Në mesin e vargmaleve Jugperëndimore, ndodhet një nga fshatrat më të hershëm e më të mëdhenj të Shqipërisë – Dukati. Ai është i banuar nga mbi 5000 banorë. Këtu jetojnë në harmoni të plotë dy komunitete fetare. Prioritet kanë pasur ritet orthodhokse, që festohen bashkërisht nga të dy besimet. Shumë toponime e mbiemra fisesh paraqiten edhe sot me emërtim orthodhoks. Kjo, sepse paraardhësit tanë janë kthyer në myslimanë jo më shumë se 3-4 breza më parë, si rezultat i kushteve të rënda të jetesës nën persekutimin turk. Një pjesë e tyre i rezistuan shtypjes dhe sot ekziston lagjja orthodhokse, e quajtur Thilpat, me kishën e Shën Dhimitrit. Historikisht ajo është ndërtuar para vitit 1780, në tokën e falur nga një banor, me kontributin e të krishterëve të fshatit.
Brenda trevës së Dukatit ka shumë vende të shenjta orthodhokse: Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Gjergjit, Kisha e Shën Ndreut, kisha e Gramës, Kisha e Shëndëlliut, Kisha e Shën Vasilit e Manastiri i Marmiroit. Një pjesë e këtyre kishave dhe sot janë të mbuluara.
Lufta ateiste që bëri diktatura komuniste për zhdukjen e fesë në Shqipëri dëshmohet nga shkatërrimi i institucioneve fetare. Një fat të tillë pësoi në 1967 dhe kisha e Shën Dhimitrit, ku ngeli pa rrafshuar vetëm një pjesë muri. Por, besimtarët orthodhoksë dukatas i ruajtën nëpër qoshe të fshehta ikonat e shenjtorëve dhe kandilin e i kujtonin e luteshin para tyre. Dhe ja, erdhi përsëri dita që Shën Dhimitri të marrë fizionominë e tij të plotë. Kjo u bë realitet në sajë të kontributit të Kryepiskopit Anastas e Kryesisë së KOASH. Nuk ka gëzim më të madh për dukatasit kur, në harmoni me besimet e tjera, kremtojnë në kishën e Shën Dhimitrit festat e mëdha orthodhokse.
dhjakon Jani Konomi
Student i shkollës Teologjike-hieratike