Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është shkruar dhe folur shumë në shtyp dhe në media, madje u përmend edhe në konferencën e kohëve të fundit për tolerancën fetare nga shkrimtari Ismail Kadare – që shqiptarët fillimisht ishin katolikë dhe më vonë janë kthyer në orthodhoksë. Kjo është një pavërtetësi për të mos thënë një fallsifikim i qëllimshëm i historisë që bëhet si pasojë e errësimit të arsyes nga një paragjykim dashakeqës i vjetër ndaj orthodhoksisë.
Por e vërteta historike duhet thënë siç është:
Kishat në krejt territorin e Ballkanit, i banuar, siç dihet, nga paraardhësit tanë arbër, nga grekët dhe më vonë nga sllavët, deri në vitin 732 janë varur prej Papatit të Romës dhe pas këtij viti perandori i Bizantit, Leoni III Izauri i kaloi në vartësi të Patriarkanës së Konstandinopolit. Me skizmën, ndarjen e Kishës më 1054, gjithë popujt e Ballkanit, mes tyre dhe shqiptarët, u gjendën krejtësisht kristianë-orthodhoksë.
Konvertimi në katolikë i shqiptarëve filloi pas vitit 1250, kur francezët anzhuinë pushtuan Durrësin në Shqipërinë e Mesme, themeluan qytezën Saint Jacques (Senzhak), Shijakun etj. Në këtë kohë pushtuesit anzhuinë konvertuan edhe shqiptarin e parë nga orthodhoks në katolik. Numri i pakët i katolikëve u rrit me ardhjen e mëvonshme të kolonëve venetikas, të cilët zaptuan Durrësin, Lezhën, Shkodrën etj., – por numri i tyre mbeti në shifra më të ulta krahasuar me popullatën orthodhokse (lexo: Histori e Bizantit nga Ostrogorski, Baylli; Meyers Lexikon 1890 etj.).
Për të mos vazhduar më tej, vlen të theksoj meqë alergjia ndaj orthodhoksisë është sa stupide aq edhe antikombëtare, sepse, ndër të tjera, edhe Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti vjen si nga i jati, ashtu edhe nga nëna e tij prej familjeve të pastra orthodhokse. Pas rënies nën sundimin turk të popujve orthodhoksë ballkanikë serbë, grekë etj., sidomos pas rënies më 1453 të Konstandinopolit, Gjergj Kastriotit i mbeti si e vetme alternativë vazhdimi i aleancave me fuqitë katolike si Papa i Romës, mbreti i Napolit etj., dhe në këtë kohë katolicizmi u bë shpresa e fundit e popullit shqiptar për të shpëtuar prej turqve islamë (lexo: Histori e Skënderbeut F. Noli 1947; Histori e Shqipërisë 1959, etj.)
Megjithatë shumica e të krishterëve shqiptarë mbeti orthodhokse, dhe këtë e dëshmojnë edhe arbëreshët e Italisë, – të cilët nëse jetojnë prej mbi 500 vjet brenda trojeve krejtësisht katolike italiane, – ata edhe sot e kësaj dite praktikojnë besimin kristian sipas traditës së hershme, në ritin orthodhoks, fenë e parë dhe më të vjetrën monoteiste të shqiptarëve.
Dr Miltiadh Veveçka