EmailFacebookKontakt

Dukat – Vlorë: Tradita të lashta orthodhokse

Krishterimi në Shqipëri është përhapur në shekullin e parë pas Krishtit. Qendra të mëdha si: Vlora, Durrësi, Apollonia, Butrinti, Nikopoja, nuk mund të mos tërhiqnin vëmendjen e misionarëve të parë të doktrinës së re. Dukati, si e gjithë Shqipëria, e ka përkrahur besimin e ri. Këtë e tregojnë toponimet e vjetra dhe kishat e shumta të ngritura në fshatin tonë.

Këto kisha, që njihen mirë nga të gjithë dukatasit, janë:
– Kisha e shën Dhimitrit në Thilpat
– Kisha e shën Kollit në Mazo
– Kisha e shën Gjergjit në Gjonbit
– Kisha e shën Janit në breg të shën Janit
– Kisha e shën Thanasit dhe kisha e shën Varvarës në Fushë-Dukat
– Kisha e shën Spiridhonit në Orikum
– Kisha e shën Ilisë në Shëndëlli
– Kisha e shën Andreas në Shëndre
– Kisha e shën Nikollës në Gramë
– Kisha e shën Vasilit dhe ajo e shën Janit në Karaburun.

Përmbi të gjitha këto qëndron manastiri “Fjetja e Shën Marisë” ose siç njihet nga të gjithë ne – “Kisha e Marmiroit”, një monument shumë i lashtë kulture, i ndërtuar në shek. VII. Siç tregojnë etërit tanë, afresket e saj, gjurmët e të cilave gjenden ende, kanë qenë të mahnitshme për nga bukuria. Nga kishat që përmendëm më sipër, një pjesë e tyre u rindërtuan e funksionojnë edhe sot, një pjesë e tyre kanë vetëm muret e të tjerat themelet.

Prania e të gjitha këtyre objekteve të kultit tregon qartë besimin tonë të krishterë deri në pushtimin osman. Dihet nga historia se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, pushtimi u shtri në të gjithë vendin. Prej këtij sundimi të ri, që sillte me vete edhe një doktrinë të re fetare, një pjesë e shqiptarëve u detyruan të largohen në Greqi e Itali për të ruajtur besimin dhe traditat. Nga ata që mbetën, një pjesë për të përfituar nga privilegjet që u jepte sundimi dhe një pjesë për t’u shpëtuar përndjekjeve, pranuan fenë e re. Kjo dukuri pati ndikimin e vet dhe në Dukat, ku një pjesë fisesh u shpërngulën në Palasë, por edhe në Myzeqe dhe në vende të tjera me shumicë orthodhokse. Pati gjithashtu një numër të madh fisesh që i qëndruan shtypjes dhe as u larguan dhe as ndërruan fenë, siç janë fiset Qesargjoni, Kaporaj, Qiric Miloj, Gjikokaj, Gjipalaj, Notaj etj. Ajo pjesë që pranoi fenë e re islame, është kthyer me vonesë, dhe këtë e tregojnë, përveç fakteve historike edhe ndarjet brenda fisit në besim. Kështu janë sot kushërinj të tretë Qiric Milojt me Brahim Milojt, Gjikokajt me Berdojt etj.

Megjithëse ekziston kjo ndarje për arsyet që thamë më lart, dukatasit i ka karakterizuar gjithmonë mirëkuptimi dhe harmonia vëllazërore. Që në vitin 1730 kur është ndërtuar xhamia e parë dhe kanë filluar të vihen emrat myslimanë e deri në ditët tona, si Pashka ashtu edhe Bajrami janë festuar e festohen së bashku. Në Dukat klerikët janë respektuar nga besimtarët e të dy komuniteteve fetare. Të krishterët në Dukat i kryejnë ritet fetare rregullisht e në mënyrë të organizuar për vetë faktin se kanë institucionin e tyre, si dhe klerikun. Nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, është restauruar kisha e shën Dhimitrit në Thilpat dhe është ndërtuar e re kisha e shën Spiridhonit në Orikum. Një rëndësi të veçantë marrin shërbesat e festave kulmore si Krishtlindjet dhe Pashkët e Mëdha, kur kishat mbushen plot me besimtarë nga të dyja komunitetet.

At Jani Konomi, Dukat