Mësime të Tërëndinjeriut, Zotit tonë Jisu Krisht
U përgjigj Jisui e u tha atyre: Edhe nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime është e vërtetë, se e di nga erdha e ku shkoj; por ju nuk e dini nga vij ose ku shkoj. Ju gjykoni sipas trupit; unë nuk gjykoj asnjërin. Por edhe sikur të gjykoj unë, gjykimi im është i vërtetë; sepse nuk jam vetëm, por unë dhe Ati që më dërgoi. Por edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmia e dy njerëzve është e vërtetë.
Unë jam ai që dëshmoj për veten time, dhe Ati që më dërgoi dëshmon për mua. Prandaj ata i thoshin: Ku është Ati yt? U përgjig Jisui: As mua nuk më njihni, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim. (Joan. 8:14-20)
Alektar shpirtëror
Shën Kozmai i Etolisë duke predikuar dashurinë e përsosur, thotë:
Nëse dëshiron të gjesh dashurinë e përsosur shko dhe shit gjithë pronat e tua, jepua të varfërve, shko aty ku mund të gjesh një padron dhe bëhu skllav. Mund ta kryesh këtë dhe të bëhesh i përsosur?
Ti thua se kjo është tepër e vështirë? Atëherë bëj diçka tjetër. Mos shit veten si skllav. Shit vetëm pronat e tua dhe jepua ato të varfërve. Mund ta bësh këtë gjë? Apo e sheh këtë si diçka të vështirë?
Dakord, nuk mund të japësh gjithë pasuritë e tua. Atëherë jep gjysmën, ose një të tretën, ose një të pestën. Mos vallë edhe kjo është tepër e vështirë? Atëherë jep një të dhjetën. Mund ta bësh këtë? Eshtë përsëri tepër e vështirë?
Ç’thua për këtë tjetrën? Mos shit veten si skllav. Mos u jep të varfërve asnjë qindarkë. Bëj vetëm këtë. Mos i merr vëllait tënd xhaketën, mos i merr atij bukën, mos e ha atë të gjallë. Nëse nuk dëshiron t’i bësh atij ndonjë të mirë, të paktën mos i shkakto atij ndonjë të keqe. Lëre të qetë atë. Mos vallë edhe kjo është gjithashtu e vështirë për t’u realizuar?
Ti më thua se do të shpëtohesh. Po si? Si mundemi ne të shpëtojmë, nëse çdo gjë, për të cilën jemi thirrur për ta bërë, është tepër e vështirë? Ne zbresim dhe zbresim, deri sa nuk ka më vend poshtë nesh. Me të vërtetë, Perëndia është i shumëmëshirshëm, por ai ka gjithashtu një purtekë të hekurt.