EmailFacebookKontakt

Drite mbi te verteten ne kishen e elbasanit

Të shqetësuar për ngjarjet e ndodhura në Kishën Orthodhokse të Elbasanit, ne, studentët e Shkollës teologjike hieratike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbledhur nga gjithë Shqipëria, protestojmë fuqishëm ndaj këtyre veprimeve antikanonike, antiorthodhokse dhe antikombëtare. Eshtë e drejta jonë si orthodhoksë të mbrojmë pastërtinë e besimit tonë dhe të informojmë besimtarët orthodhoksë të gjithë Shqipërisë, të gjithë popullin, mbi të vërtetën. Kryepiskopi Kanonik (i ligjshëm) i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, i cili është fronëzuar sipas të gjitha rregullave dhe kanuneve të Kishës Orthodhokse, dhe është pranuar e njihet zyrtarisht dhe nga shteti shqiptar. Kjo do të thotë se kryebariu dhe ruajtësi i unitetit të Kishës sonë është Imzot Anastasi, pasi kryebari dhe simbol uniteti në Kishë është vetëm episkopi dhe asnjë klerik apo laik nuk mund të veprojë pa dijeninë e tij. Këtë gjë duhet ta dinë dhe vëllezërit tanë të gabuar, Arian Koja dhe Nikolla Marku, pasi kanë qenë studentë të shkollës sonë për një farë kohe. Le të supozojmë për një çast se ata janë dorëzuar dhe se dorëzimi i tyre (në Rumani a Maqedoni) është kanonik. Në Kanonin XVI të Sinodit Ekumenik të Nikesë (25) thuhet shprehimisht: “ASNJE prift apo dhiakon, apo ndonjë tjetër që bën pjesë midis klerikëve, që nuk ka frikë Perëndie përpara syve të tij, që nuk shikon Kanonet kishtare, që si plangprishës do të përpiqet të lëvizë nga kisha e tij, nuk duhet të pranohet në asnjë mënyrë në një kishë tjetër; por duhet të detyrohet me forcë të kthehet në kishën e tij dhe nëse nuk pranon, duhet të shkishërohet. Dhe nëse dikush do të marrë në mënyrë të fshehtë dikë që i përket një Kishe tjetër dhe ta dorëzojë pa lejen e peshkopit përkatës, ky dorëzim është i pavlefshëm.” (NICENE AND POST-NICENE FATHERS, Volumi 14, faqe 35)

Dalin tri probleme:

– Së pari. Zotërinjtë Koja e Marku thonë se janë dorëzuar, njëri në Rumani dhe tjetri në Maqedoni. Sipas Kanonit ata duhet të qëndrojnë në kishat ku janë dorëzuar.

– Së dyti. Besimtarët orthodhoksë të Elbasanit nuk duhet t’i pranojnë në Kishën e tyre, sepse kanoni e ndalon një gjë të tillë fare qartë.

– Së treti. Dorëzimi i tyre është i pavlefshëm, sepse kanë ikur në mënyrë të fshehtë dhe pa bekimin e Kryepiskopit të Shqipërisë. Pra, as që janë priftërinj të Kishës së Krishtit. Thotë Zoti ynë Iisu Krisht: “…Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar.” (Joani 10:1).

“Dielli nuk mbulohet me shoshë”, thotë populli. Kështu që pretendimi se në Kishën e Elbasanit, Mesha Hyjnore u bë për të parën herë në shqip, jo vetëm që s’qëndron, por është kokë e këmbë një gënjeshtër djallëzore. Këtë e dëshmojnë vetë besimtarët orthodhoksë, të pranishëm gjithmonë në Meshën Hyjnore kanonike në gjuhën shqipe.

Ne ju bëjmë thirrje vëllezërve tanë të pendohen dhe të kthehen në gjirin e Kishës sonë si besimtarë të mirë.

Kur ëngjëjt në qiell pasonin Satanin në rënien për në Ferr, Kryeëngjëlli Mikail tha: “Le të qëndrojmë mirë! Le të qëndrojmë me frikë!” Këtë thirrje ju drejtojmë edhe ne.

Studentët e Shkollës Teologjike – Hieratike “Ngjallja e Krishtit”, e KOASH,

26 Tetor, 1995, Durrës.