Ky shkrim erdhi në redaksi vetë pak ditë para aksidentit që i ndodhi At Sotirit. Eshtë një dëshmi e interesit dhe e kujdesit aktiv të tij për gjithçka që kishte të bënte me punët e Kishës. Dhe njëkohësisht, edhe një bashkëpunim më shumë, në vazhdën e shumë artikujve që At Sotiri kishte botuar në faqet e gazetës. Me të ne humbëm një shok shumë të dashur dhe një bashkëpunëtor të afërt prej vitesh, që përpiqej që botimet orthodhokse të ishin në duart e çdo besimtari.
Me rihapjen e kishave, krahas punës së madhe për rindërtimin, meremetimin dhe rikonstruksionin e tyre dhe për ngritjen e Seminarit Teologjik, që përgatiti klerikët e rinj, rëndësi iu kushtua ngritjes së shtypshkronjës, e cila do të botonte gazetën e materiale të tjera fetare, që do bëheshin ushqimi shpresëtar për gjithë besimtarët.
Me botimin e numrit të parë të gazetës “Ngjallja”, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, theksoi: “Dritën e ngjalljes dëshiron të rrezatojë dhe të përhapë artikujt e lajmet e saj.” Dhe vërtet, gjatë këtyre shtatë viteve të krijimit të saj gazeta “Ngjallja” ka qenë një zëdhënëse e fjalës së Zotit tonë Jisu Krisht, e përhapjes së Ungjillit të Shenjtë. Ajo ka pasqyruar me realizëm e devotshmëri jetën e orthodhoksëve dhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Fjalimet dhe predikimet e mbajtura nga Kryepiskopi, të cilat i ka botuar gazeta “Ngjallja”, janë një shembull i shkëlqyer i zbërthimit të mendimit orthodhoks, ato kanë ndihmuar në zbutjen e krizave të ndryshme në Shqipëri dhe kanë treguar zemërgjerësinë, urtësinë, largpamësinë, dashurinë orthodhokse për probleme të ndryshme.
Duke parë punën e madhe që bën kjo gazetë për edukimin e besimtarëve orthodhoksë, na del për detyrë që të gjithë të jemi të parët që ta marrim e përhapim atë. Me kënaqësi tregojmë, se shumë vetë e marrin, e lexojnë dhe nxjerrin detyra për punën e tyre nga studimi i kësaj gazete.
Por, me zhvillimin e madh që ka marrë përhapja e mendimit orthodhoks, duhet më shumë kujdes, seriozitet e vëmendje në shpërndarjen e gazetës, që ajo të lexohet nga të gjithë orthodhoksët dhe që të arrihet kjo, duhet në radhë të parë të shtohet numri i të abonuarve. Duke ardhur gazeta në shtëpi ajo bëhet burim frymëzimi jo vetëm për pjesëtarët e famljes, por edhe të shumë personave të tjerë, që vijnë e na vizitojnë.
Gazeta dhe revista “Gëzohu” shiten me një çmim simbolik, sepse, në të vërtetë çmimi i kostos reale është mjaft më i lartë dhe subvencionohet nga Kryepiskopata.
Pranda, nuk duhet të ngelet asnjë besimtar dhe fëmijë orthodhoks pa u abonuar në këta dy organe të rëndësishëm që boton Kisha jonë, nën kujdesin e vazhdueshëm të Kryepiskopit Anastas.
Shembullin e parë për të bërë abonimet duhet ta japin në radhë të parë personat klerikë – laikë, këshillat kishtare dhe kishat. Në këtë mënyrë, do bëhemi lexues dhe përhapës të gazetës dhe revistës dhe në përgjithësi të botimeve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
At. Sotir Xhaferri
Kostandin Bozaxhiu