EmailFacebookKontakt

E preferuar për shërbimin shembullor dhe profesionalizmin e lartë

* 5000 pacientë në muaj preferojnë të vizitohen në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”
* Shërbim human, pa asnjë lloj dallimi –

Një vit më parë, me një shërbesë ajazmoje, në datën 18 tetor, niste nga funksionimi investimi më serioz në fushën sociale i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi”. Që herët, me interesimin e kontributin e Kryepiskopit Anastas, u kthyen në përparësi edhe veprat sociale. Ndër to, veçoheshin edhe disa klinika e programe të kujdesit shëndetësor, që synonin sidomos të ndihmonin shtresat më të pafavorizuara. Kështu, në Tiranë u hap klinika “Shën Luka”, e cila u shërbeu falas mijëra e mijëra kryeqytetasve, si edhe të ardhurve nga rrethet e tjera. Por, mundësitë e saj ishin të kufizuara e nuk përputheshin me planet ambincioze për veprat sociale të Fortlumturisë së Tij.

Me përpjekjet e parreshtura të Kryepiskopit, që trokiti mjaft dyer miqsh e shoqatash ndërkombëtare, u sigurua fondi i nevojshëm për realizimin e një projekti shumë të rëndësishëm: një Qendër Diagnostike moderne, në shërbim të Tiranës dhe të gjithë vendit. Nuk munguan vështirësitë, pasi nga organet shtetërore nuk u ofrua asnjë mundësi për gjetjen e një trualli publik, gjë që detyroi Kishën tonë të blente një godinë me gjithë truallin e saj, ta shkatërronte dhe mbi të të niste ndërtimi i godinës së re. Ajo u ngrit e u pajis sipas kërkesave të mjeksësisë bashkëkohore, duke arritur një vlerë investimi më shumë se 2 milionë dollarë…

Duke u kthyer tek nisja e veprimtarisë, veçojmë si një bekim të veçantë vizitën dhe shërbesën në Qendrën Diagnostike, në nëntor 1999, të Tërëshenjtërisë së Tij, Patrikut Ekumenik Vartholomeu I.

Sot, Qendra, për nga përmasat dhe shumëllojshmëria e cilësia e shërbimeve që ofron është institucioni më i madh shëndetësor i këtij lloji në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Në të ofrohen shërbime për të gjitha shtresat e popullsisë, pa asnjë lloj dallimi fetar apo të çfarëdo lloji tjetër. Kjo bëhet mbështetur në praktikat e përparuara evropiane, duke ofruar përveç kujdesit mjekësor edhe edukim shëndetësor e profesional për personelin dhe popullsinë, duke mbajtur lidhje me institucionet shëndetësore shtetërore dhe shkencore mjekësore të vendit, apo me institucione shëndetësore të huaja.

Aktualisht në Qendër funksionojnë 24 lloje shërbimesh mjekësore, në të cilat punon një personel me kualifikim të lartë i brendshëm dhe bashkëpunëtorë të jashtëm, mjekë me tituj shkencorë dhe përvojë shumë të pasur profesionale. Siç na thotë mjeku Ermal Tako, ndër shërbimet më të kërkuara do të përmendnim atë radiologjik, në të cilin cilësia e lartë e ekzaminimit dhe niveli bashkëkohor i aparaturave, të majit të vitit 1999, kanë bërë që të jetë tepër i preferuar nga pacientë nga i gjithë vendi, por edhe nga shumë të huaj rezidentë në Shqipëri, punonjës të trupit diplomatik etj. Në të punojnë doktorë me përvojë por edhe të rinj me specializime jashtë shteti dhe ofrohet gjithë gama e ekzaminimeve që përfshihet në radiologjinë klasike, mamografia dhe shpresohet se shpejt do jetë e mundur të arrihet edhe sigurimi i një skaneri. Ndërsa Dr. Angjelina Gaçe na bën një pasqyrë të shërbimeve laboratorike, nga më cilësorët dhe me një gamë mjaft të gjerë egzaminimesh, shërbime që kërkohen çdo ditë nga dhjetëra pacientë. Për to vijnë të sëmurë që nga Shkodra e deri në Sarandë, për të bërë analiza kimike, biokimike, baktereologjike, të cilat realizohen nga një personel shumë i kualifikuar, me apatura mjaft moderne.

Mund të vazhdonim me shërbimet kardiologjike, Ekot, otorino-laringologjike, gastroenterologjike, pediatrike, dentare etj., ku punojnë doktorë të njohur. Kohët e fundit janë shtuar dy shërbime të reja, siç janë Eko gjiri e laboratori dentar dhe shpejt do funksionojë edhe mikrokirurgjia.

Të gjitha këto, si dhe disiplina e lartë profesionale dhe e punës, shpejtësia e saktësia në kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve, kanë bërë që veprimtaria e numri i pacientëve të rriten nga muaji në muaj. Kështu, nga rreth 1250 pacientë në muaj që vizitoheshin në fund të vitit 1999, tani ky numër ka arritur në rreth 5 mijë në muaj dhe kështu numri i përgjithshëm i pacientëve që u vizituan në klinikën Shën Lluka në vitin 1996, në Qendrën e re arrihet për më pak se dy muaj. Dhe, s’duhet të harrojmë, se në klinikën e vjetër shërbimet, duke pasur parsysh gjendjen e vendit në vitet e para të demokracisë e krizat që u kaluan, ishte tërësisht falas. Ndërsa në qendrën e re paguhet, por gjithmonë pagesa është mjaft nën koston e shpenzimeve për personelin, pajisjet moderne, mbajtjen në punë në mënyrë të vazhdueshme të Qendrës me gjenerator, ku mungon energjia elektrike apo për ngrohjen e godinës etj. Kështu, deri tani, nga pagesa e pacientëve mbulohet vetëm rreth 40 për qind e shpenzimeve që bëhen, duke u ofruar qytetarëve një shërbim me cilësi shumë të lartë, por edhe me kosto të pranueshme ekonomike.

T.D.