E VERTETA NUK MUND TE NDOTET
Në dt. 31. 12. 1996 është botuar artikulli kundër Kishës Ortodhokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH) dhe kreut të saj, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit: “Dy fytyrat e Peshkopit Janullatos.”
Për çfarë dyfytyrësie e ka fjalën Protopapa?!
Po të lexosh protestën e intelektualëve dhe besimtarëve të qytetit të Beratit, prej nga është dhe ai vetë, – në lidhje me incidentin përçarës në kishën e “Shën Marisë” Elbasan – del, që për ta dhe për të gjithë popullin orthodhoks shqiptar, dyfytyrësh është Protopapa. Ja, se ç’shkruhet në të: “…Janë bërë të neveritshëm për orthodhoksët shqiptarë emra…të ndërsyer kundër Krishtërimit Orthodhoks, por më i urryeri është bërë emri i qytetarit të Beratit, Sejfi Protopapa me fe islame, i shquar si frymëzuesi dhe organizatori kryesor i kësaj lufte kundër kishës… Cili është beu Sejfi Protopapa, protagonist i konfliktit të Elbasanit?…Gjatë viteve 1943-44 bashkëpunoi me pushtuesit e huaj dhe pas kapitullimit, u arratis së bashku me ushtrinë hitleriane e u strehua në SHBA. Pikërisht ky pseudopatriot, figurë e djegur e historisë, inskenon sot veprime të tilla të rrezikshme, që tentojnë të përçajnë, jo vetëm orthodhoksët, por edhe shqiptarët me fe të ndryshme.” (shih. “Ngjallja” janar 1996 fq. 10).
Për të përligjur shpifjet ndaj Kryepiskopit Anastas ai shtrembëron me dashje të dhënat e shtypit amerikan. Protopapa mashtron dhe shpif, duke cituar një shkrim të revistës “Cultural Survival Quarterly”, shkrim, i cili në të vërtetë nuk flet për Kryepiskopin Anastas, por për Alaskën. Po të shohësh artikullin e numrit të kësaj reviste, vjeshtë 1995, fq 63, së cilës Protopapa i referohet në shkrim, çuditesh, sepse sheh një shkrim të Mefculieff Larry me titull: “The key to conflict resolution: Reconnection with the sacred.” The Pribliof Aleut Case Study, CSQ, Fall 1995, 61-63, që nuk ka të bëjë aspak me Kryepiskopin Anastas, por trajton konfliktin e shkaktuar prej kontrollit të Qeverisë së SHBA mbi gjuetinë e fokave, të cilën Aleutët (vendasit e parë të Alaskës) e kanë kryer për shekuj me rradhë.
Pas shtrembërimit, që Sejfi Protopapa i bën shtypit amerikan, për të realizuar synimet e tij, arrin të shtrembërojë dhe madje të shpikë kanone për Kishën e Përgjithshme Orthodhokse. Kanonet janë ligje të caktuara prej Sinodesh të Shenjtë Ekumenikë dhe si të tilla, askush nuk ka të drejtë t’i ndryshojë.
Kanoni 34, të cilit i referohet në artikull, duhet të jetë kanoni XXXIV i “85 kanoneveve të Apostujve të Shenjtë” i gjendur në faqen 50 të TIMONIT (Pedalion), në të cilin nuk thuhet, se “… episkopët dhe drejtuesit e besimit orthodhoks duhet të jenë nga vendi ku Kisha në fjalë kryen aktivitetin e saj”, por trajton një çështje krejt të ndryshme, atë se “… episkopët e çdo vendi duhet të njohin midis tyre atë, i cili është i parë apo drejtues dhe ta njohin atë si kreun e tyre, dhe të frenohen së kryeri diçka të panevojshme pa këshillën dhe aprovimin e tij.” Meqënëse ai e shtron problemin në planin theologjik, duhet të dijë, se nuk ekziston asnjë kanon i Shenjtë i Orthodhoksisë, ku të thuhet, se drejtuesit e besimit orthodhoks duhet të jenë nga vendi, ku Kisha në fjalë kryen aktivitetin e saj.
Por, ekziston një kanon tjetër, i cili i përshtatet situatës aktuale të “arqimandritit” Theofan Koja, të cilin Protopapa e parashtron si kandidat të mundshëm për episkop. Ky kanon është i XXXV i “85 Kanoneve të Apostujve të Shenjtë”, në të cilin thuhet, se: “Një episkop nuk duhet të guxojë, të kryejë hirotonisje jashtë juridiksionit të tij… Nëse provohet, të ketë bërë diçka të tillë kundër vullnetit të atyre që kanë zotërim mbi këto qytete apo territore, le të ç’hirotoniset ai së bashku me ata, të cilët ka hirotonisur.” Të njëjtën gjë thekson dhe Kanoni XXII, i 25 kanoneve të këshillit rajonal mbajtur në Antioki.
