EmailFacebookKontakt

Dritë nga Ungjilli – Mësime të Perëndinjeriut

Dritë nga Ungjilli

Hiret e Shpirtit të Shenjtë

Mësime të Perëndinjeriut, Zotit tonë Iisu Krisht

“Prandaj po ju them: Mos u kujdesni për jetën tuaj, se ç’do të hani e ç’do të pini; as për trupin tuaj se ç’do të vishni. A nuk është jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja?”

“Vështroni zogjtë e qiellit; as nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në hambare, dhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se ata?”

“Po kush nga ju, me përkujdesjet e veta mund t’i shtojë shtatit të tij edhe një kut? Dhe për veshjen tuaj, përse jeni të shqetësuar? Vështroni si rriten lulet e fushës; ato nuk lodhen dhe nuk endin; megjithatë unë po ju them se as vetë Sollomoni, me gjithë lavdinë e tij, nuk qe veshur si asnjëra prej tyre.”

“Por nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin e fushave, që është sot e nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë Ai shumë më tepër ju, o njerëz besëpakë?”

“Mos rrini pra në përkujdesje duke thënë: ç’do të hamë? ç’do të pimë? ose me çfarë do të vishemi? Sepse janë paganët ata që i kërkojnë gjithë këto gjëra; dhe Ati juaj qiellor e di që keni nevojë për të gjitha këto.”

Matth. 6, 25-32

Të mësojmë lutjet tona

Psalmi XXIV

Tek ti, o Zot, e ngrita shpirtin tim.
Perëndia im, tek ti u mbështeta; mos u turpërofsha për jetë, që armiqtë e mi me mua të mos tallen.
Gjithë sa shpresojnë tek ti nuk do të turpërohen; u turpërofshin ata që më kot bëjnë paligjësira.
M’i bëj të njohura rrugët e tua, o Zot, dhe shtigjet e tua m’i mëso.
Më udhëhiq në të vërtetën tënde e më mëso; se ti je Perëndia shpëtimtari im; në ty shpresoj gjithë ditën.
Kujto, o Zot, dhembshuritë e tua dhe mëshirat e tua, se janë të përjetshme.
Mos kujto mëkatet e rinisë e të padijes sime sipas përdëllimit tënd më kujto, ti, o Zot, për mirësinë tënde.
Zoti është i mirë dhe i drejtë; prandaj do të bëjë ligje për ata që mëkatojnë, që në rrugë t’i kthejë.
Do t’i udhëheqë të butët në drejtësi, rrugën e tij do t’ua mësojë të butëve.
Gjithë rrugët e Zotit janë përdëllim dhe e vërtetë për ata që ruajnë dhiatën e tij dhe dëshmitë e tij.
Për emrin tënd, o Zot, ndjeje paudhësinë time, se është e madhe.
Kush është njeriu që ka frikë Zotin? Atij do t’ia mësojë rrugën që duhet të zgjedhë. Shpirti i tij do të prehet në të mira, dhe fara e tij do të trashëgojë tokën.
Zoti është mbështetje për ata që e kanë frikë, dhe atyre do t’ua tregojë dhiatën e vet.
Sytë e mi janë gjithmonë tek Zoti, se ai do t’i nxjerrë këmbët e mia nga kurthi.
Hidhi sytë mbi mua dhe përdëllemë, se jam vetëm dhe i varfër.
Shtrëngimet e zemrës sime u shtuan, nxirrmë nga nevojat e mia.
Vështro përulësinë time dhe mundimin tim, dhe falmi të gjitha mëkatet e mia.
Shiko armiqtë e mi, se u shumuan, e më urrejnë padrejtësisht me mëri të madhe.
Ruaje shpirtin tim dhe më shpëto; mos u turpërofsha, se tek ti shpresova.
Prapa më vinin njerëz pa të keq dhe të drejtë se në ty shpresoj.
O Perëndi, çliroje Izraelin nga gjithë shtrëngimet e tij.