Është vështirë të paraqitet dhe të himnizohet e Tërëshënjta. Nuk mund t’i afrohemi për shkak të padenjësisë sonë, por guxojmë me frikë dhe shpresëtari nga nevoja.
E Përmbishenjta ka vendin e parë, nderin e parë. Shkrimi i Shenjtë përmend shumë për Shën Marinë. Folën dhe shkruan për të gjithë etërit e Kishës. Me emrin e saj u mor Sinodi i III-të Ekumenik. E paraqitën agjiografët. E nderojmë ne besimtarët dhe do ta nderojmë deri në fund të botës, siç e tha ajo vetë: “…se që tani e tutje gjithë brezat do të më lumërojnë”. (Luka 1:48).
Dhiata e Vjetër është libri, i cili parapërgatiti botën të pranojë ato që do të vijnë. Flet për ta me shembuj, simbole e ikona.
Dhe për të Përmbishenjtën përdor të njëjtat mjete. Shën Maria në Dhiatën e Vjetër imagjinohet, profetizohet. Në lidhje me të gjitha këto, himnografi thekson: “mësimet e profetëve tregonin Trupëzimin tënd nga Hyjlindësja, o Krisht” (kanoni i fjetjes së Hyjlindëses).
a. Profecitë
Profeci nga Dhiata e Vjetër për Shën Marinë ka shumë. Ne këtu u referohemi vetëm disaprej tyre:
I. Në librin e parë (Gjen. 3:15) bëhet fjalë për një grua, fara e së cilës do të çlirojë njeriun nga tirania e Djallit. Gruaja e profetizuar është e Përmbishenjta dhe fara e saj Krishti.
II. Profeti David në Psalmin 131:8 e quan Hyjlindësen “arkë”. “Ngrehu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, Ti dhe arka jote e shenjtë”. E quan të Përmbishenjtën arkë dhe profetizon kalimin e saj nga toka – në Qiell.
Duke shpjeguar këtë fragment, Shën Grigori i Selanikut thotë:
“Hyjlindësja, e cila lindi Krishtin, bashkëlavdërohet me Perëndinë për shkak të kësaj lindjeje dhe ngjallet bashkë me Krishtin, sipas fjalës profetike. Pas Ngjalljes së Krishtit, u bë arka e ajazmës së Tij”.
III. Profeti Solomon profetizon për të Tërëshënjtën, duke bërë fjalë për një “shtëpi”. Profecia përkatëse thotë: “Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet dhe i lartoi 7 shtylla …”. (Fj. e Urta 9:1). Kjo “shtëpi” e Solomonit është profecia e tij, për Hyjlindësen, nënën e Krishtit, i cili është “dituria vetë”.
IV. Profeti Isaia, pasi pa engjëjt, duke psalur Himnin Trishenjtor “Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Sabaoth” iu afrua një Serafim “në dorë kishte një thëngjill të ndezur që e mori me mashë nga altari”. (6:6). Kjo mashë është e Përmbishenjta e profetizuar. Dhe himnografia e Ipapandisë do të na e kujtojë këtë, kur thuhet: “Ti Hyjlindëse je masha mistike, që more thëngjillin Krisht në barkun tënd”.
V. Profeti Daniel (2:34) “sheh” një statujë të përbërë nga shumë elementë d.m.th. prej ari kishte kokën, prej argjendi gjoksin dhe krahët, prej bakri barkun dhe kofshët, prej hekuri kërcinjtë dhe prej balte këmbët. Pamje mjaft e çuditshme, derisa ra një mal pa e lëvizur askush dhe shkatërroi krijesën. Ky “mal”, që u shkëput dhe ra vetë, është e Tërëshenjta, që pa veprim burri do të lindë Krishtin, i cili do të shkatërrojë mbretërinë, pushtetet e kësaj bote. Të shumta janë profecitë e Dhiatës së Vjetër që i referohen të Përmbishenjtës, por le të kufizohemi në ato të lartpërmendurat, që të kujtojmë e të nderojmë manastirin e Sinait. Sepse rrallë ekziston ikona e Shën Marisë në Ikonostas, ku ajo paraqitet e rrethuar nga katër profetë, të cilët mbajnë në duart e tyre nga një ilitar me frazën përkatëse dhe një simbol. Në pjesën e sipërme majtas profeti David me Arkën, djathtas profeti Solomon me një “barakë” më shtatë hunj. Poshtë majtas, profeti Isaia me pishtar në dorë dhe djathtas profeti Daniel duke mbajtur një “mal të pagërmuar”.
b. Protipozat
Përcaktimet e Dhiatës së Vjetër për Shën Marinë janë:
1. Eva. Mjaft Etër kanë theksuar analogjinë dhe antitezën Eva – Maria. Eva është shkaku dhe nëna e prishjes dhe e vdekjes. Maria është nëna e jetës dhe e pavdekshmërisë.
2. Arka e Dhiatës. Arka mbajti pllakat e Dhiatës, manën dhe shkopin e Aaronit. Virgjëresha mbarti vetë ligjvënësin, Krishtin.
3. Stamna e manës. Hyjlindësja mbajti manën e vërtetë, trupin dhe gjakun e Krishtit.
4. Shkalla e Jakovit. Shën Maria është shkalla, nga e cila zbriti Perëndia, zbresin engjëjt në tokë, dhe ngjiten njerëzit në Qiell.
