj, kanë qenë ndër më të përndjekurit nga regjimi monist. Ata nuk kanë për të blasfemuar kurrë, sikurse thoni ju, “për të vënë në kishat e tyre portretet e ish-udhëheqësve komunistë”. Jo, ata do t’i ngrenë kishat e tyre me thonj dhe me dhëmbë, me ndihmat e tyre modeste, të diasporës dhe të kishave të tjera simotra ashtu siç po bëjnë dhe fetë e tjera në Shqipëri. Në këto kisha do të meshohet përherë shqip, siç është meshuar deri tani. Në mure ata do të varin ikonat e punuara nga mjeshtrit me famë botërore që ishin shqiptarë, ikona të cilat ata i ruajtën si gjënë më të shtrenjtë në shtëpitë e tyre, edhe atëhere kur i kontrollonin, i survejonin dhe i persekutonin.
Juve zotërinj duket sikur ju ha meraku për institucionet fetare. Nëse ato nuk u janë kthyer besimtarëve orthodhoksë, ky s’është faji i tyre dhe as i Hirësisë së tij, Anastasit. Përkundrazi, ai ka këmbëngulur herë pas here për këtë problem. Tjetër gjë se ajo po zvarritet nga Parlamenti dhe Qeveria. Ata që i bien gjoksit për patriotizëm e që flasin për manastirin e Ardenicës si një vend ku ka ndodhur ceremonia e martesës e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, kur vjen puna që këtë objekt t’ua kthejnë besimtarëve orthodhoksë, preferojnë më mirë ta mbajnë si monument kulture apo si klub turistësh. E njëjta gjë po ndodh edhe me kishën e Shën Prokopit në Tiranë. Kur hirësia e tij dhe Këshilli i KOASh-it ngrenë zërin për kishën e “Burimit Jetëdhënës” në Korçë dhe për rikthimin e gjithë pasurisë së saj, që u grabit, qeveritarët përsëri hezitojnë. Pseudopatriotë të ndryshëm kapen shpesh pas emrit të ndritur të Fan Nolit. Por harrojnë se ai u fronëzua peshkop i kishës sonë pikërisht në katedralen e Shën Gjergjit në Korçë, një nga kishat më me vlerë në Ballkan, mbi themelet e së cilës sot ngrihet biblioteka e qytetit. Rreth 150 kisha janë kthyer në muzeume të edukimit komunist, në palestra e plevica dhe ende nuk dihet se kur do t’u kthehen të zotërve. Imzot Anastasi kujton me dhimbje fjalët e ish-presidentit komunist Alia, që i tha në takimin e tyre të parë në Shqipëri se kishën e “Burimit Jetëdhënës”, që ne e kemi kthyer në muze të artit mesjetar në Korçë, ju s’keni për ta marrë kurrë. Eshtë puna dhe kontributi i Hirësisë së tij që në qytetin e Korçës u rimor pjesërisht kisha e Shën Ilisë, u ringrit kisha e Shën Thanasit dhe po funksionojnë disa kisha në qytetet dhe fshatrat e tjerë të Shqipërisë.
Ju, zotërinj, i akuzoni besimtarët orthodhoksë si vorioepirotë e filogrekë, por harroni se në qytetin e Korçës ishin këta njerëz që votën e tyre ja dhanë demokracisë. Pakot e ndihmave, kryesia e Kishës Autoqefale në Korçë i shpërndau për të gjithë banorët e rrethit, pavarësisht nëse qenë orthodhoksë apo myslimanë.
Besimtarët orthodhoksë të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë nuk mbetën t’ua mësoni patriotizmin dhe atdhedashurinë juve zotërinj, “intelektualë” anonimë. Ata kanë nxjerrë nga gjiri i tyre patriotët e mëdhenj Naum Veqilharxhin e Mihal Gramenon, Themistokli Gërmenjin e Petro Nini Luarasin, Papa Kristo Negovanin e Papa Llambro Bllamaçin, Sevasti Qiriazin e Fan Nolin etj. Rrugët ku ata banojnë sot mbajnë emrat e këtyre patriotëve të shquar dhe në muret e shtëpive të tyre portretet e patriotëve më lart qëndrojnë krahas atyre të shenjtorëve.
Këshillat fetare u zgjodhën nga populli me votën dhe pëlqimin e tij dhe nuk u diktuan nga lart, sikurse zhgarravisni, ju zotërinj. Në krye të këshillave fetare qëndrojnë priftërinj patriotë, që as mosha e thyer dhe as sëmundjet s’po i pengojnë të përhapin fjalën e Zotit ndër ne.
