EmailFacebookKontakt

Dritë nga Ungjilli – Ungjilli sipas Mattheut

tyrëstme. të Tërëndinjënut, Zotit tonë, Iisu Krishtit

Po mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; se as ju nuk hyni dot, as nuk i leni të hyjnë ata që kërkojnë të hyjnë.

Mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se gllabëroni shtëpitë e vejushave, duke bërë në dukje lutje të gjata; prandaj, do të merrni dënimin më të madh.

Mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se përshkoni det e tokë për të bërë një ithtar; dhe si të jetë bërë i tillë, e bëni bir të Gjehenës dy herë më shumë se ju.

Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: Në qoftë se dikush betohet për tempullin, s’ka gjë; por ai që betohet për arin e tempullit, bëhet borxhli. Të marrë dhe të verbër, se, cili është më i madh: ari apo tempulli, që shenjtëron arin? Dhe në qoftë se dikush, thoni ju, betohet për altarin, nuk ka gjë; por, në qoftë se betohet për dhuratën që është sipër tij, bëhet borxhli. Të marrë e të verbër, cili është më i madh: dhurata apo altari që shenjtëron dhuratën? Pra, kush betohet për altarin, betohet për të e për gjithçka që ai ka sipër. Dhe kush betohet për tempullin, betohet për të e për Atë që banon aty. Dhe kush betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për Atë që ulet mbi të.

Mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se paguani të dhjetën e mendrës, të koprës e të barit të gjumit, dhe shkelni porositë më të rëndësishme të ligjit: gjykimin, dhe përdëllimin, dhe besimin. Këto janë gjëra që duhen bërë, pa lënë të tjerat. Udhëheqës të verbër, që shtrydhni mizën dhe përpini gamilen.

Mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se pastroni pjesën e jashtme të gotës dhe të pjatës, ndërsa brenda janë mbushur me ato që keni grabitur dhe me padrejtësi. Farise i verbër, pastro më parë atë që ka brenda gota dhe pjata, që edhe nga jashtë të bëhet e pastër.

Mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se u ngjani varreve të lyer me gëlqere, që duken të bukur nga jashtë, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe çdo lloj kalbësire. Kështu edhe ju, nga jashtë u dukeni të drejtë njerëzve; por brenda jeni plot me hipokrizi dhe padrejtësi.

Mjerë ju, shkrues e Farisej hipokritë, se ndërtoni varret e profetëve dhe stolisni varret e të drejtëve, dhe thoni: Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim qenë bashkëpjesëtarë me ta në derdhjen e gjakut të profetëve. Në këtë mënyrë ju dëshmoni kundër vetes tuaj, se jeni bij të atyre që vranë profetët. Dhe ju plotësoni, gjithashtu, masën e etërve tuaj! Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do të shpëtoni dënimit të ferrit?

(Matth. 23, 13-33)

UNGJILLI SIPAS MATTHEUT

Sapo hapim Dhiatën e re gjejmë si libër të parë të saj “Ungjillin sipas Mattheut”. Ky mbishkrim është nga më të vjetrit dhe tregon se ky Ungjill është shkruar nga ungjillori i shenjtë Matthe, siç janë shkruar dhe të tjerët nga Marku, Llukai dhe Joani.

Mattheu, siç na informon ungjillori i shenjtë Marku, ishte biri i Alfeut, që më parë quhej Levi (Mark. 2:14). Ishte tagrambledhës në Kapernaum, njeri në gjendje shumë të mirë, siç del nga Ungjijtë. Kur një ditë kaloi Zoti dhe e pa duke ndenjur në doganë, i tha: “Eja pas meje”. Dhe ai menjëherë la punën dhe të mirat e veta, dhe si shtroi një gosti përshëndetëse për të gjithë shokët e vet të profesionit, i shkoi pas Krishtit me besim të plotë.

Pas ngjalljes së Zotit, mbeti bashkë me nxënësit e tjerë në Jerusalem, të paktën deri sa u vra Stefani. Mori pjesë në Sinodhin e Parë Apostolik. Dëshmi shumë të vjetra theksojnë se predikoi Ungjillin, në fillim tek hebrejtë e Jerusalemit e të Palestinës dhe pastaj tek partët dhe etiopianët, ku edhe vdiq si martir.

