EmailFacebookKontakt

Durrsakët kremtojnë dhe nderojnë shenjtin e qytetit të tyre, bashkëqytetarin dhe episkopin martir, Shën Astin

Shën Asti ka qenë dhe vazhdon të jetë një shenjtor tepër popullor ndër besimtarët e krishterë orthodhoksë të Durrësit, aq sa edhe mjaft qytetarë të tij mbanin dhe mbajnë këtë emër, si dhe ndërtonin edhe kisha për nder të tij (historianë, kronistë dhe arkeologë dëshmojnë mjaft për të, ku ndër të tjera përmendim katedralen e madhe të qytetit për nder të Shën Astit dhe Isavrit, në shek. XIII-XIV; në Spitallë në vitin 1917; në varrezat e vjetra të qytetit rreth vitit 1957, sot pranë portit detar 2002). Emri i tij kalon kufinjtë e qytetit dhe të vendit tonë, duke u përmendur dhe pikturuar në afreske edhe në kisha të vendeve fqinje.

Shumë besimtarë u mblodhën në 6 korrik në kishën e Apostull Pavlit dhe Shën Astit të qytetit të Durrësit për kremtimin dhe nderimin e shenjtit të qytetit të tyre dhe bashkëqytetarit dhe episkopit martir, Astit të lavdëruar.

Kisha e qytetit, kjo bashkësi në Krishtin, me dëshirë për të jetuar e festuar së bashku si një komunitet adhurues dhe falenderues në Krishtin u përpoq të aktivizohej e gjitha në këtë panair, ku mori pjesë edhe Fortlumturia e tij Kryepiskopi Anastas. Fëmijët e katekizmit dhe fëmijët e Shtëpisë “Shpresa” të ardhur nga Shën Vlashi, mbanin lule shumëngjyrëshe në duar dhe hidhnin petale lulesh dhe dafina përpara Kryepiskopit. Të rinj e të rritur kishin zbukuruar kishën me palma e dafina, flamuj dekorativë dhe psalnin gjatë adhurimit bashkë me gjithë popullin. Për ta nderuar Shën Astin erdhën edhe besimtarë nga Kavaja dhe Tirana. Bashkë me Kryepiskopin meshuan at Efrem Simonopetriti, priftërinjtë e qytetit at Spiro Tola dhe at Spiro Qosja, at Asti Beshiri, at Andon Merdani.

Në predikim u fol shkurtimisht për jetën e tij dhe se si Asti u dëftua shembull lumërimi për 7 të krishterë të ardhur nga Italia (Peregrini, Lukiani, Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini, Gjermani), të cilët u martirizuan edhe ata po në Durrës. Gjithashtu u theksua se Durrësi ka një shembull të gjallë të imitimit të Krishtit po nga një qytetar i tij, ku mbi këtë shembull dhe të predikuesve të tjerë parardhës u vu një gur qosheje i krishterimit në qytet. Ia vlen të imitojmë e të zhvillojmë sot akoma më shumë qenien tonë si orthodhoks, duke treguar që kemi një taban besimi, kulture, vlerash sakrifice dhe dashurie për jetën, në historinë e qytetit dhe të shoqërisë shqiptare.

Pastaj predikuesi përmendi një shembull mjaft të mirë e tradicional të nderimit të Shën Astit, duke iu referuar parathënies së Shërbesës së tij, hartuar në Durrës në Mitropolinë e Hirshme, më 26 korrik 1917, nga Mitropoliti Jakov, se: “priftërinjtë e qytetit u porositën përmuaj të tërët t’i japin djemve të sapopagëzuar emrin e shenjtit. Filluam të ndërtojmë një kishë në zonën e Spitallës, që ndodhet gjysmë ore larg Durrësit, bëmë ikonën e Shën Astit dhe Episkopit të parë të Durrësit, sipas traditës, Apostull Qesarit, në kishën e shenjtë të Shën Gjergjit. Por, plus këtyre të gjithave përkujdesjeve dhe formimit të Shërbesës me këngë për të kremten në fjalë, përkushtuar tërësisë shpresëtare të Dioqezës sonë të Hirshme dhe veçanërisht të krishterëve kremtëdashës të Durrësit, dhe duke i këshilluar në mënyrë atërore si kujtues të vdekjes në kryq të Episkopit plak dhe hierodëshmorit Asti dhe të nderit të lartë, ku edhe nderohet qyteti dhe me anë të tij e gjithë Dioqeza e Durrësit, duke kryer çdo vit kujtimin e tij të përvitshëm me urtësi, shprestari dhe panagjirikisht, që nga viti im i parë në fronin hieratik në vitin 1911, duke lavdëruar dhe madhëruar atë ndër shenjtorët e Zotit dhe Perëndisë tonë të madh e të lavdëruar, Jisu Krishtit. I Tij qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.”

E së fundi kujtoi fjalët e apostull Pavlit: “Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre. Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjtë 13: 7-8).

Në fund të Liturgjisë Hyjnore Kisha e Durrësit u ofroi të gjithë besimtarëve pjesëmarrës ëmbëlsira dhe pije freskuese, si pjesë kjo e festës.

Hierodhjakon Asti Bakallbashi