EmailFacebookKontakt

Duke mbështetur shpresën

Filluan edhe këtë vit shkollor mësimet në të gjitha qendrat arsimore të Kishës sonë: kopshtet, shkollat 9-vjeçare, të mesme e deri tek ato të nivelit universitar. Paralelisht nisën edhe mësimet e katekizmit dhe takimet e fëmijëve e të të rinjve.

Në një terren ku shoqëria përballet me probleme gjithnjë e më të mprehta lidhur me institucionin e familjes dhe braktisjen e vendit, arsimi përbën një kontribut aspak të lehtë dhe shumë përtej detyrimeve imediate të një Kishe. Megjithatë kjo realizohet falë përkujdesjes së Kishës për të rinjtë. Besimi dhe lutja e Kryepiskopit tonë i bën realitet ato që edhe ëndrrat më të guximshme nuk i nxinin para tre dekadash.

Çelën dyert 15 kopshte për fëmijë që funksionojnë në parametrat më të avancuara nga kushtet dhe pedagogjia, shkolla 9-vjeçare dhe të ciklit të mesëm të ulët në Tiranë, Durrës, Gjirokastër dhe të mesme të larta në Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, si dhe Kolegji Universitar “Logos”, të gjitha të administruara nga Fondacioni “Fryma e Dashurisë”, i themeluar dhe nën kryesimin e Kryepiskopit Anastas, me bashkëpunëtorë të shumtë drejtues e mësimdhënës të vyer.

Më tepër se 250 arsimtarë të të gjitha niveleve dhe mbi 100 personel ndihmës dhe mbështetës, sigurojnë jo vetëm punë të përditshme, por edhe përmbushin misionin e tyre në përhapjen e dijes, në një ambient familjar dhe mirëkuptues, ku tregohet kujdes i posaçëm për kualifikimin dhe lartësimin e tyre profesional dhe shpirtëror.

Natyrisht, ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë janë pranuesit e gjithë kësaj veprimtarie filantrope janë fëmijët, nxënësit, të rinjtë e të rejat, studentët tanë. Numri i tyre arrin në mbi 2500. Të gjithë, në një mënyrë ose një tjetër, mbështeten nga dashuria e Kryepiskopit Anastas që, duke vijuar një traditë të lashtë të Kishës sonë, bëhet faktor shprese dhe optimizmi.

Motivi ynë nuk është përfitimi, pasi shpenzimet janë shumë më tepër se kontributet e familjeve të fëmijëve që shkollohen në “Frymë Dashurie”. E gjitha kjo realizohet me shpresën për të përçuar dashurinë e krishterë dhe për të kultivuar virtytet; për të rezistuar dhe mbështetur shpresën e besimit me dashuri dhe durim.

O.B.