30 vjet mëparë në “Ngjallja” (Janar 1993) – Kuvendi Kleriko-Laik i Kishës, pas ringritjes kanonike
E bashkuar dhe e organizuar Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do t’i qëndrojë besnike Kanoneve dhe Traditave të saj
Presidentit të Republikës, z. Sali Berisha;
Kryetarit të Kuvendit Popullor, z. Pjetër Arbnori;
Kryeministrit, z. Aleksandër Meksi.
Kuvendi kleriko-laik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë nga klerikët dhe përfaqësuesit e Këshillave Kishtare të të gjitha zonave arhieratike të Shqipërisë, të zgjedhur nga besimtarët orthodhoksë të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kavajës, Elbasanit, Korçës, Pogradecit, Ersekës, Leskovikut, Gjirokastrës, Përmetit, Delvinës, Sarandës, Himarës, Vlorës, Beratit, Fierit dhe Lushnjës, mbledhur në Durrës më 21.1.1993, pasi u njoh me Projekt-ligjin e paraqitur nga Qeveria për komunitetet dhe organizatat fetare, si dhe me disa amendamente që duan t’i shtojnë qarqe të caktuara, shprehet unanimisht se:
1. Biem dakord me projektligjin e ri të paraqitur nga Qeveria si thellësisht demokratik e në përputhje me frymën e lirë të orthodhoksisë dhe me aktet e konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti ynë.
2. Kundërshtojmë kategorikisht amendamentet që tentohet t’i bëhen, të cilat i vënë komunitetet dhe organizatat fetare në varësi të shtetit, çka bie ndesh me frymën e vetë këtij ligji.
Duke i qëndruar besnik parimit të autoqefalisë, Kongresi i ardhshëm kishtar do të përcaktojë Statutin e ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila nuk mund të funksionojë sot, në demokraci, as mbi bazën e Statutit të hartuar në kushtet e monarkisë dhe as të atij të diktaturës.
Megjithëse Kisha jonë, pas persekutimit të gjatë komunist u gjend pa asnjë episkop, pa asnjë pasuri e pronë dhe me një bazë materiale thuajse krejtësisht të shkatërruar, është fakt se sot është e organizuar sipas traditave orthodhokse dhe e bashkuar rreth Kryepiskopit të saj të zgjedhur kanonikisht, Anastasit, fakt ky që siguron riorganizimin e saj të shpejtë në të mirë të kombit, siç është theksuar në mënyrë të përsëritur edhe në peticionet e besimtarëve orthodhoksë nga e gjithë Shqipëria. Orvatjet për largimin e tij synojnë që ta lënë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si një trup pa krye. Ato janë në kundërshtim me frymën demokratike të shtetit tonë, me normat kombëtare e ndërkombëtare të Evropës së bashkuar e të rendit të ri botëror.
Çdo përpjekje për të penguar funksionimin normal të Kishës sonë, do të përbënte fatkeqësi të vërtetë kombëtare dhe do t’i linte shteg ndërhyrjes së Kishave të tjera nga jashtë. Nga ana tjetër, një vendim i mundshëm negativ i Parlamentit, në kundërshtim me vullnetin e klerit dhe të besimtarëve orthodhoksë shqiptarë, do të ishte kanonikisht i pavlefshëm.
3. Kërkojmë që të miratohet sa më parë ligji për kthimin e pronave e pasurive edhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si faktor i domosdoshëm për pavarësi ekonomike të qëndrueshme, gjë që përbën predispozitë thelbësore për qëndrueshmërinë e autoqefalisë.
Këshilli Kleriko-Laik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë,
Durrës, më 21.1.1993.