Ashtu si në mbarë vendin tonë edhe në Durrës Pashka u kremtua me lavdinë që i përket Atij që u ngjall prej së vdekurish.
Prej disa vjetësh besimtarët e kremtojnë këtë festë të madhe të orthodhoksisë me bekimin e Perëndisë në katedralen e re, që i kushtohet Apostull Pavlit, si dhe Shën Astit. Nuk ishte e vështirë që shumë më herët të dalloje përgatitjet për Javën e Madhe në këtë kishë. Gjithçka ishte e organizuar deri në detaje, që e gjithë Java e Madhe e sidomos Nata e Ngjalljes të krijonte atmosferën mistike, por edhe të gëzueshme të kësaj feste. Për më shumë, tradicionalisht në Durrës nata e Pashkës është kthyer në një natë që mbledh bashkë anëtarë të besimeve të ndryshme.
Çdo ditë, qindra e mijëra besimtarë mbushnin mjediset e kishave dhe sidomos e veçantë ishte e Premtja e Zezë, me nxjerrjen e epitafit në rrugët e qytetit.
Por, veçanërisht festive ishte nata e së shtunës, me Shërbesën e Ngjalljes, që mblodhi në Kishë dhe në mjedisin rreth saj mijëra njerëz, një numër i paparë ndonjëherë. Duke krijuar kështu një atmosferë krejt ndryshe nga netët e tjera.
Shërbesat filluan rreth orës 23:15 dhe pak nga pak akrepat e orës i afroheshin orës 24:00. Pas leximit të Përshëndetjes së Kryepiskopit Anastas, drejtuar besimtarëve, gjithçka ishte e tendosur për të pritur fjalët që i japin kuptim besimit tonë: “Krishti u ngjall!”
Me këto fjalë iu drejtua at Spiroja besimtarëve. Fishekzjarre, drita, sirena anijesh shpërthyen menjëherë në ato çaste. Gjithçka për të treguar lavdinë e asaj nate.
Krishti u ngjall! Krishti u ngjall! Krishti u ngjall! Kjo ishte gjithçka që dëgjohej nga çdo besimtar.
Vërtet Krishti ngjall së vdekuri. Lavdinë e Tij sot ne përjetojmë. E më pas trokitje vezësh e përsëri “Krishti u ngjall!”. Një natë e veçantë, e cila do të ndriçojë shpirtrat tanë, për të na dhënë forcë në rrugën e vështirë të shpëtimit.
K. Bakallbashi