Siç dihet, hirotonisja e Theofan Kojës është kryer në Rumani prej një episkopi rumun, pa lejen dhe dijeninë e Kryepiskopit Anastas. Rrjedhimisht, në bazë të kanoneve, hirotonisja e tij është antikanonike për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kandidati i dytë i mundshëm, që ai parashtron, është arqimandriti Joan Pelushi. Të bën përshtypje, se si Protopapa arrin të flasë në emrin e tij, si dhe t’u fshehë lexuesve faktin, se është vetë Kryepiskopi Anastas ai, që e hirotonisi at Joanin dhjak, prift dhe e ngriti në gradën e arqimandritit, si dhe akordoi mbështetje financiare e u kujdes për dhënie burse për të, për studime të mëtejshme në vitin akademik 1995-96 në fakultetin theologjik “Holy Cross” në Boston, SHBA. Pra, at Joanin, të cilin Protopapa e propozon për episkop, është Kryepiskopi Anastas, i cili po e ngre në shkallët e hierarkisë priftërore.
Në shkrim përmenden, gjithashtu, statutet e KOASH-it. Citimi, se Primati i Kishës duhet të ketë kombësi shqiptare nuk figuron në statutin e vitit 1950, i cili mbetet juridikisht për Kishën Shqiptare, si i fundmi dhe i vetmi i ligjshëm, megjithë ndalimin për 25 vite të çdo lloj veprimtarie fetare (1967-91).
Subnet e Protopapës vazhdojnë me komente të tij për disa takime të Kryepiskopit Anastas me personalitete të larta të politikës greke, takime, të cilat, sipas tij, nuk kishin përse të bëheshin, nëse ai do të kishte qënë me kombësi e shtetësi shqiptare.
Protopapa nuk do dhe nuk mund ta kuptojë e pranojë, se, jo vetëm ky takim, por edhe të tjerë të këtij niveli, nuk kanë si qëllim përfaqësimin e interesave shqiptare në shtete të huaja, (siç thotë S.P), por prosperitetin e Shqipërisë dhe paqen, pajtimin, vëllazërimin midis njerëzve dhe popujve. Kjo ide shprehet qartë prej Imzot Anastasit në fjalimin e tij të Fronëzimit: “…Kisha jonë përbën gjithashtu një ambasadë shpirtërore të çmuar të Shqipërisë në komunitetin ndërkombëtar, që kontribuon qenësisht në çuarjen përpara dhe në zhvillimin e bashkëpunimit paqësor dhe të solidaritetit në Ballkan dhe tërë Europën…” (shih: “Ngjallja” tetor 1992 fq. 5).
Protopapa gabohet kur thotë, se Kryepiskopi Anastas u vu në mënyrë krejt të parregullt dhe, se ai po kërkon mbështetje të reja për pozitën e tij, nga që po humbet mbështetjet e vjetra.
Askush nuk mund ta mohojë, përkrahjen, mbështetjen dhe dashurinë, që ushqejnë besimtarët orthodhoksë shqiptarë për Kryepiskopin Anastas. Ishin këta besimtarë, të cilët i kërkuan Patrikanës Ekumenike, ta zgjidhte atë Kryepiskop të Shqipërisë.
Gjithashtu, që përpara Fronëzimit të Tij si Kryepiskop, Fortlumturia e Tij siguroi miratimin e Qeverisë Shqiptare dhe Presidentit Berisha.
Edhe më tej, emërimi i Kryepiskopit Anastas u njoh nga e gjithë bota panorthodhokse dhe pankrishterë. Ai u njoh nga të gjitha Kishat Orthodhokse të globit. Urimet vijnë gjithashtu edhe nga Vatikani, Kisha Anglikane, Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca Europiane e Kishave, Kisha Katolike në Shqipëri etj (shih: “Ngjallja” nëntor 1992 fq 6).
Mbi të gjitha, ai gëzon mbështetjen e Sunduesit dhe Gjykatësit Suprem, Perëndisë, i Cili nëpërmjet Providencës së Tij Hyjnore ia besoi atij dhe jo dikujt tjetri, kryqin e rëndë të kësaj Hierapostolie, të kësaj përpjekjeje në ngjalljen e Kishës sonë martire e të munduar në vite, kryq, të cilin ai po e mbart, siç rrallëkush do ta mbartte.
I kujtojmë Sejfiut fjalët e mënçura të fariseut Gamaliil, drejtuar këshillit të farisenjve, të cilët patën shpërthyer në një përndjekje të pashoqe kundër 12 Apostujve të Krishtit: “Lërini ata njerëz; sepse në është kjo punë prej njerëzish, do të prishet; po në është nga Perëndia, nuk mund ta prishni dot atë; edhe vështroni se mos gjendeni në luftë edhe me Perëndinë.” (Veprat e Apostujve 5, 38-39)
Ky artikull-përgjigje i referohet shkrimit “Dy fytyrat e peshkopit Janullatos”, të botuar në gazetën “Dita Information”, 31. 12. 1996, me autor Sejfi Protopapën.