Juve, zotërinj, thoni se në këshillat fetare ka edhe komunistë. Nëse në to bën pjesë ndonjë komunist i djeshëm, kjo s’do të thotë gjë. Vetë Ungjilli thotë se ata që pendohen për të kaluarën e tyre, zoti i pranon sërish pranë vetes. Më tej, na akuzoni sikur firmat pro fronëzimit të Kryepiskopit Anastas u grumbulluan të nxitura prej tij e Aleko Dhimës. Përsëri gaboni, zotërinj! Deri tani në Korçë janë mbledhur dhjetëra mijëra firma me dëshirën e vetë besimtarëve. Në kryesinë e kishës sonë ende vazhdojnë të vijnë besimtarë që nënshkruajnë peticionin për miratimin e fronëzimit të Hirësisë së tij. Kjo është një e drejtë e njerëzve, që buron nga Karta e Helsinkit. Pra, çështja e firmave, zotërinj, nuk është diçka e stisur artificialisht, por e imponuar nga ndjenja dhe detyra fetare. Orthodhoksët e Korçës dhe të mbarë Shqipërisë mendojnë se duke firmosur për Kryepiskopin Anastas, firmosin për fenë e tyre që po merret nëpër këmbë, për dëshmorët e shenjtë të kishës sonë. Ata e quajtën për detyrë të firmosin si përgjigje kundër atyre shkrimeve ogurzeza nëpër gazeta të ndryshme. Ata nënshkruan me firmën e tyre të thjeshtë, sepse ua kishin mbyllur gojën dhe i kishin vënë në censure.
Zotërinj zhgarravitës “ortodoksë”! E ritheksojmë: Nuk është shuar atdhetarizmi tek orthodhoksët shqiptarë. Ata kanë qenë promotorë të lëvizjeve më të mëdha demokratike në Shqipëri. Patriotizmi qëndron zgjuar në krejt trurin e tyre, e nuk fle “në një pikë të tij” siç pretendoni ju. Po të jetë nevoja, ata dinë t’i drejtohen vetes me fjalët e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptarija” e ta tregojnë vetveten.
Ju zotërinj, e godisni Hirësinë e tij Anastasin pa as më të voglin argument. E quani atë “satana”, “djall”. Thërrisni e çirreni: “Të kryqëzohet!” dhe kjo vetëm sepse është me kombësi greke, bir i atij populli që ne shqiptarët e konsiderojmë mik, bir i atij populli që po strehon dhe po mban me bukë mbi treqind mijë shqiptarë. Juve nuk ju ha shumë meraku për autoqefalinë e Kishës tonë dhe as për statutin e vitit 1929. Ai është për ju vetëm një “fill bari”, pas të cilit kapeni për të mbrojtur argumentet tuaja, që i ngjajnë flluckave të sapunit. Sepse nëse peshkopi do të ishte rumun apo bullgar juve as do të kujtoheshit për këtë statut dhe as do të shfletonit e do ta rigjenit në mykun e bibliotekave. Statusin e 29-ës juve e lexoni me kokë poshtë, ose lexoni “me një sy” atë nen që ju intereson juve, duke harruar nenin 15, të po këtij statuti, i cili thekson se kryepiskopi i kishës autoqefale shqiptare duhet të miratohet nga mbreti. Pra, zotërinj, Don Kishotë, duhet që ne të kthehemi sërish në Mesjetë, të kërkojmë sërish një mbret, që të na miratojë kryepiskopin shqiptar.
E vërteta nuk mund të nxihet me mashtrime.
Nëse do të keni sadopak kulturë fetare duhet ta kuptoni, zotërinj se peshkopi është vazhdues i Iisu Krishtit mbi dhe. Peshkopët nuk kanë atdhe. Ata janë misionarët e Zotit dhe si të tillë shkojnë kudo ku i urdhëron Ai. Historia e Tij, Imzot Anastasi, meritat dhe gradat shkencore të të cilit juve, me rrugaçërinë e fjalorët tuaj dhe me mediokritetin që ju karakterizon, ia mohoni, është kthyer në një lypës botëror për të rimëkëmbur Kishën tonë Autoqefale. Falë reputacionit të tij po rihapen kishat dhe seminaret. Dihet se Kisha e jonë Autoqefale është mjaft e vartër ekonomikisht.
Para pak kohësh ne intelektualët dhe besimtarët e Korçës u mblodhëm në simpoziumin e Kishës tonë Autoqefale ku u mbajt një minutë zi për të gjithë dëshmorët e fesë sonë. Ne nuk i harrojmë fjalët që Hirësia e tij tha në përshëndetjen e vet në simpozium: “Mua më akuzojnë vetëm sepse jam me kombësi greke! Por unë ju kujtoj fjalët e Shën Pavlit që ka thënë: ‘Nuk ka rëndësi për një njeri se ku lind. Rëndësi ka se për kë jeton dhe për kë vdes. Dita më e lumtur e jetës sime do të jetë ajo kur do të dorëzoj peshkopët e parë shqiptarë.'”
