EmailFacebookKontakt

E Diela e Samaritanes

E Diela e pestë pas Pashkës flet për një grua nga Samaria, me të cilën Krishti foli në pusin e Jakovit (Joani 4). Edhe këtu tema është për “ujin e gjallë” dhe njohjen e Jisuit, si Mesia i Perëndisë (Joani 4:10-11; 25-26). Kjo na kujton për jetën tonë të re në atë, për pirjen tonë nga “uji i gjallë”, për adhurimin tonë të vërtetë të Perëndisë në kohën e krishterë mesianike, “në Frymë dhe në të Vërtetë” (Joani 4:23-24). Ne shohim, gjithashtu, se shpëtimi i ofrohet të gjithëve: Judejve dhe Kombeve, burrave dhe grave, shenjtorëve dhe mëkatarëve.

“Pra si mori vesh Zoti se Farisejtë dëgjuan që Jisui bën dhe pagëzon më shumë nxënës se Joani, – megjithëse Jisui vetë nuk pagëzonte, por nxënësit e tij, – la Judenë dhe shkoi në Galile. Dhe ai duhej të kalonte nëpër Samari. Vjen pra, në një qytet të Samarisë të quajtur Sihar, pranë vendit që Jakovi ia dha Josifit, birit të tij. Dhe atje ishte pusi i Jakovit. Jisui, pra, i lodhur nga udhëtimi, qëndroi kështu tek pusi. Ishte rreth orës së gjashtë. Vjen një grua nga Samaria për të nxjerrë ujë. Jisui i thotë asaj: Më jep të pi. Se nxënësit e tij kishin shkuar në qytet që të blejnë për të ngrënë. I thotë pra gruaja Samaritane: Si ti, duke qenë Judeas, kërkon të pish ujë prej meje që jam grua Samaritane? Se Judejtë nuk shoqërohen me Samaritanët. Jisui iu përgjigj e i tha asaj: Po ta dije dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: Më jep të pi, ti vetë do t’ia kishe kërkuar, dhe do të të kishte dhënë ujë të gjallë. I thotë gruaja: Zot, nuk ke as kovë, dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, këtë ujë të gjallë? Mos je ti më i madh se ati ynë Jakov, që na ka dhënë pusin, nga i cili piu ai dhe bijtë e tij dhe bagëtitë e tij? Iu përgjigj Jisui e i tha: Kushdo që pi nga ky pus, do të ketë përsëri etje; dhe kush pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje për jetë; por uji që do t’i jap atij, do të bëhet tek ai burim uji që do të rrjedhë në jetë të përjetshme. I thotë gruaja: Zot, ma jep këtë ujë, që të mos kem më etje, dhe të mos vij më deri këtu për të nxjerrë ujë.

I thotë asaj Jisui: Shko thirr tët shoq, dhe eja këtu. Iu përgjigj gruaja: Nuk kam burrë. I thotë asaj Jisui: Mirë the se nuk kam burrë; se ke marrë pesë burra, dhe ai që ke tani, nuk është yt shoq, për këtë the të vërtetën. I thotë gruaja: Zot, e shoh se ti je profet. Etërit tanë u falën në këtë mal, dhe ju thoni se vendi ku duhet falur është në Jerusalem. I thotë asaj Jisui: Grua, besomë, se vjen ora kur as në këtë mal, as në Jerusalem nuk do t’i faleni Atit. Ju i faleni atij që nuk njihni, ne i falemi atij që njohim; se shpëtimi është nga Judejtë. Por vjen ora, dhe tani është, kur adhuruesit e vërtetë do t’i falen Atit me shpirt e me të vërtetë, sepse të tillë i kërkon Ati ata që i falen atij. Perëndia është shpirt, dhe ata që i falen, duhet t’i falen me shpirt e me të vërtetë. I thotë gruaja: E di se vjen Mesia, që quhet Krisht; kur të vijë ai, do të na i bëjë të njohura të gjitha. I thotë asaj Jisui: Unë që po të flas ty, jam ai. Dhe në këto arritën nxënësit e tij, dhe u çuditën që ai po fliste me grua; por askush nuk tha: Ç’kërkon? ose: ç’flet me të? Gruaja la, pra, shtambën e saj dhe shkoi në qytet, e u thotë njerëzve:

Ejani të shikoni një njeri, që m’i tha të gjitha sa kam bërë; Mos vallë është ky Krishti?”

Joani 4:1-29

Nëse një njeri i do të gjithë njerëzit me pasion, me përjashtim të njërit, të cilin thotë se nuk mund ta dojë, atëherë ky njeri nuk është më një i krishterë, sepse dashuria e tij nuk është gjithë – përqafuese.
Shën Makario