E Diela e Orthodhoksisë në Tiranë
Ikonat e bekuara nderojmë besërisht…
E Diela e Kreshmëve është një ditë e një rëndësie të veçantë. Mbarë bota Orthodhokse kremton festën e madhe të besimit. E quajtur ndryshe e “E Diela e Orthodhoksisë”, ajo sjell në ditët tona kujtimin e kthimit të ikonave nëpër kisha në vitin 834, nga perandoresha Theodhora, mbas fitores kundër herezisë ikonoklaste.
Me rastin e kësaj të Diele të Madhe, u zhvillua Liturgjia e Shenjtë në Kishën Katedrale “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Tiranë. Ajo u krye nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi. Meshuan gjithashtu, klerikët e fortnderuar Arkimandrit Justini, Arkimandrit Theologu, At Luka, [At Sotir] dhe dhiakonët Josif dhe Viktor.
Gjatë Shërbesës së Mëngjesores, kori i Kishës, nën drejtimin e At Justinit, këndoi mjaft himne lavdërimi të festës së Triumfit të ikonave.
Më tepër se çdo fjalë tjetër, flasin lavdërimet që këndohen gjatë Shërbesës së mëngjesores
E tërë bota gëzohet, se Zoti i forcave nga qielli e përmbysi herezinë e paudhë dhe korët i vendosi pranë në altar dhe në Kishat me brohori…
Liturgjia Hyjnore fillon me lutje drejtuar Zotit. Kryepiskopi Anastas bekon popullin besimtar, duke filluar nga fëmijët e vegjël. Shumë prej tyre mbajnë ikona në duar, për ta bërë sa më prezente festën. Gjithë besimtarët bashkojnë lutjet e tyre teksa tretin vështrimi mbi ikonostas.
At Luka Veroni mbajti predikimin, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të ikonave në Kishë. Katër janë aspektet e kësaj rëndësie: Së pari, ikona është dritare që bashkon Qiellin me Tokën, hyjnoren me njerëzoren. Së dyti, ikona na afron më tepër me lutjen, duke na krijuar rrethana më konkrete të besimit tonë. Së treti, ikona është Ungjill vizual, ku çdo i krishterë mund të “lexojë” apo përjetojë drejtpërdrejt ngjarjet që përcjell Ungjilli dhe Bibla në përgjithësi. Së katërti, ikona na tregon shumë qartë rreth mishërimit të Perëndisë. Perëndia mori trup njeriu, kështu që Ai u bë i dukshëm ndër njerëzit. Ikona është jo vetëm pjesë e traditës, por edhe pjesë e historisë së vetë Kishës.
Klerikët e nderuar, të shoqëruar nga fëmijët, duke mbajtur ikonat e shenjta në duar, kaluan përreth Kishës nga brenda tek lumëronin Zotin e Gjithëpushtetshëm. Besimtarët e shumtë, luteshin duke bërë kryqin e duke falenderuar Perëndinë për Dashurinë ë Tij të paanë.
Me rastin e së Dielës së Orthodhoksisë, Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik Vartholomeu, dha një Qarkore Patriarkale dhe Sinodike, e cila u lexua para besimtarëve.
Gjithashtu, duke qenë se Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas sapo ishte kthyer nga vizita që zhvilloi së bashku me një delegacion nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në Patriakanën e Antiokisë, i transmetoi popullit besimtar përshëndetjet e ngrohta dhe vëllazërore të orthodhoksëve të atjeshëm.
Fortlumturia tha, se kjo ishte vizita e parë për një delegacion të Kishës sonë në Patrikanën e Antiokisë. Ajo çka ne duhet të mbajmë në zemrat tona, ka të bëjë me Festën e Orthodhoksisë. Ky mesazh na bën të kuptojmë se ne të krishterët, bashkësia jonë Orthodhokse këtu, nuk është një pjesë e veçuar në botë, por është një pjesë e konsiderueshme e botës së madhe Orthodhokse të krishterë.
Naum Mile