Por, absurditeti i shkrimit tuaj, zotëri, arrin kulmin kur akuzoni pedagogët e seminarit orthodhoks në Durrës si “antishqiptarë” dhe “pro grekë”. Por harroni, zotërinj, se ky seminar që përgatit klerikët e parë shqiptarë, pati për drejtor At Ilia Ketrin, shqiptar nga Sinica e Korçës, i cili la jetën e tij komode në Nevada të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe edhe pse i moshuar, me muaj të tërë qëndroi me seminarin e Durrësit. Ai është një orthodhoks i mirë dhe flet një shqipe të pastër. Falë Ilia Ketrit diaspora jonë në Amerikë grumbulloi 16 mijë dollarë ndihmë për kishën tonë. Seminari i Durrësit është i tërë kombëtar. Atij mësimet bëhen në gjuhën shqipe nga këta pedagogë të shkëlqyer. Vetë fakti se seminari u hap në Durrës, në këtë qendër të lashtë të qytetërimit shqiptar dhe të orthodhoksëve e jo në Greqi apo diku gjetkë, vërteton se seminari është shqiptar e jo grek, sikundër e akuzoni ju.
Juve i fyeni klerikët e rinj dhe studentët e seminarit duke i quajtur me përbuzje “fshatarë të mashtruar”. Ju zotërinj “intelektualë”, që keni harruar mbase dhe origjinën tuaj, e dini shumë mirë se shqiptari e veçanërisht fshatari shqiptar, nuk e humbet fort lehtë origjinën e patriotizmin e tij. Duket se “civilizimi” ju ka tharë edhe atë pak shqiptarizëm të trashëguar. Ritheksojmë, gjithashtu, se në Malin e Shenjtë kanë shkuar tre ish-seminaristë e jo shtatë siç pretendoni ju. Ata janë dërguar me miratimin e këshillit të KOASH-s. Po kështu dhjetë studentë të tjerë do të dërgohen për studime të larta teologjike jashtë shtetit në Greqi, Rumani, Bullgari e gjetkë.
Ne nuk e dimë zotërinj se kujt partie e kujt besimi i përkisni ju, intelektualët anonimë, por dimë një gjë: ju nuk jeni orthodhoksë të vërtetë. Edhe në qofshi të krishterë, besimtarë orthodhoksë nuk jeni. Ju jeni një grup i vogël njerëzisht pa emër, që dini të flisni siç dinë të flasin gënjeshtrat. Le të ulemi në tryezë të bisedojmë së bashku, si vëllezër në Krisht e në gjak, sikurse pretendoni se jeni.
Ne si intelektualë besimtarë orthodhoksë e ndjejmë të nevojshme t’ju kujtojmë se:
1. Kërkesat për nxjerrjen jashtë ligjit të Kishës sonë Orthodhokse dhe të Kryepiskopit Anastas bien ndesh me marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare të KSBE-s.
2. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut për të cilën është shprehur edhe personi përgjegjës për të drejtat e ndërgjegjes në KSBE.
3. Veprimet tuaja janë në dëm të unitetit kombëtar, në emër të të cilit ju flisni çdo ditë, sepse ngjallin përçarje mes besimtarëve orthodhoksë dhe atyre të feve të tjera, me të cilët përherë kemi jetuar në vëllazërim.
Gjithashtu ju kujtojmë se KOASH dhe Kryepiskopi i saj e kanë deklaruar se janë:
– Për bashkimin e të gjithë besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë si një trup i vetëm dhe për zgjidhjen e problemeve të kishës me bisedime të hapura e të sinqerta.
– Për bashkëpunim e mirëkuptim me të gjithë besimet e tjera në Shqipëri, si dhe me ata njerëz që nuk i përkasin asnjë besimi.
– Për bashkimin kombëtar dhe për forcimin e shtetit demokratik shqiptar, pa të cilin s’mund të ketë KOASH në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Ne besimtarët orthodhoksë jemi plotësisht të bindur se kisha jonë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, do të rindërtohet, do të organizohet, e do të lulëzojë për të mirën tonë e të gjithë Shqipërisë. Ne besojmë se populli shqiptar është aq i zgjuar e i kulturuar që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra dhe të vlerësojë njerëzit jo nga fjalët e bukura, por me veprat.