Në Simbolin e Besimit që lexohet për çdo Meshë dhe shërbese kishtare, ne pohojmë duke thënë: “Besojmë në një Perëndi… krijues të të gjitha të dukurave e të padukurave…”.
Me fjalën “të dukura” ne kuptojmë botën që shohim, botën fizike. Me fjalën “të padukura” kuptojmë botën shpirtërore, botën e engjëjve.
Po ç’janë engjëjt?
Engjëjt janë qenie pa trup, të cilat kanë gjykim, vullnet e fuqi. Janë krijuar nga Perëndia për ta himnuar dhe për t’i shërbyer. Janë shërbyes të Perëndisë.
Emri engjëll, do mëthënë lajmëtar. Rrjedh nga fjala greke “angjellos”. Engjëjt u quajtën me këtë emër për arsye se dërgohen nga Perëndia që t’u njoftojnë njerëzve vullnetin e tij.
Numri i engjëjve është shumë i madh. Sipas llojit të shërbimit që kryejnë, ata ndahen në urdhëra. Sipas Dionis Areopagjitit, urdhërat e engjëjve janë nëntë dhe konkretisht:
Heruvimet Serafimet – Fronet
Z-Gtërueset – Fuqitë. Pushtetet
Paritë Kryeengjëjt Engjëjt
Engjëjt janë krijuar para botës së dukshme. Në librin e Jovit, Perëndia thotë: “Kur u bënë yjet, me himnuan me zë të lartë gjithë engjëjt e mi” (Jov. 38:7), gjë që tregon se engjëjt ekzistonin kur u bë bota e dukshme.
Të gjithë engjëjt, Perëndia i krijoi të mirë e të lirë. Por një pjesë e tyre, duke shpërdorur lirinë e dhënë, nën kryesinë e Eosforit, ranë, u bënë të këqinj. Këta janë djajtë, të cilët i nxisin njerëzit në të keqen. Djajtë janë armiqtë më të mëdhenj të njeriut. Me ngasjet e kurthet e tyre të ndryshme, ata e shtyjnë njeriun në rrugën e mëkatit.
Për secilin nga ne Perëndia ka caktuar një engjëll ruajtës. Në psalmin 90, vargu 11, të Davidit thuhet: “Zoti u jep porosi engjëjve të Tij për ty që të ruajnë në të gjitha veprimet e tua”. Por edhe vetë Shpëtimtari ynë Iisu Krishti thotë në Ungjillin sipas Mattheut (18:10) “Kini kujdes të mos përbuzni asnjë nga këta të vegjlit; se ja tek ju them që engjëjt e tyre në qiejt shikojnë gjithnjë fytyrën e Atit tim qiellor”.
Kisha madje ka caktuar dhe një uratë të vogël për engjëllin ruajtës, të cilën duhet ta dijë secili e ta thotë për çdo mbrëmje para se të flejë.
Shkrimi i Shenjtë na mëson se Perëndia, në këto momente të caktuara historike, i dërgon engjëjt edhe në forma të dukshme për të zbatuar ose lajmëruar ndonjë plan hyjnor me rëndësi.
Na mëson gjithashtu që, në krye të fuqive engjëllore, qëndrojnë kryeengjëjt Mihail dhe Gavriil, të cilët përmenden shpesh si në Dhiatën e Vjetër ashtu dhe në Dhiatën e Re.
Shën Mihaili përmendet në mjaft ngjarje të Dhiatës së Vjetër. Përmendet so u shfaq tek Avraami në kohën kur ai bëhej gati për të bërë fli birin e tij Isaakun. Përmendet pranë Iisu Naviut duke e ndihmuar me shpatën në dorë për marrjen e Jerikonit, si edhe në shumë raste të tjera. Shën Mihaili, thotë gojëdhëna, është ai që, me fjalët: “Le të vemë re”, u vu në krye të pjesës së engjëjve që i qëndruan besnikë Perëndisë gjatë të rënies së Eosforit.
Shën Gavriili përmendet në shumë ngjarje të rëndësishme të Dhiatës së Re. Kështu: Kryeengjëlli Gavriil u dërgua prej Perëndisë në Nazaret të Galilesë për të lajmëruar Virgjëreshën Mari për lindjen prej saj të Zotit Shpëtimtarit tonë, Iisu Krishtit. Po ky u paraqit dhe njoftoi Shën Josifin që të kthehej familja e shenjtë përsëri në Nazaret nga Egjipti, pas vdekjes së Irodhit.
Për të përkujtuar, pra, këto misione hyjnore të kryeengjëjve Mihail dhe Gavriil, si edhe punën që kryejnë engjëjt e shenjtë për ne të krishterët duke na ndihmuar në çdo rast e duke na ruajtur nga çdo rrezik, Kisha caktoi ditën e 8 nëntorit për t’i nderuar vit për vit me shpresëtari dhe respekt të madh.
Uratë për engjëllin ruajtës
Engjëll i shenjtë, ruajtësi i shpirtit dhe i trupit tim, mos më lër mua mëkatarin, as mos u largo prej meje për pakujdesinë time, mos i ler vena djallit të lig të zotërojë mbi mua; mbamë nga dora dhe udhëhiqmë në rrugën e shpëtimit Po o engjëll i shenjtë i Perëndisë, ruajtës dhe mbrojtës i shpirtit dhe i trupit tim, gabimet që kam bërë në jetë si edhe ato të ditës së sotshme, falmi; ruajmë edhe këtë natë nga çdo ndikim të të ligut që të mos zemëroj me ndonjë gabim Perendinë dhe lutju Zotit që të më forcojë në frikën e tij dhe të më tregojë shërbyes të denjë të mirësisë së Tij. Amin.