5. Deti i Kuq. “Deti pas kalimit të Izraelit mbeti i papërshkueshëm”, kështu edhe “e paqortueshmja mbas lindjes së Emanuelit, mbeti e kulluar”. (Hyjlindësore T. I.) “Nga ty vesa doli dhe shuajti zjarrin e idhujtarizmit. Pra, Ty të thërrasim: “Gëzohu virgjëreshë, ti që je copa e leshit gjithë vesë, që parapa Gedeoni”.
Sigurisht, gjithë përcaktimet e Dhiatës së Vjetër për Shën Marinë nuk mund t’i përmendim këtu. Janë të shumta. Por tek Himni Akathist përmenden thuajse të gjitha, ku dhe bëhen shkak që të himnizohet e Përmbishenjta.
c. Emërtimet e së Përmbishenjtës
1. Maria Mariam
Maria është emri i greqizuar i bijës së Nazaretit, e cila quhej Mariam. Në Dhiatën e Re takohen të dy emrat:
– MARIAM: Mateu 1:20, 13:55, Luka 1:30, 34, 38, 39, 46, 56. 2:5, 16, 19, 34.
– MARIA: Mateu 1:16, 18. 2:11. Marku 6:3 Luka 1:41 Veprat 1:14.
Ky është emri kryesor i Hyjlindëses. Të tjerët janë epitete që tregojnë cilësitë apo virtytet e saj. Këtë emër dhe më rrallë atë Dhespina (Zonjë), marrin gra të krishtera për ta nderuar.
Por, duhet të dimë se asnjë emërtim tjetër i Shën Marisë, nga sa vijojnë më poshtë, nuk i përshtatet asnjë gruaje tjetër, sado e virtytshme që të jetë.
2. Hyjlindëse.
Maria nga Nazareti lindi Krishtin. Por Krishti nuk është vetëm njeri ashtu siç duket, është edhe Perëndi, i vetmi Perëndi i vërtetë.
Maria pra “lindi Perëndinë” prandaj dhe quhet Hyjlindëse. Kur quajmë Nënën Hyjlindëse dëshmojmë besimin ndaj Hyjnishmërisë së Krishtit dhe Mishërimit të Fjalës së Perëndisë.
Me fjalë të tjera, do të thoshim se emri Maria, është emri njerëzor, kurse ai Hyjlindëse është emri teologjik.
Afirmimi i tij i dedikohet Sinodit të Tretë Ekumenik, i cili kishte si protagonist Shën Kirillin e Aleksandrisë. Ky sinod në “termin” e tij – term quhet vendimi i sinodit për tema besimi dhe dogme – thekson se “Shën Maria është Hyjlindëse e plotë dhe e vërtetë”.
E së njëjtës rëndësie me emrin Hyjlindëse, është edhe perifraza “Nënë Perëndie”, të cilën e takojmë shpesh nëpër ikonat e së Përmbishenjtës me shkurtime. (MP-ËO).
3. E Përmbishenjta
Ky emërtim thekson mjaft shenjtërimin e Mariamit. Nuk është thjesht e shenjtë, është e Përmbishenjtë. Ashtu siç shprehemi për dikë që është nxënës shumë i mirë, jo vetëm i mirë, por i tërëshkëlqyer.
Me të vërtetë, Mariami grumbullon të gjithë shenjtërinë gjatë gjithë jetës së saj në shkallën më të lartë. Përsa i përket Marisë, nënës së Perëndisë, nuk na lejohet, as të mendojmë mungesë shenjtërimi. Ajo nuk është thjesht e shenjtë, është e Përmbishenjtë.
VI. Gjithmonë e Virgjëra
Një nga të vërtetat kryesore të besimit tonë, është virgjëria e Hyjlindëses, e cila u predikua nga profetët e Dhiatës së Vjetër dhe këtë të vërtëtë nënkuptojnë mjaft ngjarje nga historia e Izraelit. Në mënyrë analoge vepron edhe Kisha jonë sot me predikime dhe himne. Të njëjtën gjë shpreh dhe Agjiografia.
Vëreni tre yjet e Hyjlindëses, të cilët ndodhen në çdo ikonë të saj. Ata tregojnë se Hyjlindësja ishte e virgjër para lindjes, gjatë lindjes dhe pas lindjes. Duke folur për të Përmbishenjtën, Kisha jonë predikon lindjen e Krishtit nga Shpirti i Shenjtë dhe Virgjëresha Mari, një lindje e mbinatyrshme dhe një mister i pakonceptueshëm dhe i paafrueshëm për mendjen njerëzore dhe që mund të pranohet vetëm me anën e besimit.
Në një tropar të Krishtlindjeve theksohet dobësia njerëzore, përsa i përket zbulimit të Misterit:
O Hyjlindëse Virgjëreshë, që linde Shpëtimtarin, përmbyse mallkimin e qëmotshëm të Evës, se u bëre nënë e mirëdashjes së Atit, duke mbajtur në gji Fjalën Perëndi që u mishërua. Misteri nuk duron shpjegim; me besë vetëm e lavdërojmë të gjithë, duke thirrur bashkë me ty e duke thënë; o Zot i pashpjegueshëm, lavdi më ty.
Nuk kërkon shpjegim logjik ky mister, vetëm me besim të gjithë ne i afrohemi, lavdërojmë bashkë me Të dhe thërrasim: Perëndi i pashpjegueshëm (i pakonceptueshëm) lavdi më Ty”.