Ndoshta, para se të ikte në viset pagane, shkroi për hebrenjtë e krishterë Ungjillin e tij në gjuhën hebraike ose më saktësisht në gjuhën aramaike, e cila përdorej në atë kohë. Pastaj e përktheu, ka të ngjarë vetë, në gjuhën greke për pjesën më të madhe të hebrejve të diasporës, të cilët flitnin greqisht, si dhe për të krishterët e tjerë që, edhe pse nuk e njihnin aspak hebraishten, njihnin mirë greqishten.

Teksti hebraik ra në duart e hebrejve, të cilët e transformuan sipas pikëpamjeve të tyre dhe që nga shek. i 4-t e këtej është zhdukur. Kisha gjithnjë ka pranuar dhe ka përdorur si tekst atë të shkruar në gjuhën greke.

Se kur e ka shkruar saktësisht nuk dihet. Disa thonë se e ka shkruar hebraisht menjëherë pas vitit 40 pas Krishtit. Pikëpamja më e sigurt është se tekstin grek e ka shkruar ndërmjet viteve 60-70. Qëllimi i tij ishte të paraqiste jetën dhe veprën e Zotit, sidomos në Galile, ndërsa synimi i tij i veçantë ishte të bindte me siguri hebrejtë e krishterë se Iisui ishte Mesia i pritur, pasardhësi i Avraamit, nga fisi i Judës dhe nga shtëpia e Davidit, flijuesi dhe flija e therorit të madh të shpëtimit.

Prandaj, ai na paraqet në krye gjenealogjinë e Iisuit dhe gjatë tregimit shton profecitë e duhura nga Dhiata e Vjetër, që kanë gjetur zbatim të plotë në personin e tij.

Të mësojmë lutjet tona

Psalmi XXVII
I Davidit

Ty do të të thërres, o Zot, o Perëndia im; veshët mos i mbyll për mua, se po t’i mbyllësh veshët për mua, do t’u ngjaj atyre që në gropë i hedhin.

Dëgjoje, o Zot, zërin e lutjes sime kur ty të falem, kur duart e mia i ngre drejt tempullit tënd të shenjtë.

Mos më zvarrit bashkë me mëkatarët dhe mos më humb bashkë me ata që bëjnë padrejtësi

Që për paqe flasin me të afërmit e vet, por kanë ligësi në zemrat e tyre.

Jepu atyre, o Zot, sipas veprave të tyre, dhe sipas ligësisë së kurdisjeve të tyre; jepu atyre sipas veprave të duarve të veta; jepu atyre shpagimin që meritojnë.

Sepse nuk i vlerësuan veprat e Zotit, as veprat e duarve të tij.

Do t’i rrëzosh ata e më nuk do t’i ngresh.

I bekuar qoftë Zoti, se dëgjoi zërin e lutjes sime.

Zoti është ndihmësi im dhe mbrojtësi im; në të shpresoi zemra ime, dhe u ndihmova; dhe trupi im u gjallërua, prandaj me gjithë dëshirën time do ta lavdëroj.

Zoti është fuqia e popullit të vet; dhe është mbrojtës i shpëtimit për të lyerin e tij.

Shpëtoje popullin tënd dhe bekoje trashëgimin tënd; dhe kulloti ata e mbroi ata për gjithë jetën.

Shën Vasili i Madh: “…Të imitosh në tokë jetën e engjëjve.”

Shën Grigor Theologu: “Shkallë e shenjtë për t’u ngjitur në Qiell.”

Shën Grigor Sinaiti: “Dashuri vepruese, shpëtimi i shpresës, simbol i shenjtërisë, njohje e Perëndisë, shenjë e Shpirtit të Shenjtë, kënaqësi e shpirtit, tregues i jetës engjëllore.”

Shën Joani i Shkallës: “Shpëtim nga mëkati, urë për të kaluar ngasjet, burim virtytesh, ndërmjetëse hiresh, dobi e padukshme, ushqim shpirti, ndriçim mendjeje, zgjidhje hidhërimi, pakësim zemërimi…”