Pas kreshmimit pendimtar të ditëve të para të Kreshmës, e diela e parë është e kremtja e Falenderimit, kur kremtojmë triumfin e Orthodhoksisë. Në këtë ditë Kisha përkujton fundin e debatit mbi kundërshtimin e ikonave dhe rivendosjen përfundimtare të tyre në kisha nga perandoresha Theodhora. Kjo ndodhi në të Dielën e parë të kreshmës, 11 mars 843.
Nëse Orthodhoksia triumfoi në kohën e kundërshtimit të ikonave, kjo ndodhi sepse shumë prej besimtarëve ishin përgatitur për të pësuar tortura dhe vdekje, për hir të së vërtetës. E kremtja e Orthodhoksisë është, mbi të gjitha, një e kremte për nder të martirëve dhe rrëfyesve, që u përpoqën dhe vuajtën për besimin. Ndaj, ajo është përcaktuar në këtë kohë të kreshmës, kur ne përpiqemi për të imituar martirët nëpërmjet kuptimit të vetëmohimit tonë asketik.