Ditët e fundit opinioni është njohur me hirotonisjen nga Patrikana Ekumenike të tre Mitropolitëve për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Për të mos lënë vend për keqinterpretime, bëjmë të njohur:
Kryepiskopi Anastas, kur u thirr urgjentisht në Patrikanën Ekumenike (22.7.1996), për të kryer hirotonisjet, pasi analizoi kushtet specifike dhe vështirësitë e shumanshme, vuri në dukje (23.7.1996) se:
“Për mua do të ishte bekim nëse pranë do të kisha, për të marrë pjesë në veprën e mundimshme të ringritjes nga gërmadhat të Kishës së Shqipërisë, jo vetëm tre, por shumë më tepër Mitropolitë dhe klerikë të tjerë. Por, ngjarjet duhen kuptuar siç janë dhe të trajtohen seriozisht. Në Shqipëri tashmë janë forcuar frika e shqetësimet se grekët tentojnë të depërtojnë e të realizojnë planet e tyre etnike nëpërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Sigurisht, këto pikpamje janë të padrejta e jashtë realitetit; megjithatë, janë të deklaruar qartë… Eshtë i njohur reagimi i prerë i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. S. Berisha, pas zgjedhjes së Kryepiskopit dhe Mitropolitëve. Gjatë takimit të tij me Delegacionin e Patrikanës, kishte theksuar qartë, se Qeveria Shqiptare nuk ka për të pranuar edhe një Episkop tjetër grek. Kishte bërë kundërpropozimin që të kërkoheshin mitropolitë të ndonjë nënshtetësie tjetër. Nëse Patrikana Ekumenike, pa u marrë vesh fare me autoritetet shqiptare, do të ndërmarrë realizimin e vendimit në fjalë, rezistenca do të jetë shumë më tepër negative. Shqipëria është një vend i pavarur, ka ligjet e saj dhe qeveri sovrane. Dëshirojmë të kujtojmë se edhe ne nuk do ta kishim pranuar zgjedhjen tonë dhe nuk do kishim dhënë Mesazhin e Madh (12 korrik 1992), nëse nuk do të kishte ekzistuar më parë miratimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ne besojmë se veprimi më i përshtatshëm është vazhdimi i dialogut me autoritetet shqiptare dhe jo një befasim i ri. Të gjithë sa ndjekim nga brenda ngjarjet dhe jetojmë në këtë vend, jemi të bindur se veprime të nxituara… do të shkaktojnë reagime të disfavorshme e pasoja në jetën e Kishës në Shqipëri. Siç kemi theksuar edhe më parë, do ishte e dëshirueshme ardhja në Shqipëri e një delegacioni Hierarkësh të Sinodit, për të trajtuar problemin edhe me Funksionarët vendas Orthodhoksë këtu, të cilët e njohin gjendjen në thellësi dhe e përjetojnë edhe vetë provën e qëndrimit të disfavorshëm të tejzgjatur ndaj udhëheqjes Orthodhokse”.
Lidhur me hirotonisjen e tre Mitropolitëve për Shqipërinë përfaqësuesi i Qeverisë Shqiptare i dorëzoi (2.8.1996) Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastasit, një letër ku thuhet:
“Hirësi.
Megjithë respektin për personin Tuaj, rrethanat na detyrojnë t’Ju njoftojmë qëndrimin tonë për emërimin nga Patriarkana e Stambollit të tre mitropolitëve grekë në Shqipëri. Njoftimin e morëm nga shtypi. Na çuditi fakti se si Patrikana, pa një bisedim paraprak me përfaqësues të Qeverisë Shqiptare, merr vendim që i gjithë Sinodi në Shqipëri të përbëhet nga qytetarë grekë. Kjo jo vetëm që tejkalon çdo etikë të marrëdhënieve ndërmjet palëve, por njëkohësisht prek ndërgjegjen kombëtare të popullit tonë, përfshirë edhe orthodhoksët shqiptarë. Ju lutem, Hirësi, t’i bëni prezent Patrikanës qëndrimin tonë të prerë, për të mos lejuar më asnjë klerik të huaj të drejtojë punët e fesë në Shqipëri. Ky qëndrim s’ka të bëjë aspak me miqësinë e popullit tonë me popullin grek. Hirësi, pranoni ndjenjën e konsideratës tonë të lartë për Shkëlqesinë Tuaj.”
Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që u mblodh të shtunën (3.8.1996), ra plotësisht dakord e miratoi njëzëri pikpamjet e Kryepiskopit Anastas, të cilat ia kishte parashtruar Patrikanës Ekumenike me anë të dy letrave.
Tiranë, më 5 gusht 1996
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë